Prokuroria dhe policia pritet të dalin jashtë loje në zgjedhjet e 25 prillit, pasi do të jetë Presidenca ajo e cila do të angazhojë njerëzit e saj për të mos lejuar asnjë tjetërsim vote.
Mund të duket e çuditshme, por kështu do të ndodhë. Si kurrë më parë, në zgjedhjet e 25 prillit protagonist do të jetë presidenti, i cili ka marrë flamurin e mbrojtësit të zgjedhjeve. Dy ditë më parë në një studio televizive Meta deklaroi se do jetë krah opozitës, ndërsa gazeta ka mësuar detaje të tjera se çfarë po ndodh në Presidencë. Sipas burimeve, Meta dhe njerëz pranë tij kanë në plan që të ngrenë shtabe monitorimi gjatë zgjedhjeve, ku do të monitorohet administrata, do monitorohet policia, po ashtu Presidenca pritet të ketë njerëz dhe datën e zgjedhjeve në terren për të monitoruar votimin dhe procesin e numërimit të votave.
Madje një burim tha se Meta ka angazhuar njerëz pranë tij dhe për të mësuar nëse elementë të botës së krimit janë duke bashkëpunuar me mazhorancën për të manipuluar zgjedhjet. Këto shtabe pritet të përbëhen nga militantë të LSI, të kamufluar pas stemës së Presidencës. Kur të afrohen zgjedhjet Meta pritet të ketë një betejë të fortë me institucionet, pasi do të ketë qindra shkresa ku do kërkohet informacion mbi punësimet, etj. Nga ana tjetër konferencat e shtypit do jenë të shumta, pasi nga oborri i Presidencës, Meta do të denoncojë çdo rast kur merr informacione se ka pasur tentativa për manipulim zgjedhjesh. Pra me pak fjalë, Prokuroria e Përgjithshme tani do të jetë e zhvendosur në Presidencë.
Paralajmërimet e Metës
Deklaratat e së hënës nuk ishin të vetmet, pasi Meta që më herët ka dhënë sinjale se do krijojë shtabe për monitorimin e zgjedhjeve. Por të hënën ai e bëri të qartë se do i monitorojë të gjithë, madje dhe bandat kriminale.
“Unë po ndërtoj strategjinë time si President për mbrojtjen e zgjedhjeve të 25 prillit. Kjo është një detyrë e imja dhe e çdo qytetari shqiptar. Veprimet do të jenë transparente. Të jeni të sigurt se do të ndizen të gjithë prozhektorët. Nga jashtë në Shqipëri dhe në çdo qendër votimi dhe absolutisht do monitorohet dhe identifikohet çdo person i administratës, i institucioneve të sigurisë. Edhe çdo bandit do të monitorohet”, tha ai dy ditë më parë.
Po ashtu në një dalje pak kohë më parë Meta deklaroi se do të ngrejë njësi task forcë për të monitoruar zgjedhjet. Si duket presidenti nuk ka bërë shaka pasi tashmë gjithçka është gati dhe të gjithë militantët e LSI do marrin në monitorim administratën.
“Duke qenë se për pak muaj ne do të shkojmë drejt zgjedhjeve, është e rëndësishme që presidenti të marrë të gjitha masat kushtetuese dhe ligjore dhe të bëjë gjithçka në mënyrë transparente për të parandaluar keqpërdorimin e institucioneve të shtetit, në mënyrë të veçantë atyre të pavarura, në mënyrë të veçantë atyre që i përkasin sigurisë kombëtare, në favor të kujtdo. Do të keni shumë akte në këtë drejtim që do të jenë tepër transparente dhe do të ketë disa task forca që do të kontribuojnë në mbarëvajtjen e zgjedhjeve të ardhshme”, tha Meta.
Rivaliteti me opozitën
Deri më sot jemi mësuar që të jetë opozita ajo e cila denoncon raste të dyshimta për manipulim zgjedhjesh. Por duket se tashmë do kemi rivalitet, nga njëra anë do jetë opozita dhe nga ana tjetër do të jetë Presidenca, ku Meta pritet të shfrytëzojë dhe aksesin në informacionet sekrete për të sulmuar qeverinë.
Diskutime rreth kësaj post