Aksionet e ditëve të fundit të SPAK dhe paralajmërimet e ambasadorëve duket se kanë shqetësuar Lëvizjen Socialiste për Integrim. Partia e presidentit ditët e fundit ka nisur një sulm ndaj SPAK dhe ambasadorëve që kanë dalë në mbështetje të tij.
Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili gjatë një interviste televizive foli rreth arrestimit të kryebashkiakut të Lushnjes, Fatos Tushe ku u shpreh se aksione si këto organizohen nga kryeministri Edi Rama. Vasili po ashtu sulmoi SPAK dhe e quajti një reformë të komanduar nga qeveria. Sipas tij, në SPAK janë denoncuar edhe një sërë çështjesh të tjera, por ende nuk ka asnjë përgjigje.
“Arrestimi i kryetarit të Bashkisë së Lushnjes dhe të tjera aksione janë me regji të Ramës. Të gjithë do të prisnim që SPAK-u të kthente përgjigje për veprat e rënda kriminale që ndodhën para zgjedhjeve, siç janë Kavaja dhe Elbasani. Në vend që të bëhet kjo punë, ndodhin arrestime të tilla. Ky SPAK nxori mandatet për komisionerët e vdekur në Dibër. Janë planifikuar gjithë shpirtrat e vdekur, nxirren që opinioni publik të kënaqet me ngordhësirat që hedhin këta. Kjo është reformë e komanduar”, – u shpreh Vasili.
Po ashtu nënkryetari i LSI ka shpërthyer në akuza edhe ndaj ndërkombëtarëve, të cilët i quajti hipokritë. Vasili tha se ata nuk janë shqetësuar asnjëherë për çështje si ajo e inceneratorëve apo prishjes së Teatrit Kombëtar, ndërkohë që shqetësohen për arrestimin e një kryebashkiaku.
“Besoj se ndërkombëtarët në vazhdimësi kanë qenë të sinqertë me Ramën, por hipokritë me shqiptarët. Nuk kemi parë shqetësim nga ndërkombëtarët për incineratorët, e sot brohorasin për një kryetar bashkie të diskretituar prej kohësh që u arrestua për një tender. Këta ndërkombëtarë kanë mbështetur shqyerjen e reformës në drejtësi, kur zgjodhën Arta Markun. Ndërkombëtarët heshtën edhe për teatrin”, – tha Vasili.
Vasili flet për protesta në shtator
Nga ana tjetër Vasili jo në mënyrë të drejtpërdrejtë paralajmëroi se në shtator do të ketë një opozitarizëm të ashpër, duke iu referuar kështu protestave. Ai akuzoi qeverinë për lidhje të ngushta me krimin teksa deklaroi se vendi ndodhet në situatë kritike prandaj duhet reagim i ashpër.
“Ky do të jetë opozitarizëm të ashpër, sepse kemi një demokraci të rrënuar. Rama i kërkon Policisë të pastrohen nga të inkriminuarit brenda 100 ditësh, ku i inkriminuari është vetë. Ne kemi denoncuar fikjen e radarëve, dolën tre ministra me radhë, thanë si ka mundësi të mbyllet. Në fund doli që shteti vetë krijonte autostrada detare për krimin. Praktikisht jemi në situatë kritike që kërkon reagim të ashpër”, – deklaroi ai.
Ndërkohë sa i përket çështjes së futjes në Parlament apo jo, Vasili deklaroi se zgjedhjet e 25 prillit janë të papranueshme, por kjo nuk e përjashton që këtë problem ta thotë në sallën e Parlamentit.
Diskutime rreth kësaj post