Ish-ministri i Financave, Arben Malaj ka reaguar ditën e djeshme sa i takon shtyrjes së çeljes së negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian, ndërsa ka shpërthyer në akuza të forta në adresë të qeverisë “Rama”.
Kështu përmes një statusi në rrjetet sociale e teksa komenton deklaratën e kancelares gjermane Merkel, e cila tha se Shqipëria nuk është gati për negociatat, profesor Malaj u shpreh se qeveria socialiste është e vetmja që është kundër integrimit të vendit. Madje, ish-ministri Malaj theksoi se ky është dështim i rilindjes, ndërsa u shpreh se qeveria i ka braktisur shqiptarët.
“Rilindasit e babëzitur janë të vetmit të majtë në historinë e Europës ish- komuniste që janë kundër integrimit europian. Nuk është e mbyllur dera e BE-së për Shqipërinë por arrogantët dhe të babëziturit e kanë mbyllur derën e Shqipërisë që të mos i bashkohet BE-së. Ky është dështimi më i turpshëm i Rilindasve. Ky është dështimi që vret shpresat. Ky është modeli i arrogantëve në qeverisje të cilët i kanë braktisur shqiptarët dhe shqiptarët të tmerruar nga babëzia e tyre po braktisin Shqipërinë. Në qoftë se negociatat nuk çelen në 2020 ato nuk mund të çelen më shpejtë se qershori 2021 sepse BE nuk bënë “dhurata partiake” në prag të zgjedhjeve parlamentare për asnjë parti politike”, – deklaroi ai.
Nga ana tjetër edhe ambasadori Agim Nesho komentoi dje deklaratën e kancelares gjermane Merkel, e cila tha se Shqipëria nuk është gati për negociatat.
“Ka një ndryshim shumë të madh gjatë këtyre 30 viteve të tranzicionit. Për herë të parë po shohim që qeveria është hapur kundër futjes së Shqipërisë në BE. Të gjithë qeveritë e tjera mund të krijonin hendeqe dhe nuk konkretizonin hapat për hyrjen në BE, kurse qeveria Rama ka kohë që nuk e do këtë gjë. Arsyeja kryesore është në funksion të pushtetit personal dhe të asaj që Rilindja kërkon të bëjë në Shqipëri. Kemi parë kushtet që janë vendosur nga Bundestagu gjerman dhe asgjë nuk është bërë. Kjo qeveri jo vetëm që nuk është e aftë dhe në pamundësi për të përmbushur detyrat dhe standardet, por nuk e ka as vullnetin politik. Kjo ka qenë një nga zgjedhjet e qeverisë për të konsoliduar pushtetin në mënyrë të vazhdueshme”, – deklaroi ai.
Diskutime rreth kësaj post