Një status në orët e vona të mbrëmjes së djeshme të kryeministrit Rama ka marrë vëmendjen kryesore të gazetave ditën e sotme. Rama ftonte sërish Lulzim Bashën për një pakt të ri për Europën, por ende kryedemokrati nuk ka dhënë një përgjigje.
Ndërkohë gazetat kryesore sot po flasin për një “18 maj” të dytë. Mapo e hap gazetën me kryetitullin “Nis me prokurorin, Rama fton opozitën për një pakt të ri”, ndërsa Panorama shkruan “Rama fton opozitën: Të zgjedhim Prokurorin e të bëjmë Pakt për Europën”. Shqiptarja hapet me titullin “Rama ftesë Bashës: Ta zgjedhim bashkë kryeprokurorin”, Standard me “Rama kërkesë opozitës për t’u ulur në tryezë: Zgjidhje të përbashkët për Kryeprokurorin”, ndërsa Shekulli shfaqet opozitar ndaj kërkesës së Ramës duke shkruar “Prokurori i ri, pazari i radhës për kapjen e drejtësisë”.
Nga ana tjetër, Koha Jonë “ka hedhur në tavolinë” emrin e Spartak Ngjelës. Me titullin “Pse nuk zgjedhin Spartak Ngjelën Prokuror të Përgjithshëm”, Koha Jonë shkruan se “Të zgjedhin avokat Spartak Ngjelën. Kështu shpëtojnë të gjitha palët se asnjeri nuk e ka në dorë një njeri si Ngjela, por të trija palët rrezikojnë burgun me Ngjelën. Rëndësi ka që zgjidhet një njeri i ligjit, i drejtë, i pakorruptuar dhe që nuk i bën syri terr para askujt në piramidën e shtetit.
Ai njeh Ligjin. Me pas le të konkurojë, si gjithë të tjerët për afat me të gjatë, pavarësisht se të gjithë kanë frikë se Spartak Ngjela fiton prapë për Prokuror me mandat kushtetues.
A thonë, politikanët dhe kryeministri, se duan drejtësi? Ja ku e kanë Spartak Ngjelën! A duan ambasadori amerikan Lu dhe ambasadorja e BE Vlahutin drejtësi e ndëshkim dhe një Kryeprokuror të pa ndikuar nga politika dhe paraja si dhe që nuk ka frikë nga krimi i organizuar? Ja ku e kanë Spartak Ngjelën!”
Diskutime rreth kësaj post