Kërkesa e Komisionit të Disiplinës në UEFA për të pezulluar për 10 vite nga kompeticionet europiane ekipin e Skendërbeut ka bërë bujë në mediat shqiptare. Por, jo vetëm, pasi një lajm i tillë është komentuar edhe nga mediat e huaja, që kanë folur rreth një dënimi ekstrem për ekipin e Skendërbeut.
Por, në raportin e paraqitur nga UEFA në lidhje me hetimin që mund të dënojë Skënderbeun ka edhe fakte të tjera që mund të fundosin të gjithë, duke filluar me klubet shqiptare, Federatën Shqiptare të Futbollit dhe vetë shtetin shqiptar.
“Para 4 vitesh UEFA nisi një bashkëpunim me policinë dhe hetuesit e nivelit më të lartë në Shqipëri, për t’u dhënë mbështetje dhe informacion në lidhje me sjelljen e paligjshme të Skënderbeut dhe drejtuesve të këtij klubi. Duhet theksuar se UEFA ka kompetencat që të ndërhyjë në nivel shtëpiak, në rast se federatave vendase nuk merr masa në lidhje me shkelje serioze të statutit të UEFA-s. Për fat të keq, rasti i Skënderbeut ishte i tillë. U zhvilluan takime me Prokurorinë e Përgjithshëm të Shqipërisë, ashtu si me Ministrin e Arsimit dhe Sporteve në periudhën 2013-2014, duke u kërkuar mbështetje në hetimin ndaj Skënderbeut. Nuk gjetëm bashkëpunim dhe në këtë kontekst, mund të japim një shembull që është mëse i mjaftueshëm për të ilustruar mungesën totale të bashkëpunimit nga ana e autoriteteve shqiptare. Falë bashkëpunimit të shkëlqyer mes UEFA-s e Policisë Austriake, UEFA u informua në lidhje me vështirësitë e hasura nga policia austriake gjatë hetimit mbi manipulimin e mundshëm të një takimi miqësor të KS Teutës në Austri, ku u zbulua se hetimi në Shqipëri nuk kishte vlerë dhe nuk do të arrinte asnjë qëllim, sepse të dyshuarit ishin informuar në lidhje me hetimin nga policia shqiptare.” – shkruhet në raportin e UEFA-s.
Diskutime rreth kësaj post