Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Yuri Kim, dhe ministrja e drejtësisë së Shqipërisë, Etilda Gjonaj, nënshkruan sot një traktat të ri ekstradimi mes dy vendeve, si pjesë e bashkëpunimit kundër kriminalitetit.
Traktati i Ekstradimit është një mjet bashkëkohor që të dy shtetet të përballen me sfidat dinamike të krimit ndërkombëtar.
Ky traktat nuk i kufizon më veprat e ekstradueshme në një listë të thjeshtë, por ka një fushëveprimi shumë më të zgjeruar në luftën kundër krimit.
Ambasadorja e SHBA, Yuri Kim, tha se ai një dëshmia më e fundit e partneritetit gjithnjë në rritje mes dy vendeve.
“Ky traktat siguron një tjetër armë të fuqishme për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë së kriminelëve të cilët përpiqen të fshihen pas kufijve. Nuk do të ketë asnjë strehë të sigurt, këtu apo në Shtetet e Bashkuara, për të arratisurit që përpiqen t’i shpëtojnë drejtësisë. Personat e kërkuar për ndjekje penale ose për kryerjen e një dënimi, për një krim të ekstradueshëm do të dorëzohen sipas kushteve të këtij traktati”, – tha ambasadorja amerikane, Yuri Kim, në ceremoninë e nënshkrimit të Traktatit.
Ambasadorja Kim shtoi se sa më efikase të jetë Shqipëria në ndjekjen penale të krimit ndërkombëtar, aq më e gatshme do të jetë për të qenë një anëtare e plotë e familjes Euro-Atlantike, ndaj Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të qëndrojnë krah Shqipërisë dhe të mbështesin përpjekjen e saj për të çuar përpara reformën në drejtësi, si dhe po mbështesin fuqishëm Prokurorinë e Posacme dhe Byronë Kombëtare të Hetimit.
“Ndihma që SPAK të funksionojë plotësisht (si PP ashtu edhe BKH) është një prioritet për Ambasadën e SHBA. Ky është një proces në rrugë e sipër dhe një parakusht për arritjen e rezultateve të dukshme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Suksesi i SPAK-ut nuk është vetëm çka Shtetet e Bashkuara presin – është ajo që qytetarët shqiptarë duan, kanë nevojë dhe meritojnë”, – tha ambasadorja amerikane, Yuri Kim.
Autoritetet shqiptare e vlerësuan Traktatin e ri të Ekstradimit si një hap të ri në bashkëpunimin gjyqësor midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë, si dhe në luftën kundër krimit, me instrumenta të reja kundër formave të reja të kriminalitetit.
Me marrëveshjen e re zgjerohet dhe përditësohet kategoria e veprave penale për të cilat mund të kërkohet ekstradimi nga palët, duke nisur ato me karakter financiar, tatimor dhe doganor, korrupsioni, krimet mjedisore dhe informatike, me përjashtim të veprave penale me karakter politik.
Ministrja e drejtësisë Etilda Gjonaj tha se marrëveshja është një sinjal i qartë ndaj të gjithë shkelësve të ligjit, se askush nuk do të gjejë asnjë strehë për t’iu shmangur zbatimit të ligjit penal në SHBA apo në Shqipëri.
Ajo tha se reforma në drejtësi dhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar janë kryefjala e punës së Ministrisë së Drejtësisë dhe qeverisë.
“Jemi të ndërgjegjshëm se ka ende shume punë në horizont për ne dhe të gjitha institucionet e drejtësisë në vend për të ravijëzuar, në mënyrë definitive, konturet e drejtësisë së re të shumëpritur. Por, pengesat e hasura deri këtu nuk mund dhe nuk duhet, në asnjë të mënyrë, të zbehin rezultatet e rëndësishme të arritura në këto 3 vite nga miratimi i reformës në drejtësi: sot kemi institucione drejtësie të pavarura dhe të pakapshme nga pushtete të tjera, transparencë dhe llogaridhënie përpara qytetarëve dhe publikut të gjerë” – tha ministrja Gjonaj.
Traktati i ri zëvendëson atë midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Mbretërisë së Shqipërisë, të nënshkruar 87 vjet më parë, më 1 mars 1933.
Marrëveshja e parë e ekstradimit e Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës e nënshkruar më 1933, hyri në fuqi në vitin 1935, pas ratifikimit dhe nënshkrimit të Protokollit të Shkëmbimit nga Faik Konica, Ministër Fuqiplotë i Shqipërisë në SHBA dhe Cordell Hull, Sekretari i Shtetit të Shteteve të Bashkuara./VOA
Diskutime rreth kësaj post