Nëntë persona arrestohen në Zubin Potok nën dyshimin për krime lufte
Nëntë persona janë arrestuar në Zubin Potok nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”, ka njoftuar Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.
Sipas njoftimit zyrtar, Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës, në bashkëpunim me njësitë e tjera të specializuara, ka zhvilluar në orët e hershme të mëngjesit një operacion të koduar “Dosja 23”, me urdhër të Prokurorisë Speciale.
Operacioni lidhet me rastin e njohur si “Grupi i intelektualëve”, ndërsa në kuadër të tij janë kryer edhe bastisje në disa lokacione.
Sipas burimeve, hetimet lidhen me rastin e varrezave masive të gjetura në Zubin Potok. Gjatë operacionit, njësitë e angazhuara kanë kryer veprime hetimore dhe bastisje me qëllim të gjetjes dhe konfiskimit të materialeve dhe dëshmive që dyshohet se kanë lidhje me rastin.
Operacioni është zhvilluar në orët e hershme të mëngjesit, ndërsa në terren janë angazhuar edhe njësi të specializuara të Policisë së Kosovës.
Prokuroria Speciale dhe Policia e Kosovës kanë bërë të ditur se për detajet e tjera lidhur me operacionin dhe veprimet e ndërmarra do ta informojnë publikun në momentin kur informacioni të mund të bëhet publik.
Hetimet dhe veprimet policore janë në zhvillim e sipër.






Diskutime rreth kësaj post