E premte , 9 Dhjetor 2016
Kreu / Opinion / Përse dështojnë tryezat me ekspertët e PD?
mero baze

Përse dështojnë tryezat me ekspertët e PD?

Nga Mero Baze / TemA

Edhe pse dukej sikur po gjendej më në fund formula se si Partia Demokratike të pranonte reformën në drejtësi dhe ndryshimet e duhura kushtetuese, dy ditë para se të skadojë afati që duhet t’i ridërgojnë plotësimet Komisionit të Venecias, ata braktisën Komisionin, për debate të cilat i kishin konsumuar në zyra me dyer të mbyllura në prani të ambasadorëve perëndimorë. Situata të tilla, të cilat janë lojëra nervash deri në minutën e fundit, me shpresë të gjejnë dikë tjetër fajtor për mosvotimin e reformës, vijnë nga fakti se në PD vendimarrja është politike dhe ata që quhen ekspertë, janë një mekanizëm se si përcillen porositë politike dhe jo idetë e “ekspertizës” së PD.

Reforma për drejtësi, e nisur më shumë se një vit më parë nga një strukturë që u mbështet nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ja besoi draftin një Komisioni të Ekspertëve të nivelit të lartë, në të cilin gjenin përfaqësim profesional, gjithë institucionet që kanë të bëjnë me drejtësinë në Shqipëri. Ai nuk u ngrit mbi bazën e përfaqësimit politik dhe në të nuk ka ekspertë që përfaqësojnë PS, LSI apo PD.

Një vit e ca më vonë, kur procesi përfundoi dhe është në fazën e koalidimit me rekomandimet e Komisionit të Venecias, PD shpiku dy institucione të reja: Së pari shpiku “ekspertët” e saj, dhe së dyti tryezën politike. Problemi i parë që lind nga kjo shpikje, është se ata që paradite shfaqen si ekspertë të pavarur të saj, janë mbasdite pjesë e tryezës politike, pra janë e njëjta gjë. Dhe e keqja më e madhe është se nuk janë as ekspertë, as politikanë, por përcjellës të mesazheve të Berishës për ambasadorët perëndimorë, që po përpiqen të shpëtojnë reformën.

Alibeaj, Bylykbashi etj, që janë dhe “komisarë” dhe “komandantë” në këto ballafaqime, në fakt po përdoren nga Berisha dhe Basha thjesht si njerëz që mund t’i thonë ambasadorit Lu dhe ambasadores Vlahutin, atë që Berisha dhe Basha nuk duan t’ua thonë vetë në sy, pra që nuk duan ta votojnë reformën.

Dy ditë më parë të njëjtët ekspertë debatuan në zyrat e Kuvendit me përfaqësuesit e ekspertëve të nivelit të lartë dhe u dakordësuan për votën me tre të pestat për Këshillin e Lartë të Drejtësisë dhe Këshilin e Prokurorisë, por sapo dalin nga zyra, ata rimarrin urdhërin politik dhe kthehen në tryezat publike me mendtë dhe “ekspertizën” e dikujt tjetër.

Si të tillë, ata janë një humbje kohe dhe të padobishëm për të shkuar drejt një zgjidhje.

Nga ana tjetër, ata nuk kanë palë në këtë proces, pasi nuk flitet për ballafaqim të ekspertëve të PD me ata të PS apo LSI, por flitet për ballafaqim të ekspertëve që kanë bërë draftin dhe që kanë një vit që punojnë me të, pas të cilëve qëndron SHBA dhe BE, me ekspertë të PD, të cilët janë politikanë, deputetë dhe njerëz të besuar të Berishës e Bashës, por jo ekspertë kushtetues. Pra, nuk kemi as një ballafaqim ekspertësh dhe as një ballafaqim politik, por një ballafaqim mes ekspertëve të reformës dhe të deleguarve të politikës së PD. Si të tilla, këto tryeza janë të destinuara të dështojnë, pasi të deleguarit e PD nuk janë aty për të çuar ndonjë ekspertizë, por për të çuar mesazhin e Berishës kundër reformës.

Deri në datën 12, Berisha do të vazhdojë këtë lojë nervash, me shpresë se diplomatët perëndimorë apo dikush nga shumica, do lodhet nga nervat dhe do ta sulmojë, për t’i krijuar një alibi për votën kundër.

Pozicioni i disfavorshëm në të cilën vendoset shumica në këtë rast, është i padrejtë, pasi e vetmja palë politike që po tenton të diktojë ndryshime sipas qëndrimit të saj politik, është PD. PS dhe LSI nuk janë përfshirë në këtë debat dhe qëndrojnë pas draftit që kanë rekomanduar dhe mbrojnë SHBA dhe BE.

Të humbasësh kohë me të dërguarit e Berishës, që paradite quhen ekspertë dhe mbasdite politikanë që flasin nga foltorja kundër asaj që kanë thënë paradite, do të thotë të futesh në spiralen e kurtheve të Berishës, kundër reformës. Kjo është dhe arsyeja përse dështojnë treyzat me ekspertët e PD. Duke mos qenë as ekspertë që japin mendime, as politikanë që marrin vendime, ata janë thjesht humbës kohe për reformën. Dhe kjo është detyra e vetme që PD i ka vënë vetes në këto momente.

Mos humbisni

ANDI BUSHATI

Basha, vizita e gabuar në “Qytetin Studenti”

Nga Andi Bushati Kryetari i PD-së nuk ka gjetur simbolikën e duhur kur ka shkuar …

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.