Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj ka folur sa i përket reformës në drejtësi. Në një intervistë për VOA, ajo u shpreh se reforma në drejtësi ka dhënë tashmë rezultatet e para. Gjonaj theksoi se procesi i vetingut ka krijuar mungesa në magjistratë, por e cilëson si një kosto të nevojshme për të pastruar sistemin nga gjykatës e prokurorë të korruptuar apo të lidhur me krimin.
“Ne e kemi ditur dhe vazhdojmë ndërkohë ta trajtojmë me shumë vëmendje mungesën e magjistratëve gjyqtarë dhe prokurorë nga sistemi i drejtësisë për shkak të largimeve nga procesi i vetingut. Por, një ndër arsyet pse kjo reformë filloi ka të bëjë me luftën kundër korrupsionit brenda sistemit të drejtësisë. Është më mirë të kemi një sistem drejtësie që të ketë vakanca me gjyqtarë dhe prokurorë, se sa të kemi një sistem drejtësie që përbëhet nga gjyqtarë dhe prokurorë të padenjë, të korruptuar, të lidhur me krimin apo joprofesionalë”, tha ajo.
Ministrja u shpreh se po ashtu është duke u punuar për një organizimin të ri dhe një hartë të re gjyqësore. Ajo theksoi se ky riorganizim do të bëjë të mundur sipas saj edhe profesionalizimin në gjykatat e vendit.
“Ne po punojmë me Këshillin e Lartë Gjyqësor për një hartë të re gjyqësore që ka të bëjë me organizimin e ri të sistemit të drejtësisë në gjykatat e rretheve gjyqësore, por edhe gjykatat e Apelit, të cilat do të mundësojnë uljen e numrit të gjykatave duke rritur profesionalizmin, duke rritur efektshmërinë, por njëkohësisht pa cenuar në asnjë moment aksesin e qytetarëve në sistemin e drejtësisë”, tha ajo.
Ndër të tjera, Gjonaj bëri me dije edhe deklaratën e saj, teksa mori pjesë në sesionin e posaçëm të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për korrupsionin. Ajo theksoi se, në fokus të fjalimit të saj ka qenë lufta kundër korrupsionit si një nga prioritetet e qeverisë.
“Është hera e parë që Asambleja e Përgjithshme organizon një sesion të posaçëm për luftën kundër korrupsionit, masat që duhet të marrin shtetet për të arritur rezultate të mira në këtë luftë. Unë në deklaratën time politike shpreha vullnetin e qeverisë shqiptare jo vetëm për faktin që e ka në prioritetet kryesore luftën kundër korrupsionit”, tha ajo.







Diskutime rreth kësaj post