Ambasadorja e SHBA në vendin tonë, Yuri Kim shprehet se Shqipëria arriti një çast historik me betimin e anëtarit të gjashtë të Gjykatës Kushtuese, ndërsa theksoi se kjo arritje i jep funksion gjykatës për të shqyrtuar dhe vendosur mbi çështje.
“Së pari dua të uroj popullin shqiptar që ka arritur një gur kilometrik. Dua të theksoj se ky ka qenë një vit i vështirë për këdo. Ka qenë gjithashtu një vit i vështirë për reformën në drejtësi. E nisëm vitin me katër nga nëntë gjyqtarët që nevojiten për Gjykatën Kushtetuese. Duhen gjashtë gjyqtarë për të pasur funksionueshmëri dhe këtë e arritëm gjatë javëve të fundit, veçanërisht këtë mëngjes me betimin e Përparim Kalos,” tha ambasadorja Kim për Euronews Albania.
“Kjo nuk do të thotë se puna ka mbaruar, por që kemi bërë një hap gjigand dhe të rëndësishëm drejt arritjes përfundimtare. Tanimë ajo që do të ndodhë është se Gjykata do të mund të marrë në shqyrtim çështje, të vendosë për to nëse janë dakord pesë anëtarë, por kur të vijë viti i ri, ose mbase edhe para se të mbarojë ky i vjetri, do të vazhdojmë të nxisim që të gjitha nëntë vendet të mund të mbushen,” shtoi Kim.
Diplomatja amerikane theksoi se reforma në drejtësi nuk do të jetë e lehtë, e shpejtë apo e përsosur, por po bëhet progres real.
Pyetur lidhur me interpretimin e disa avokatëve dhe analistëve se gjashtë anëtarë nuk përkthehen në funksionim të Kushtetueses, ambasadorja e SHBA iu përgjigj se betimi i anëtarit të gjashtë përmbush kuorumin.
“Duhen gjashtë për të pasur kuorum, pra është funksionale. A është e përsosur tani? Jo, na duhen edhe tre më shumë, kështu që siç thashë. Do të vazhdojmë të punojmë me këtë. Por, do t’u kërkoja njerëzve të qëndronin të fokusuar dhe të vendosur, të punojnë fort dhe të vazhdojnë të kenë shpresë. Mos u shpërqendroni nga propaganda dhe teoritë e çmendura konspirative. Fokusohuni tek faktet…” deklaroi në Euronews Albania, ambasadorja Kim.
Diskutime rreth kësaj post