Rreth 5 ditë nga seanca ku do të vuloset shkarkimi i tij, presidenti Ilir Meta ka nisur pelegrinazhet dhe lutjet. Presidenti ka qenë i pranishëm dje në qytetin e Elbasanit ku vizitoi manastirin e “Shën Joan Vladimirit”. Meta i pyetur nëse po lutej që të mos e shkarkonin, u shpreh se lutjet e tij shkojnë për ata që nuk e dinë se çfarë janë duke bërë. Presidenti tha se tema e shkarkimit tregon qartë se Kuvendi në dy vitet e fundit ka qenë pa opozitë ndërsa në ditët e sotme është tre herë më shumë antikushtetues. Sipas tij vendi duhet të merret me krimet zgjedhore para gjatë dhe pas 25 prillit, pasi është mohuar e drejta e votës.
“Nuk ekziston asnjë lutje e tillë, lutja është se Zoti i fal të gjithë ata që nuk dinë ça bëjnë dhe t’i udhëheqë në rrugën e të mirës së përbashkët. Është përgjigje e qartë. Kam ardhur këtu për t’iu bashkuar mesazhit të bashkëjetesës të gjithë besimeve të ndryshme. Nuk dëshiroj të flas në një vend të shenjtë për çështje që nuk ekzistojnë se kjo tema e shkarkimit nuk është më pas 25 prillit dhe aq më tepër që është konfirmuar se u tregua qartë se Kuvendi i dy viteve të fundit ishte pa opozitë dhe sot është tre herë më antikushtetues. Dhe nuk kam asnjë shqetësim të tillë. Merruni me hetimin e krimeve zgjedhore para gjatë dhe pas 25 prillit. Në një vend demokratik qytetarët të jenë të sigurt që vota tyre është e sigurt. Barazia para ligjit garantohet kur vota është e lirë. Kur disa votojnë disa herë dhe disave iu mohohet e drejta e votës, ku vota nuk mund të dalë qëllimisht e pavlefshme dhe ku vota është gjëja më e rëndësishme që kanë qytetarët në demokraci. Kjo është çështje e rëndësishme, çështjet e tjera s’kanë asnjë rëndësi të përmenden”, tha ai.
Ndërkohë tek manastiri i “Shën Joan Vladimirit” në Elbasan, ishte i pranishëm edhe kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla. Ai vendosi t’i përgjigjej edhe deklaratës së presidentit ku u shpreh se Zoti fal vetëm mëkatet shpirtërore dhe jo ato ligjore. Balla po ashtu u bëri ftesë kolegëve nga Partia Demokratike për të vizituar manastirin. Sipas tij ashtu siç bashkohen besimtarët në këtë manastir, ashtu duhet të bashkohet dhe politika shqiptare, duke iu referuar kështu ftesës për bashkëpunim që qeveria i ka dërguar Partisë Demokratike.
“Në hyrje të kësaj kishe që për mua është një objekt shumë i dashur, mund të them se kisha dhe Zoti fal vetëm mëkatet shpirtërore dhe jo ato ligjore. Kaq mund të them. Apeli im është se do të doja që këtu me mua të ishin edhe kolegët e PD-së, ftesa ime të vijnë ta vizitojnë Manastirin e Shën Joan Vladimirit. Këtu sot bashkë me ne janë besimtarë nga Mali i Zi dhe Serbia. Siç na bashkon ky shenjt, duhet të bashkohemi brenda politikës shqiptare dhe mbi të gjitha brenda këtij rajoni”, tha ai.
Po ashtu Balla ftoi gjithë besimtarët që të vizitojnë vendin e shenjtë teksa falënderoi autoritetet vendore të komunitetit ortodoks lidhur me ruajtjen e vazhdimësisë së traditave.
“Me vendosjen e lipsaneve ftoj të gjithë besimtarët ta vizitojnë këtë vend të shenjtë, vend i krenarisë sonë në aspektin e traditës qindravjeçare të besimit të krishterë në Shqipëri. Gjej rastin të falënderoj autoritetet më të larta dhe ato vendore të komunitetit ortodoks për ruajtjen dhe vijimësinë e kësaj tradite”, u shpreh Balla.







Diskutime rreth kësaj post