Që kur talebanët morën pushtetin në Afganistan, Turqia ka zhvilluar bisedime me drejtuesit e tyre. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Dorian Jones njofton se pavarësisht lidhjeve të gjata historike dhe besimit të përbashkët fetar, disa analistë paralajmërojnë se Ankaraja mund të jetë duke mbivlerësuar avantazhet e saj.
Pavarësisht statusit të Turqisë si anëtare e NATO-s, roli i së cilës ka përfunduar në Afganistan, talebanët po kërkojnë që Ankaraja të ndihmojë në rihapjen dhe drejtimin e aeroportit ndërkombëtar të Kabulit. Turqia beson se ajo zë një pozicion unik në marrëdhënien me këtë grupim.
“Sigurisht që e konsideron veten si një vend mysliman dhe si i vetmi vend mysliman në NATO që ka një avantazh kur bisedojnë me talebanët, por talebanët nuk duket se e shohin atë në të njëjtën mënyrë”, thotë për Zërin e Amerikës ish Ambasadori i Turqisë në Bashkimin Evropian, Selim Kuneralp.
Bisedimet e Turqisë me talebanët mbeten të bllokuara lidhur me kërkesën e Ankarasë që të jetë ushtria turke dhe jo talebanët, ata që do të ruajnë aeroportin. Analistët sugjerojnë se Turqia ende mundet të arrijë një marrëveshje me talebanët, ndërsa Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan e shikon këtë si një mundësi diplomatike.
“Erdogani shpreson që situata në Afganistan dhe nevoja për të patur një lloj angazhimi me talebanët do të sigurojnë një ndikim politik ose përfitim për Turqinë. Ai dëshiron të jetë përçuesi i dialogut mes NATO-s, perëndimit dhe talebanëve”, thotë për Zërin e Amerikës Asli Aydintasbas, eksperte në Këshillin Evropian.
Industria e madhe e ndërtimit e Turqisë, që tashmë është e pranishme në Afganistan, gjithashtu mund të përfitojë nga talebanët.
Në një intervistë rishtazi me një gazetë turke, një zyrtar taleban tha se Turqia mund të luajë një rol kyç në rindërtimin e vendit, që ndoshta mund të financohet nga aleati i ngushtë i Turqisë, Katari, vend i pasur me burime energjitike. Por disa analistë po shprehen të kujdesshëm ndaj aspiratave të Ankarasë në Afganistan.
“Fqinjët e Afganistanit – domethënë Rusia, Kina, India, Pakistani dhe Irani – të gjitha janë vende të mëdha, vende aktive, me shumë ndikim në Afganistan. A mundet që vetëm Turqia, për shkak të marrëdhënieve historike me Afganistanin, të jetë një ndërmjetëse, apo një menaxher i zhvillimeve? Unë me të vërtetë kam dyshime për këtë”, thotë Soli Ozel, nga Universiteti “Kadir Has”.
Por zoti Erdogan mban lidhje të ngushta me Presidentin rus Vladimir Putin, ndërsa të dy vendet bashkëpunojnë në pikat e tjera të nxehta rajonale, përfshirë Sirinë dhe Kaukazin. Analistët vënë në dukje se Afganistani mund të jetë një pikë tjetër bashkëpunimi.
“Kjo do të krijojë dhe aktivizojë një dialog mes Ankarasë dhe Moskës në lidhje me sigurinë, duke i sjellë dy vendet më afër njëri-tjetrit. Afganistani do të bëhej një kapitull i ri në një libër që tashmë përbëhet nga disa kapituj si Siria, Karabaku etj.”, thotë për Zërin e Amerikës Zaur Gasimov nga Universiteti i Bonit.
Zoti Erdogan do të vizitojë Moskën në javët e ardhshme. NATO ka shprehur shqetësim për thellimin e lidhjeve të Turqisë me Rusinë. Por analistët thonë se Presidenti turk Erdogan mund të ketë konkluduar se ekziston hapësira për të manovruar dhe për të krijuar një rol për vendin e tij, ndërsa sundimtarët e rinj të Afganistanit krijonë marrëdhëniet me pjesën tjetër të botës.
Diskutime rreth kësaj post