Për avokatin Jordan Daci është e pamundur plotësimi i Gjykatës Kushtetuese brenda këtij viti, sipas apelit që dha ambasadorja Yuri Kim ndaj presidentit Meta dhe kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi disa ditë më parë.
“Unë them se nuk do të jetë e mundur derisa të përfundojë problemi i zgjedhjeve të ardhshme të 25 prillit. Problem që e pengon Gjykatën e Kushtetuese, mendoj se është peng edhe e Gjykatës së Lartë sepse Kushtetuese funksionale ne do të kemi vetëm kur të ngrihet Gjykata e Lartë. Problemi i tretë është mungesa e kapaciteteve kualifikuese për të qenë kandidatë për këtë gjykatë”, tha Daci.
Më tej, avokati evidentoi edhe dy problemet, sipas tij, të reformës. “Mungesa e mekanizimit që mundëson zëvendësimin në kohë të shpejtë të gjyqtarëve dhe prokurorëve të shkarkuar, i cili vijon të jetë problem dhe e dyta, nuk pati një analizë të kapaciteteve në dispozicion që kishte vendi ynë. Zgjidhja që do të funksiononte është zhbllokimi i Gjykatës së Lartë sepse anëtarët që vijnë kanë kaluar vetingun”.
Jordan Daci theksoi se Këshilli i Lartë Gjyqësor është shkaktari kryesor për këtë situatë.
“KLGJ dhe KLD duhet t’i lënë të gjitha punët dhe të merren me këtë gjë. Problematikën më të madhe e shoh te Këshilli i Lartë Gjyqësor, i cili praktikisht zgjidh situatën. Duke vënë në efikasitet KLGJ-në, ne zgjidhim Gjykatën e Lartë dhe çështjen e Kushtetueses. KLGJ është shkatërruesja numër 1 e kësaj situatës dhe ka bërë atë që s’e ka bërë askush, ka përmbysur parime”, u shpreh Daci.







Diskutime rreth kësaj post