Kreu demokrat Lulzim Basha në fund të shtatorit do të ketë gati listën e kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e ardhshme. Pavarësisht lëvizjeve të PS për të shkuar te listat e hapura, demokratët janë të vendosur për të shkuar në zgjedhje.
Ditët e fundit shumë degë të PS kanë mbyllur procesin e përzgjedhjes së kandidatëve dhe disa kanë shkuar dhe në selinë qendrore të PD. Por gazeta ka mësuar se lideri demokrat nuk do të lëvizë nga plani, edhe pse listat e kandidatëve janë thuajse drejt fundit. Ashtu sikundër thuhet në udhëzim, procesi i përzgjedhjes së emrave do të bëhet në muajin shtator.
Në fillim të tij do të nisë filtrimi i të gjithë kandidatëve dhe në fund të muajit do të jenë gati listat me kandidatë për secilin qark. PD vendosi që të ndjekë një risi këtë vit, pasi i dha të drejtën bazës të propozojë kë të dojë për deputet dhe në fund do jenë strukturat drejtuese që do të përzgjedhin emrat finalë. Sipas udhëzimit, kandidatët e listës së partisë përzgjidhen nga kandidaturat e konfirmuara nga anëtarësia në fazën e dytë, sipas këtij raporti: kandidaturat e konfirmuara nga anëtarësia do të përbëjnë jo më pak se 80% të listës së kandidatëve të partisë në zgjedhje, ndërkohë që jo më shumë se 20% e listës së kandidatëve do të përzgjidhen nga Kryesia e PDSH-së, si prurje të reja nga bota akademike apo shoqëria civile; përfaqësues të të përndjekurve politikë apo pronarëve; përfaqësues të diasporës; përfaqësues të sipërmarrjes; personalitete politike me kontribut të gjatë në parti; etj.
Gjatë kësaj faze do të mbahet në konsideratë:(1) përfaqësimi i grave të jetë jo më pak se 30% e numrit të përgjithshëm të kandidatëve.(2) përfaqësimi i të rinjve të jetë jo më pak se 10% e numrit të përgjithshëm të kandidatëve.(3) përfaqësimi i shtresës së të përndjekurve politikë apo pronarëve. Sipas informacioneve, shumë degë kanë nisur procesin e fazës së dytë, pra atë të filtrimit dhe më pas emrat finalë do vijnë në selinë e PD. Nga gushti në shtator do të bëhet një proces konsultimi dhe më pas do jetë lista finale. Ndryshe nga planet e PD, duket se puna po ecën më shpejt. Por gjatë gushtit e shtatorit nuk do ketë fushatë, por në tetor Basha pritet të zbresë në terren të gjithë të përzgjedhurit me qëllim që të gjithë të shkojnë në zonat e tyre dhe të bindin elektoratin.
Emrat e përzgjedhur
Nga dita në ditë degët e PD po mbyllin emrat propozimeve me kandidatë për deputetë. Ditën e djeshme është bërë e ditur se një degë në Tiranë dhe një në Lezhë kanë propozuar për deputet, gjyqtarin Gjin Gjoni. Ky i fundit dy ditë më parë dha dorëheqjen nga mandati i gjyqtarit, por dje emri i tij ka figuruar në listat e propozimeve.
Megjithatë PD e bëri të qartë se ai nuk do mund të zgjidhet, pasi në udhëzim është e përcaktuar se të shkarkuarit apo dorëhequrit nga vetingu nuk mund të jenë kandidatë për deputetë. Ndërkohë dje janë bërë të ditur dhe disa emra të tjerë publikë. Në Durrës është propozuar Oerd Bylykbashi, më pas vjen Albana Vokshi, Florion Mima, kreu i FRPD-së, Belind Këlliçi, Pëllumb Berisha dhe Gazmend Luku.
Gjithashtu baza ka propozuar edhe dy nënkryetarët e Partisë Demokratike, Edmond Spaho dhe Edi Paloka, po ashtu edhe kryetarin e degës së PD-së Durrës, Ferdinand Xhaferri, por nuk janë pranuar, pasi kupola drejtuese futet automatikisht në listë. Ndërsa dega e PD-së në Vlorë ka propozuar; Bujar Leskajn, Nadire Mecorapajn, Dashamir Tahirin, Agron Shehajn, Edmond Fetahun, Hysni Sharrën, Alta Hazizin, Nada Daullja, Lorenc Danajn dhe Fatbardh Kadillin. Një emër i njohur po ashtu i bërë publik dje është dhe futbollisti i Tiranës, Gentian Muça.
Diskutime rreth kësaj post