### Tragjedi në Poloni: Futbollisti 20-vjeçar humb jetën pas një aksidenti të rëndë me një dre
Një ngjarje tragjike ka tronditur komunitetin e futbollit në Poloni, ku futbollisti 20-vjeçar Oskar Kordus humbi jetën disa orë pas përfshirjes në një aksident të rëndë rrugor.
Aksidenti ndodhi mëngjesin e së hënës, më 21 shtator, në rrugën provinciale DW434, mes Krajewice dhe Grabonóg, pranë qytetit Gostyń.
Sipas informacioneve paraprake të autoriteteve, një dre doli papritur në rrugë dhe u përplas fillimisht me një automjet Volkswagen që drejtohej nga një 52-vjeçar. Nga përplasja, kafsha u hodh në korsinë e kundërt, pikërisht në momentin kur aty po lëvizte BMW-ja e drejtuar nga Kordus.
Dreri theu xhamin e përparmë të BMW-së dhe hyri në kabinën e automjetit, duke goditur 20-vjeçarin. Si pasojë, makina doli nga rruga dhe përfundoi në një kanal, ku edhe u përmbys.
Ekipet e emergjencës e gjetën Kordus në gjendje kritike dhe nisën menjëherë reanimimin. Pas mbërritjes së ambulancës, përpjekjet për ta shpëtuar vijuan dhe funksionet jetësore të tij u rikthyen përkohësisht.
Futbollisti u transportua me helikopter në një spital në Poznań, ku mori trajtim mjekësor. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, rreth orës 22:30 të së njëjtës mbrëmje, ai ndërroi jetë si pasojë e plagëve të marra në aksident.
Drejtuesi 52-vjeçar i Volkswagenit nuk pësoi lëndime.

Oskar Kordus ishte futbollist i Kania Gostyń, klub të cilit iu bashkua para fillimit të këtij sezoni. Ai luante në pozicionin e mbrojtësit dhe më herët kishte qenë pjesë e Korona Piaski, si dhe e disa klubeve të tjera në rajon. Në të kaluarën, Kordus kishte qenë gjithashtu pjesë e Akademisë KGHM Zagłębie Lubin.
Pas lajmit për vdekjen e tij, Kania Gostyń shprehu dhimbjen dhe ngushëllimet për familjen, të afërmit dhe miqtë e 20-vjeçarit.
“Me trishtim dhe mosbesim të madh mësuam për vdekjen e futbollistit tonë, Oskar Kordus”, deklaroi klubi.
Autoritetet polake kanë nisur hetimet për të përcaktuar të gjitha rrethanat dhe shkaqet e aksidentit tragjik.







Diskutime rreth kësaj post