### Hoti sqaron ndryshimet në numrin e përfituesve të shtesave për fëmijë
Ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, ka reaguar lidhur me diskutimet për shtesat për fëmijët, duke kundërshtuar pretendimet që, sipas tij, janë bërë pa fakte dhe pa u bazuar në legjislacionin në fuqi.
Hoti ka sqaruar se numri i përfituesve në kuadër të Programit të Shtesave për Fëmijë është dinamik dhe mund të ndryshojë në vazhdimësi, si rezultat i zbatimit të kritereve të programit dhe përditësimit të të dhënave.
Sipas tij, në këto ndryshime ndikojnë disa faktorë, përfshirë përfshirjen e fëmijëve të rinj në program, arritjen e moshës 16-vjeçare, ndryshimin e rrethanave të përfituesve, harmonizimin e të dhënave me regjistrat institucionalë, si dhe proceset e rregullta të verifikimit.
Ministri ka theksuar gjithashtu se, në rastet kur kërkohen verifikime shtesë, pagesa mund të pezullohet përkohësisht deri në përfundimin e procedurave përkatëse.
Sipas Hotit, pezullimi gjatë periudhës së verifikimit **nuk nënkupton automatikisht largim përfundimtar nga programi dhe as konstatim të keqpërdorimit**.
Ai ka bërë të ditur se vendimet për vazhdimin ose ndërprerjen e përfitimit merren në bazë të kritereve dhe procedurave të përcaktuara me aktet në fuqi, duke respektuar edhe të drejtat procedurale të palëve.
Hoti ka sqaruar se ndryshimi i numrit të përfituesve nga një muaj në tjetrin nuk mund të interpretohet automatikisht si numër i personave që kanë keqpërdorur programin apo si dëm financiar.
Sipas tij, çdo rast shqyrtohet dhe verifikohet individualisht, ndërsa në rastet kur konstatohet përfitim i pabazuar, institucionet veprojnë në përputhje me legjislacionin në fuqi.





Diskutime rreth kësaj post