Mazhoranca socialiste i ka hapur rrugë dje shkarkimit të presidentit Ilir Meta nga detyra. Ditën e djeshme Komisioni Hetimor për shkarkimin e kreut të shtetit ka zhvilluar mbledhjen e tij të fundit, ndërsa ka miratuar në mënyrë unanime raportin përfundimtar për gjetjet e shkeljeve kushtetuese të kryera nga presidenti. Në raport cilësohet se presidenti ka shkelur Kushtetutën dhe tejkaluar kompetencat e tij, ndërkohë që mësohet se të hënën në Konferencën e Kryetarëve do të vendoset dhe data se kur do të votohet ky raport në Parlament, i cili sipas burimeve, pritet që javën që vjen drafti t’i shkojë Kuvendit të Shqipërisë për votim.
Ka qenë kryetari i Komisionit Hetimor parlamentar “Për hetimin e shkeljeve të rënda kushtetuese nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë”, Alket Hyseni, i cili në mbledhjen e djeshme theksoi se draft-raporti përfundimtar i Komisionit Hetimor për hetimin e shkeljeve të rënda kushtetuese nga presidenti Ilir Meta është i ndarë në përmbledhje ekzekutive të raportit, renditja e fakteve, hapat ligjorë, hapat proceduriale, aktet e administruara në procesin hetimor dhe vlerësimi i komisionit dhe rezultatet e hetimit. Madje, zoti Hyseni teksa lexoi raportin përfundimtar që do të shkojë në Parlament për votim në një mbledhje që zgjati më shumë se 3 orë, akuzoi presidentin Meta se sjellja e tij dhe gjuha e përdorur ishte e ashpër, shumë konfliktuale dhe e nxehtë, duke bërë, që sipas tij, kreu i shtetit të dalë nga “kostumi” i tij i presidentit dhe figurës së unitetit të kombit.
“Siç më sipër lexova, presidenti Ilir Meta ka dalë nga roli i tij dhe ka shkelur hapur Kushtetutën. Kështu që pa humbur kohë po hedh raportin përfundimtar në votim. Kush është pro raportit? Të gjithë dakord, miratohet raporti i Komisionit Hetimor për shkeljet e rënda të Metës me vota unanime të anëtarëve të Komisionit Hetimor”, deklaroi Hyseni. Ndërkohë, deputeti i PS, Spartak Braho teksa vlerësoi punën e komisionit dhe konstitucionalistëve, theksoi se presidenti Meta ka rënë moralisht.
“Ky president ka rënë moralisht. Ky është një përfundim sa logjik dhe i kuptueshëm dhe i pranueshëm për opinionin. Ai nuk ka funksionuar si president dhe për mjaft arsye morale dhe ato janë pjesë e atij materiali të gjerë kinematografik se kështu do konsiderohen më vonë, filma multiplikativë me presidentin tonë. Vlerësoj punën e kryer”, deklaroi Braho.
Por teksa Komisioni Hetimor “Meta 2” miratoi dje me votë unanime raportin përfundimtar për shkarkim e presidentit Ilir Meta nga detyra, Presidenca reagoi përmes zëdhënësit Tedi Blushi. Ky i fundit përmes një statusi në rrjetet sociale theksoi ditën e djeshme se vendimi i Kuvendit njëpartiak është nul, ndërsa siguroi se presidenti Meta do jetë në detyrë deri në korrik 2022.
“Asnjë koment dhe zero shqetësim për çdo vendim nul apo veprimtari antikushtetuese dhe antiligjore të Kuvendit njëpartiak, që tenton me dëshpërim të shmangë vëmendjen nga debati publik për krimet e faktuara zgjedhore të 25 prillit, autorët dhe frymëzuesit, tutorët dhe bashkëpunëtorët e tyre, të angazhuar në këtë farsë kundër të vetmit institucion, që respekton dhe mbron Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe sovranitetin e saj. Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta do të vazhdojë të ushtrojë detyrën e Tij deri më 24 korrik 2022, me të njëjtën përgjegjësi të lartë, vetëm në respekt dhe mbrojtje të Kushtetutës dhe interesit kombëtar”, shkruan Blushi.







Diskutime rreth kësaj post