Kreu / Opinion / Sikur Basha të ishte kryeministër

Sikur Basha të ishte kryeministër

Nga Artur Ajazi

“Të bëhem kryeministër”, kjo ka qenë dhe mbetet ëndërra e çdo politikani dhe kryetari partie në Shqipërinë e pas 1990. Fillimet e pluralizmit, formimi i partive të reja, liria e fjalës, liria e protestave, liria e shtypit, liria e debateve politike e sociale, e shumë liri të tjera, solli në këtë vend risi të dyzuara, për ata që vendosën ti hynin rrugës së gjatë dhe plot zig-zake të politikës. Rrugës ata u bënë “ustallarë”, por pak kush nga ata mbijetoi në politikën e egër dhe djallëzore shqiptare. Kushdo që ka deklaruar gjatë fushatës dhe para fitores se “nuk bëhem kryeministër, nuk bëhem president, punoj, mendoj dhe luftoj për popullin”, sapo ka fituar zgjedhjet e ka spostuar vehten menjëherë tek posti më i lartë.

Kjo ka ndodhur me zotin Berisha, kjo ka ndodhur edhe me Nanon, pasuesit e tij, kjo duket se do të ndodhte edhe sikur Luli të kishte fituar zgjedhjet e fundit parlamantare, dhe që sot do ta kishim kryeministër të vendit. Në disa panele dhe debate politike, që tashmë janë çdo natë dhe në një pjesë të ekraneve tona, nga disa analistë të njohur pranë opozitës, shpesh dëgjojmë fjalët se “kancelaritë e huaja janë gjithmonë me qeverinë, me njerëzit e saj”, si për të relativizuar raportin negativ që PD ka prej kohësh me ndërkombëtarët (për fajin e saj) veçanërisht me SHBA dhe BE.

Marrëdhënia e opozitës sot me shumicën e ndërkombëtarëve, mbetet në ditën e saj më të zezë, që nuk krahasohet as me vitet kur Berisha bënte opozitën pas humbjes së pushtetit në ‘97, pavarsisht izolimit të bërë prej tyre. Kjo situatë në të cilën gjendet sot opozita e Lulit, ka ardhur paradoksalisht nga lëvizjet , deklaratat dhe qëndrimet e tij në raport me qëndrimet, deklaratat dhe lëvizjet e ndërkombëtarëve.

PD sot në opozitë, duhej të kishte një mbështetje ndërkombëtare, në mënyrë që të mos ndodhej në pikën e saj më të zezë, pothuajse në izolim. Dhe kjo ka ndodhur vetëm në këto vite që PD drejtohet nga Luli, i cili duhet thënë se në dy vitet e para si kryetar partie, arriti të marrë disi nga ndërkombëtarët dy asetet më të mëdha që do t’i dëshironte çdo lider opozite, ligjin e dekriminalizimit (që e hartoi pikë për pikë siç donte vetë) si dhe arriti të marrë 50 per qind të kontrollit të komisionit të Vetingu-t, duke synuar ta përdorë për intrigat e tij.

Këto Luli i mori pasi krijoi një marrëdhënie të mirë me ambasadorin amerikan zotin Lu, dhe ambasadoren e BE. Por krisja me ndërkombëtarët ka ardhur në 2015, pas zgjedhjeve lokale, me Reformën në Drejtësi, dhe nga i preferuari i ndërkombëtarëve, ai nisi të bëhej bezdia e tyre më e madhe. Ndërkohë që çadra e “lirisë” ishte vula e zezë për “kryeministrin e ekonomisë”, që nuk mungonte të bënte deklarata kundër ambasadorëve si atij të SHBA dhe BE, madje edhe të tallej me ata.

Askush nuk e harron shprehjen trimoshe të Lulit nga çadra e “lirisë” , “ ma sillni këtu atë Donald hileqarin…”, apo dhe telefonatat që erdhën si kundërpërgjigje nga SHBA dhe Merkel, të cilët e detyruan të votojë Vettingu-n. Lufta e Lulit nga çadra e “lirisë”, bëhej për llogari të tij, për llogari të interesave të tij, për të mbajtur sa të ishte e mundur në llogoren e politikës prokurorët e Tikut, dhe njëherësh duke u kërkuar shqiptarëve (atyre që e besonin) se do të ishte “kryeministri i tyre dhe jo i klaneve mafioze”.

Duke përdorur “dekriminalizimin”, dhe “fitoren” e politikanit që realizoi Vetingu-n, Luli dhe PD që ai drejton, më tepër humbën terren tek ndërkombëtarët. Deri tani nuk ka asnjë referencë në politikën e trazuar shqiptare , se si PD që kemi sot, mund të ketë marrëdhënie të mira ndërkombëtare, pasi është përplasur gjatë me ambasadorët. Këto zig-zake nuk i bëjnë politikanët e staturës, por ata që mendojnë se politika është tren mallrash, që duhet të mbushë vetëm dëshirat dhe xhepat e tij.

Si mund të pretendosh se “do të jem kryeministër” kur brënda partisë tënde ke më shumë se gjysmën kundër, kur ke dështuar në fushata elektorale, kur ke manipuluar fushatën e rizgjedhjes si kryetar partie pas humbjes, kur bazën e partisë e ke të çorientuar politikisht, dhe kur rreth vehtes ke një ekip të dobët (të zgjedhur nga ti) përballë një kundërshtari të fuqishëm. Vallë ky do të ishte kryeministri i “ekonomisë” që do të donte shumica e shqiptarëve, apo dhe vetë PD, pas gjithë këtij bilanci kaq negativ dhe të kontestueshëm politik?

Mos humbisni

Pushtetarë dhe ish, edhe vrima e miut është bllokuar

Nga Genta Kaloçi Në prag të reformës dhe vetingut në drejtësi të gjithë mundohen të …

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.