Reperi i njohur, Fero, ka bërë një reagim publik përmes rrjeteve sociale, ku ka ndarë shqetësimet e tij mbi mungesën e të drejtës për të parë vajzën e tij, Ninën, si dhe ka folur për rikthimin e tij në muzikë.
Në një seri postimesh, Fero theksoi se po përballet me një padrejtësi të rëndë dhe se ndihet i pafuqishëm për shkak të pamundësisë për të pasur kontakt me vajzën e tij. Ai kritikoi sistemin e drejtësisë në Kosovë, duke thënë se ai funksionon vetëm për ata që kanë para.
“Ju e dini që tash e një kohë jam përballur dhe po përballem ende me një padrejtësi të rëndë: mungesën e të drejtës për të parë vajzën time, Ninën. Kam bërë shumë përpjekje, dhe vetëm prindërit që kanë kaluar në këtë fazë, të cilën unë po e kaloj për kaq shumë kohë, e kuptojnë dhimbjen dhe sa i pafuqishëm ndjehesh kur nuk mundësohet asnjë formë kontakti me fëmijën tënd. Gjykata ka dështuar të marrë masa ndaj shkeljeve të vendimeve të saj, duke treguar se drejtësia në Kosovë funksionon vetëm për ata që kanë para”.
Ai gjithashtu deklaroi se nuk do të lejojë që vajza e tij të rritet pa praninë e tij dhe ka angazhuar avokaten Bedrije Rexhepi për të mbrojtur të drejtat e tij ligjore. Fero akuzoi motrën e presidentes së Kosovës, duke thënë se ajo, si avokate e palës tjetër, ka ndikuar në këtë situatë.
“Dhe mbi të gjitha, unë asnjëherë nuk do të lejoj që vajza ime të rritet pa praninë time. Tani kam angazhuar avokaten time për çështje juridike, Bedrije Rexhepi, dhe unë besoj dhe shpresoj që ajo do të më ndihmojë në kthimin e drejtave të mia. Për më tepër, manipulimet dhe ndikimi i motrës së presidentes, e cila është avokate e palës tjetër, kanë ndikuar në këtë situatë të padrejtë”.
Sa i përket rikthimit të tij në muzikë, reperi sqaroi se është i vetëdijshëm për debatet rreth kësaj çështjeje, por se ai nuk i jep llogari askujt për vendimet e tij përveç Zotit.
“E di që jeni duke pyetur shumë për rikthimin tim në muzikë. Është shumë e lehtë të drejtohet gishti nga dikush dhe të bëhet tabelëqitje, por, edhe pse po rikthehem në muzikë, unë e kuptoj shumë mirë se çfarë është e ndaluar dhe e lejuar në besimin tim, dhe besoj se nuk kam arsye t’i jap llogari askujt për vendimet e mia, përveç Krijuesit tim”.
Në fund, Fero shprehu bindjen se e vërteta do të dalë në pah dhe se një ditë vajza e tij do të kuptojë se kush kishte të drejtë dhe kush kishte faj. Ai falënderoi besimtarët që e kanë mbështetur dhe përfundoi me një mesazh frymëzues.
“Sido që të shkojë puna me padrejtësinë time, një ditë muzika dhe gjithçka që do të bëj do të shkojnë në veshin e Ninës, dhe atëherë vajza ime do të kuptojë kush kishte faj dhe kush kishte të drejtë. Jam falënderues ndaj besimtarëve të besimit tim që më kanë mbështetur dhe më kanë ndihmuar në momente të vështira. Në fund, të gjithë ne jemi të gabueshëm, ndërsa i pagabueshëm dhe i përsosur është vetëm Zoti i Lartësuar”.
Këto deklarata të Feros kanë ngjallur reagime të shumta në rrjetet sociale, ndërsa fansat presin zhvillimet e mëtejshme lidhur me situatën e tij personale dhe rikthimin në muzikë.
Diskutime rreth kësaj post