Liga e Kampioneve dhuroi mbrëmë jo pak emocione, sidomos në “Allianze Arena” të Mynihut, ku Bajerni u mposht në shtëpi 2-3 nga Paris San Zhermen.
Një gol i shpejtë i Kilian Mbape, që në minutën e 3-të, goditi rëndë në aspektin psikologjik skuadrën e Bajernit të Mynihut, e cila e niste këtë duel si favorit. Goli i shpejtë i francezëve nuk u dha mundësinë gjermanëve të organizoheshin si duhet dhe të zbatonin detyrat e tyre në fushën e lojës. Në fakt, ndeshjen më mirë e nisi Bajerni që goditi shtyllën në minutën e 2-të të takimit, por në aksionin pasardhës realizoi PSG.
Ishte Nejmar që mori përsipër të galoponte për 30-40 m e në kufijtë e zonës jep një start perfekt për Mbape dhe francezi përshëndet rrjetën. Për minuta të tëra Bajerni përpiqet të çajë mbrojtjen franceze, por finalizimi mungoi. Kurse në minutën e 28-të, ishte sërish Nejmar që me një pasim të gjatë në gjysmëlartësi nxjerr zbuluar Markinjos, i cili nuk e ka të vështirë të gjejë kohën e duhur dhe vendin e duhur për të dhënë goditjen “vrastare” për bavarezët. 2-0 për Paris San Zhermen dhe dukej se ndeshja për gjermanët kishte mbaruar.
Por nuk rezultoi kështu, pasi bavarezët e gjetën guximin dhe forcën për të manovruar në fazën ofensive dhe pas shumë përpjekjesh, me anë të një asisti të dhënë nga Pavard, Çupo-Moting ia doli të shënojë me kokë golin në minutën e 37-të, duke rihapur ndeshjen. Ky ishte një gol i rëndësishëm për Bajernin në këtë takim. Në pjesën e dytë pati një nisje më të qetë, por loja mori “zjarr” pas minutës së 55-të. Bajerni, pas përpjekjeve të shumta barazoi rezultatin 2-2, falë golit të shënuar nga veterani Tomas Muller.
Por rezultati do të ndryshonte sërish dhe protagonist u bë sërish talenti francez Kilian Mbape, i cili, pas pasimit ideal që mori nga Di Maria, u fut në zonë dhe shënoi golin e tretë për parizienët në minutën e 68-të. Ky gol tregoi se Bajerni shfaqi probleme në prapavijë, sidomos me mbulimin e Nejmar dhe të Mbape, dyshja më e frikshme e këtij sezoni në Champions. Si përfundim, Paris San Zhermen fitoi me rezultatin 3-2 dhe bën një hap përpara drejt kualifikimit.
Këtë e ndihmon fakti se dueli i kthimit do të luhet në Paris. Për Bajernin në këtë fazë kishte një dobësi që lidhej me mungesën e polakut Robert Levandovski, që siç dihet u dëmtua në ndeshjet e përfaqësueses së tij në eliminatoret e Botërorit. Ndërkohë, ndeshja tjetër e luajtur dje në mbrëmje ishte ajo mes Portos dhe Çelsit, dy skuadra që kanë befasuar në këtë edicion të UEFA Champions League për eliminimet e bujshme dhe natyrisht për cilësinë taktike që kanë shfaqur në fushën e lojës.
Zhorzhinjo dha asistin dhe Maunt shënoi në minutën e 32-të për anglezët, duke i dhënë Çelsit një avantazh shumë të vlefshëm për këtë fazë të Champions. Në pjesën e dytë portugezët e rritën ndjeshëm volumin e lojës dhe u përpoqën të depërtonin tek porta kundërshtare, por mbrojtja angleze qëndroi e pathyeshme. Në minutën e 85-të, Çelsi i vuri “kapak” fitores, pasi shënoi golin e dytë me Çiluell. Kjo fitore i bën anglezët të hedhin një këmbë drejt gjysmëfinaleve.
Diskutime rreth kësaj post