Gazetari Artan Hoxha ka komentuar sot në emisionin ‘Breaking’ vendimin e SHBA-së për të shpallur ‘non-grata’ ish-kryeministrin Sali Berisha.
Hoxha u shpreh se kjo është një ngjarje shumë e rëndësishme, pasi Berisha është njeriu më i rëndësishëm në politikën shqiptare, që ka drejtuar Shqipërinë për 13 vite dhe ka qenë faktor kryesor për 16 vitet e tjera.
Gjithashti Hoxha tha se ky vendim i vendit më të fuqishëm të botës, ka kaluar në disa etapa.
“Ka kaluar disa etapa, në disa momente ka ndaluar, në disa momente të tjera kanë ndikuar faktorë të tjerë dhe ka avancuar e arriti këtu. Në shkurt të vitit 2018 kam publikuar një informacion që Berisha dhe familjarë të tij nuk udhëtonin në SHBA. Në atë kohë Berishës i ishte skaduar viza, ndërsa familjarët ishin thirrur në ambasadë. Ka pasur disa etapa kjo histori, derisa erdhi vendimi i marrë përfundimisht”, – tha gazetari i njohur.
Më pas Hoxha u shpreh se këtë vendim nuk e sheh si një goditje që i është bërë një figure politike.
“E paraqesin Berishën si një pensionist të zakonshëm, por jo, për aq kohë sa do jetë gjallë është një faktor në të gjithë Shqipërinë, me të mirat dhe të këqija. Duket një gjë shumë pozitive, pasi deri tani nuk ka shkuar në ndonjë proces gjyqësor. Nga ana tjetër kemi Ramën që nuk e di ku është fshehur, Meta hesht. E kjo për shkak të mesazhit që ka dhënë Amerika. Interesat tona kombëtare janë të lidhur me interesat e Amerikës”, – tha ndër të tjera Hoxha.
I pyetur në lidhje me deklaratën e Berishës që “dosja kundër tij është dërguar nga Shqipëria”, Hoxha tha se ish-kryeministri luan me topin më shumë seç duhet, por luan edhe pa top.
“Berisha më tepër u përpoq që tu çojë një mesazh mbështetësve dhe kundërshtarëve të tij. Vendimi nuk është marrë nga sekretari, por nga DASH. Nuk është një vendim gjyqësore, por që vlen vetëm për territorin amerikan. Ne pamë Doshin që në mbrëmjen e 25 prillit u largua, edhe për Berishën është në dorë të tij vendimi për tu larguar apo jo.
Unë ndaj mendimin që Berisha po e pengonte PD në këto momente, që të fillonte një etapë të re pa të. Partia Demokratike që është një aset kombëtar, duhet të gjente një alternativë tjetër. Çdo politikan ka fillimin, rritjen dhe rënien e tij. Kështu ndodhi edhe me Nanon”, – tha Hoxha.
Diskutime rreth kësaj post