Fati i ish-Kryeprokurorit Adriatik Llalla do të përcaktohet nga Gjykata e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. Edhe pse pati një betejë të fortë prej tij që gjyqi të mos mbahej në këtë gjykatë, duket se tentativat kanë dështuar. Llalla iu drejtua Gjykatës së Lartë me një ankimim kundër Gjykatës së Apelit, duke kërkuar që procesi ndaj tij të vijojë në Gjykatën e Lartë.
Kjo e fundit e ka refuzuar duke vendosur që procesi të mbahet në Gjykatën e Posaçme. GJKKO dhe SPAK u krijuan për të ndëshkuar zyrtarët e korruptuar dhe kjo si duket e ka shqetësuar ish-kryeprokurorin, i cili nuk ka dashur të gjykohet aty. Por Gjykata e Lartë ka konkluduar se është GJKKO që ka kompetencë çështjen e tij. Fillimisht ndaj tij nisi një hetim nga Prokuroria e Durrësit (më pas dosja kaloi te Krimet e Rënda) për 4 vepra penale: pastrim parash, fshehje pasurie, shpërdorim detyre dhe mosdeklarim të parave në kufi.
Por SPAK gjeti elemente të veprës penale vetëm për fshehje pasurie, ndërsa 3 akuzat tjera ranë. Llalla akuzohet për veprën penale të parashikuar nga neni 257/a, i cili parashikon: “Fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet”.
Më 20 korrik 2018 prokurori vendosi në sekuestro preventive pasurinë e ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla. Prokuroria në atë kohë bëri me dije se u bë sekuestrimi i një apartamenti banimi, me sipërfaqe 67.2 m², ndodhur në Durrës. Po ashtu në sekuestro janë vënë: tokë arë, me sipërfaqe 4.500 m², ndodhur në Tiranë; tokë arë, me sipërfaqe 12.300 m², ndodhur në Tiranë; tokë arë, me sipërfaqe 3000 m², ndodhur në Tiranë; tokë arë, me sipërfaqe 2250 m², ndodhur në Tiranë.
Prokuroria ka dyshime se përmes këtyre pronave ka pasur pastrim parash. Kur dosja vajti në gjykatë pronat u hoqën nga sekuestro, më pas Apeli i riktheu po në sekuestro. Në bazë të deklarimeve të pasurisë që ka bërë Llalla pranë ILDKP, ai çdo vit ka bërë rivlerësim të tokave. Rivlerësimi i pronave
Ajo që bie në sy është se Llalla ka blerë toka shumë lirë fillimisht dhe më pas ka deklaruar se i ka shitur shumë shtrenjtë. Për shembull, në vitin 2007 Llalla ka deklaruar një ullishte në Bathore, blerë 1.5 milionë lekë. Në vitin 2011 ai e rivlerëson pronën në vlerë 21 milionë lekë të reja. Ndërsa po e njëjta pronë në vitin 2016 është shitur 249 mijë euro. Po ashtu ndryshime në vlerë ka pasur dhe për apartamentin në Durrës, tani i sekuestruar.
Ai është blerë në mars të vitit 2012 në vlerën 2.2 milionë lekë të reja, ndërsa në prill po 2012, ai e ka rivlerësuar në rreth 5 milionë lekë të reja. E njëjta gjë ka ndodhur me një tokë në Qeha Shytaj në Tiranë. Ai e ka blerë në dhjetor të vitit 2016 në vlerën 4.5 milionë lekë të reja. Por në maj të 2017 është rivlerësuar në 36 milionë lekë të reja, ose 360 milionë lekë të vjetra. ILDKP ka zbuluar se e njëjta gjë ka ndodhur dhe me prona të tjera, kryesisht toka, të cilave u është ndryshuar vlera në periudha shumë të shkurtra kohore. Këto lëvizje të tij kanë bërë që të ketë dyshime për pastrim parash dhe pronat janë vënë në sekuestro.
Diskutime rreth kësaj post