208 familje kanë përfituar lejen e legalizimit. Pas shqyrtimit të aplikimeve për legalizim në këtë javë, Agjencia Shtetërore e Kadastrës ka nxjerrë emrat e familjeve që plotësonin kriteret e përcaktuara e vendosura në ligjin për legalizimin e pronave dhe janë shpallur fitues. Lajmin e ka bërë të ditur vetë Agjencia përmes një njoftimi në faqen e saj zyrtare, në të cilin sqarohet se nga data 19 korrik deri më 23 korrik janë shqyrtuar me qindra kërkesa dhe janë shpallur fitues 208 pronarë. Sipas këtij njoftimi, ASHK-të përkatëse duhet të njoftojnë qytetarët për ecurinë e vazhdueshme dhe t’u bëjnë thirrje për të tërhequr certifikatën e legalizimit. Përfituesit e kësaj radhe i përkasin qytetit të Tiranës, Vlorës, Dibrës dhe Elbasanit.
Ndërsa për ato raste kur aplikantët nuk kanë përfituar certifikatën e legalizimit për shkak të disa boshllëqeve në dokumentacion, zyra kadastrale në zonën që përfaqëson duhet të njoftojë pronarin dhe t’i japë atij një afat kohe për të plotësuar dokumentacionin dhe të riaplikojnë për legalizim. “Drejtoria vendore e ASHK Elbasan, ASHK Tiranë, ASHK Vlorë dhe ASHK Dibër bëjnë afishimin publik për qytetarët, në zbatim të ligjit Nr. 20/2020 “Përcaktimin e Proceseve Kalimtare të Pronësisë Në Republikën e Shqipërisë” dhe VKM nr. 1040 date 25.11.2020 “Për përcaktimin e rregullave në zbatim të kritereve të legalizimit dhe miratimin e modelit të aktit të legalizimit për ndërtimet pa leje” Drejtoria Vendore ASHK-së ka bërë të mundur përfundimin e procedurave të legalizimit për subjektet e mëposhtëm. Publikimi i kërkesave për afishim të subjekteve që po trajtohen nga ASHK bëhet për një periudhë 30 ditore”, thuhet në njoftimin e Kadastrës.
Në njoftime të vazhdueshme Kadastra ka sqaruar se pas ngërçit që patën gjatë pandemisë në këtë vit do të fokusohen më së shumti tek shqyrtimi i dokumenteve për legalizimit, në mënyrë që ky proces të përfundojë sa më parë. Më pas, në bashkëpunim me APP të fillojnë me çështjet e tjera të pronave, si kompensim, kalim trualli, regjistrim e të tjera. Prandaj në ndryshimet e bëra në ligjin për legalizimit në vitin që shkoi sqarohet se, shtëpitë do të shemben ndërsa qytetari do të marrë kompensim. Po ashtu përfitojnë edhe ata që kanë ndërtuar pa leje.
Pra, për banesat që do të përmbyllen do të vazhdojë procesi i legalizimit dhe banesat që nuk mund të realizohen për arsye të infrastrukturës apo projekteve do të përfitojnë ose banesë sociale ose kompensim, por jo vlerën e plotë. Projektligji i ri për legalizimin e pronave synon të regjistrojë të gjitha pronat bujqësore që janë të copëzuar nga ligjet e mëparshme. Kjo, sepse deri në 2020 ngërçi me pronat është krijuar nga ligjet e shumta që janë hartuar për këtë problem.
Specifikisht, Kadastra ka sqaruar se, thelbi i ligjit është që, të gjithë ato procese transitore t’i mbledhim në një ligj dhe t’i mbyllim një orë e më parë, për të shuar të gjitha ligjet e veçanta që duke qenë të veçanta kanë krijuar gjithë kakofoninë legjislative dhe në terren, duke sjellë mbivendosje dhe duke sjellë pesë pronarë për një truall. Po ashtu do të bëhet regjistrimi me tapi i banesave para viteve ‘91. Tashmë drafti i ri harmonizon në një të vetëm të gjitha ligjet e mëparshme që trajtonin problemin e pronës.
Diskutime rreth kësaj post