Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, njëherësh drejtuesi politik i kësaj partie në Qarkun e Elbasanit, Taulant Balla ka vijuar edhe ditën e djeshme takimet elektorale në kuadër të zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit, ndërsa zhvilloi një takim me të rinjtë e rajonit nr.2 në Elbasan. Në hyrje të fjalës së tij, Balla theksoi se pas zgjedhjeve të rinjtë e Elbasanit do t’i japin Partisë Socialiste dhe Edi Ramës të paktën 9 mandate.
“Ne ende nuk kemi arritur të bëjmë atë që ne duam të realizojmë për Elbasanin. Ndaj na duhet një mandat i tretë, një akt i ri për ti dhënë Elbasanit vendin që i takon”, deklaroi ai.
Po ashtu, zoti Balla u kërkoi të rinjve që të investojnë votën e tyre tek PS, e cila sipas tij, nuk i ka bërë keq interesave të Shqipërisë. Madje, zoti Balla duke i falënderuar të rinjtë, theksoi se vota e tyre nevojitet për të siguruar një mandat që do t’u sigurojë punësim të rinjve.
“Është PS që përgjatë gjithë 30 viteve tranzicion ka punuar për të transformuar vendin. Fati i keq i PS ka qenë se është dashur gjithmonë ta marrë qeverisjen e vendit pasi e ka shkatërruar Partia Demokratike”, u shpreh ai.
Nga ana tjetër, Balla theksoi se aleati i PS janë qytetarët e thjeshtë dhe të zakonshëm, teksa shtoi se Elbasani nuk mund t’ia besojë votën “fosileve politike”, siç i quajti ai opozitën dhe aleatët e saj.
“A mendon ndonjëri prej jush se Monika Kryemadhi apo Gazment Bardhi mund të përfaqësojë Elbasanin më mirë sesa ne? A mendon ndonjëri prej jush se ata mund të lobojnë për Elbasanin më shumë sesa ne? Vitet që do të vijnë do të jenë vite shumë më të mira për Shqipërinë, shumë më të mira për Elbasanin. Partia Socialiste e Shqipërisë është partia e njerëzve të thjeshtë dhe të zakonshëm të këtij vendi dhe aleati ynë i vetëm jeni ju, njerëzit e thjeshtë dhe të zakonshëm të këtij vendi.
Aleatët e Lulit janë Nard Ndoka, Dash Shehi, Shpëtim Idrizi, Gon Duka…O Zot! Si mund t’ia besojë Elbasani votën këtyre fosileve që kanë 30 vjet që vetëm qarkullohen. Elbasani kësaj radhe duhet ta ndajë dhe prandaj ne kemi një superekip, kemi një superprogram, por ajo që e dallon Partinë Socialiste është një superlidership nga Edi Rama dhe Elbasani di ta vlerësojë shumë mirë, njeriun që i duhet në këto kohë transformimi. Prandaj unë dua që në 25 prill lërini mënjanë të gjitha arsyet, të gjitha kënaqësitë, këto nuk janë zgjedhjet e radhës, këto janë zgjedhjet më të rëndësishme të Shqipërisë në 30 vite, sepse këtu bëhet fjalë për të çuar përpara reforma që në rast se ndërpriten, jo vetëm që pengohen, por ato anulohen. Ne jemi këtu për t’i çuar të gjitha betejat në fund”, nënvizoi Balla.
Diskutime rreth kësaj post