Kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis ka reaguar për herë të parë në lidhje me vendimin që palët, Greqia dhe Shqipëria t’i drejtohen Gjykatës së Hagës për çështjen e kufirit detar, duke e përshëndetur këtë iniciativë të dy vendeve.
Kanë qenë mediat greke, të cilat shkruanin ditën e djeshme se komentet kryeministri grek i ka bërë pas një takimi me presidentin qipriot, Nikos Anastasiades dhe atë egjiptian Fatah al Sisi në Nikozia. I pyetur pikërisht për këtë çështje, zoti Mitsotakis theksoi se kjo ishte mënyra se si shtetet serioze dhe të përgjegjshme zgjidhin mosmarrëveshjet e tyre.
“Kemi rënë dakord që meqenëse nuk mund të zgjidhim mosmarrëveshjet tona rreth caktimit të kufijve të Zonave Detare jemi të gatshëm t’i drejtohemi Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Kjo është mënyra se si shtetet serioze dhe të përgjegjshme zgjidhin mosmarrëveshjet e tyre”, – deklaroi kryeministri i Greqisë, Kyriakos Mitsotakis.
Pak ditë më parë Shqipëria dhe Greqia morën vendimin për ta çuar në Gjykatën e Hagës çështjen e kufirit detar mes dy vendeve, pas takimit të ministrit të Jashtëm grek, Nikos Dendias, me kryeministrin Edi Rama në Tiranë. Ishte vetë shefi i qeverisë shqiptare që zbuloi këtë lajm gjatë konferencës së përbashkët për shtyp.
“Çështjen e detit e ka hapur Shqipëria dhe jo Greqia. Atë e hapa unë me PS kur ishim në opozitë dhe aleatë, në Gjykatën Kushtetuese ka shkuar PS, 9-0 gjykata e rrëzoi me kërkesë si paditës të PS dhe çështja është rihapur falë këmbënguljes, durimit dhe vullnetit tonë në komunikimin me palën tjetër. Qartësisht Greqia ka zgjedhur që të vërë në dispozicion të zgjidhjes së të gjitha çështjeve të gjithë vullnetin e saj të mirë”, – deklaroi Rama.
Ndërsa zoti Dendias konfirmoi mbajtjen e mbledhjes së përbashkët mes dy qeverive dhe dërgimin e marrëveshjes së detit në Gjykatën Ndërkombëtare.
“Zgjidhja e kësaj divergjence do të jetë e dobishme për të dy vendet, e madje kam dëgjuar me interes të lartë dakordësinë e zotit Rama se zgjidhja e kësaj çështjeje do të ketë si bazë marrëveshjen e OKB-së, të nënshkruar nga të dy vendet. Kemi rënë dakord që Shqipëria dhe Greqia ta kalojë këtë çështje në Gjykatën Ndërkombëtare. Të zgjidhim në klimë të respektit reciprok të gjitha çështjet që kanë mbetur pezull. Një urë mes dy vendeve tona është minoriteti grek që jeton në Shqipëri dhe miliona shqiptarë që jetojnë në Greqi”, – deklaroi Dendias.
Diskutime rreth kësaj post