Dekretimi i ndryshimeve në kodin penal nga Presidenti erdhi jo vetëm e papritur por u prit edhe me kritika.U aludua për një marrëveshje të mundshme Meta-Rama dhe në këtë drejtim opozita duket jo pak e shqetësuar.
Por Meta thotë se si kryetar shteti nuk mund të udhëhiqet nga kalkulime të karakterit politik apo elektoral siç është rasti i forcave politike.
“Nuk jam këtu për të qetësuar askënd që jeton me paragjykime apo pasigurira apo që rend pas alibive. Jam një politikan që pavarësisht nga pozita të ndryshme gjithmonë kam marrë një përgjegjësi publike. Në rastin aktual jam President i Republikës, nuk mund të nisem nga kalkulime të karakterit politik apo elektoral, këto janë çështjet e forcave të ndryshme apo aktorëve të ndryshëm politikë.
Unë udhëhiqem nga interesi i përgjithshëm i popullit shqiptar në situatën aktuale dhe bëj më të mirën në këtë drejtim. Nuk shqetësohem asnjëherë nga kritikat e stisura apo diversionet e nxituara, nuk ndikojnë asnjëherë këto në aktet e mia. Aktet e mia janë trasnparente dhe ata që kanë dëshirë të kritikojnë në këtë kontekst që ju adresuat ata duhet të shohin letrën publike të Presidentit drejtuar Kuvendit tre orë para se të miratoheshin këto ndryshime.
Mund tu jap në dispozicion edhe debatet në Këshillin e Sigurisë për ndryshimet në kodin penal por kjo nuk më duket e arsyeshme, mund të shohin dhe konferencën e shtypit të Presidentit ku bën të qartë arsyen se pse u firmosën. Ai boshllëk duhej plotësuar për të ndëshkuar ata persona të cilët me dashje dhe me qëllim bëjnë një veprimtari që dëmton shëndetin e qytetarëve të tjerë apo rrezikon jetën e tyre apo të gjithë ata që me papërgjegjshmërinë e tyre e cila është gjithmonë e verifikueshme dhe e certifikuar dëmtojnë shëndetin dhe jetën e qytetarëve të tjerë.
Nuk bëhet fjalë për të ndëshkuar çdo qytetar. Në një ambient ku ngatërrohet termi kufizime me karantinë, ku nuk ka rëndësi me dashje apo pa dashje, ku nuk ka rëndësi i diagnostikuar apo i pa diagnostikuar, kuptohet që unë nuk mund bëhem pjesë e këtyre debateve sipërfaqësore, spekulative, apo thjesht tymnuese.” – tha Meta në një intervistë për Rtv Ora.
Diskutime rreth kësaj post