E shtunë , 24 Qershor 2017
Kreu / Kuriozitete / Pema e Krishtlindjeve, një simbol i krishterë apo një idhull pagan?

Pema e Krishtlindjeve, një simbol i krishterë apo një idhull pagan?

Nga Miron ÇAKO

Është bërë një traditë që mbas mbrëmjes të 6 dhjetorit, jo vetëm të krishterët si protestantë, katolik, por dhe orthodhoks, madje edhe të feve të tjera dhe ateist e ngrenë pemën në shtëpi ose në sheshe si simbol, që të krishterët e quajnë pema e Krishtlindjes dhe të tjerët pema e Vitit të Ri, kjo e fundit një terminologji që mbeti nga regjimi ateist-komunist i vendeve të lindjes si edhe këtu në Shqipëri.

Por ku e gjejmë pemën si simbol të jetës dhe që ajo lidhet me Krishtin që është jeta e përjetshme?

Sipas Biblës, pema si simbol i jetës e ka zanafillën nga kopshti i Edenit, që e mbolli Perëndia dhe në mes të këtij kopshti me pemë frutore mbolli dy pemë të një rëndësie të veçantë. Njëra, pema e jetës, që me frutat e saj dhuronte pavdekësinë dhe tjetra pema e të mirës dhe të keqes, që në qoftë se frutat e saj do të haheshin do të sillnin vdekjen; “Dhe Zoti Perëndia e urdhëroi njeriun duke i thënë: ‘ha lirisht nga çdo pemë e kopshtit, por mos ha nga pema e njohjes të së mirës dhe të së keqes, sepse ditën që do të hash prej saj ke për të vdekur me siguri.” (Zan: 2:16-17).

Njeriu gaboi, ai gënjye nga djalli, ky engjëll i rënë, armik i Perëndisë, i cili nga u fut tek gjarpri dhe gënjeu Evën dhe ajo Adamin duke iu thënë: Hani nga pema, “ju s’keni për të vdekur aspak. Por Perëndia e di mirë se ditën që do të hani do të hapen sytë tuaj dhe do të jeni si Perëndia në gjendje të njihni të mirën dhe të keqen.” (Zan: 4:5)

Me ngrënien e frutit të ndaluar nga pema e të mirës dhe e të keqes, njeriu u rebelua kundër Zotit dhe midis njeriut dhe Zotit hyri mëkati nga zilia e djallit dhe “thumbi i vdekjes është mëkati dhe fuqia e mëkatit është ligji.”(1 Kor. 15:56). Njeriu i solli vdekjen vetes dhe gjithë njerëzimit, por edhe prishje të gjithë krijimit. “Zoti tha: meqënëse dëgjove zërin e gruas sate dhe hëngre nga pema për të cilën unë të kisha urdhëruar ‘Mos ha prej saj’ toka do të jetë I mallkuar për shkakun tënd… dhe ti je pluhur dhe në pluhur do të rikthehesh. (Zan.3:17-19). Pra njeriun e nxori nga parajsa tokësore, (kopshti i kënaqësive) një pemë. Por Perëndia në planin e tij për shpëtimin e njeriut, vendosi po me anë të një peme do t’i rikthente njerëzit në parajsë, sepse “Perëndia aq shumë e deshi botën sa dha Birin e tij të vetëmlindur, që kushdo që të besojë tek ai, mos të humbas por të ketë jetë të përjetshme.”(Jn: 3:16)

Krishti që ishte bekim u bë mallkim për ne. “Krishti na shpengoi nga mallkimi i ligjit, sepse u bë mallkim për ne, sepse është shkruar: “I mallkuar është kushdo që varet në dru.” (Gal: 3:13)

Kështu ngrënia e pemës të së mirës dhe të së keqes, e nxori njeriun nga parajsa për shkak të mosbindjes, të urdhërit të Perëndisë ‘Mos ha’, por përsëri një pemë në drurin e të cilit u bashkua dhe u njehsua Krishti Zoti, me kryqëzimin e tij, bën të mundur që njeriu të rikthehet në parajsën qiellore dhe të shijoj nga fruti i “Pemës së Jetës”.

Kryqi është tashmë “Pema e Jetës”, e cila gjendet në parajsë dhe Zoti ua premton atyre që do fitojnë luftën e mire; “Kush fiton, do t’i japë të hajë nga pema e jetës, që është në mes të parajsës së Perëndisë” (Zan 2-7) Fruti i kësaj peme është vetë Zoti Krisht, i cili tha: “Kush ha mishin tim dhe pi gjakun tim ka jetë të përjetshme, unë do ta ngjallë atë në ditën e fundit… kush ha mishin tim dhe pi gjakun tim, mbetet në mua dhe unë në të.”(Jon 6-54)

Kisha Orthodhokse me himnet e saj teologjike që këndohen në ditën e lartësimit të kryqit në 14 shtator mëson në lidhje me Kryqin si” Pema e Jetës”: “Ejani popuj, duke parë mrekulli paradoksale, ti falemi fuqisë së kryqit, se një dru në parajsë nxori si lastar vdekjen, ndërsa ky lulëzoi jetën, duke pasur Zotin e pamëkatshëm të gozhduar nga kryqi ne, gjithë kombet vjelim paprishjen dhe thërrasim: Lavdi ty që nëpërmjet kryqit shfarose vdekjen dhe na çlirove.”

Druri i kryqit u bë bekim për gjithë natyrën e pemëve, një tjetër himn thotë: “u gëzofshin gjithë drurët e pyllit, sot u shenjtërua natyra e tyre nga druri zotëror që u mboll në fillim, se Ai në të u nde përmes këtij që ngrihet madhështojmë dhe i falemi Krishtit tonë.”

Kështu për të krishterët orthodhoks kryqi është simbol i Krishtit dhe i vetë jetës, prandaj kjo është shenja që i mbron, zbukuron dhe i shenjtëron të gjitha siç thuhet: O Kryq, ruajtës i gjithë botës; o Kryq, zbukurim i kishës; o Kryq, lavdia e ëngjëjve; o Kryq forcim i mbretërve; o Kryq lavdia e ëngjëjve dhe plaga e demonëve.(Dërgimësore e kryqit)

Po pema e Krishtlindjes, ku dhe kur e ka origjinën?

Origjina e pemës se Krishtlindjeve, është jo shume e qarte për shkak gojëdhënave te ndryshme, apo kënge te ndryshme te kulturës Evropiane perëndimore. P.sh, sipas dijeve të krishtera, pema e krishtlindjeve është lidhur me Shën Bonifacin dhe qytetin gjerman Geismar. Një here gjate jetës se tij Shën Boniface (672-754) preu pemën e Thorit(perëndi pagane) në mënyre që te hidhte poshtë legjitimitetin e perëndive skandinave mbi fiset lokale gjermane. Shën Bonifaci pa një peme bredhi te mbinte ne rrënjët e lisit te vjetër. Duke mare ketë si një shenje te besimit të krishterë ai tha : “le te jete Krishti në qëndër të familjeve tuaja” duke përdorur drurin e bredhit si një simbol te krishterimit.

Por pema e bredhit si simbol i Krishtlindjes u vendos nga Martin Luteri (1483-1546) si një kryetar i reformës protestante ai protestonte traditën e kishës romano-katolike, siç ishte dhe ajo e grazhdit të lindjes së Krishtit, traditë e vendosur nga Shën Françesku i Asizit (1181-1226). Luteri vendosi pemën e Krishtlindjeve si një simbol të “Pema e Jetës” në kopshtin e Edenit.

Zakoni i ngritjes se pemës se Krishtlindjeve mund te gjurmohet historikisht ne shekullin e XV në Livonia (sot Estoni dhe Letoni) dhe në shekullin e XVI në Gjermaninë veriore. Në shekullin e XVIII-XVIIII tradita e përdorimit të pemës së Krishtlindjes u përhap në vende të tjera të Evropës dhe përtej kontinentit. Në vitin 1871 ajo shkoi në Kanada. Në vitin 1816 u prezantua në Vjenë dhe zakoni u përhap në gjithë Austrinë. Në shekullin e XVIIII, në vitin 1841 ky zakon u bë i përhapur në gjithë Britaninë. Nga viti 1850 deri në vitin 1870 e gjithë Amerika e kishte traditën e pemës së Krishtlindjes,

Kisha romano-katolike e pranojë më vonë këtë simbol, sepse ajo nuk mund ta ndalonte dot përdorimin e saj në vendet ku ajo ka juridiksionin e saj.

Pema e parë e Krishtlindjes është vendosur në sheshin Shën Pjetër të Vatikanit në vitin 1982.

Pema ju dhurua Papa Gjon Pavlit II nga një bashkëqytetar polak, i cili e solli pemën në Romë. Kjo traditë është future sot edhe tek besimtarët orthodhoksë e importuar si traditë nga vendet e Evropës perëndimore. Sot siç thamë edhe në fillim pema si simbol i krishtlindjeve është e përhapur në të gjithë botën, përveçse në vendet fondamentaliste ekstremiste fetare, që nuk tolerojnë simbole e një fe tjetër.

Por ajo që është shqetësuese është simbolika që përdoret bashkë me pemën.

Thamë në fillim që kryqi është simbol i Krishtit dhe i “Pemës së Jetës”. Dhe një pemë Krishtlindje që nuk do ta ketë shenjën e Birit të Njeriut, Kryqin, ajo s’mund të jetë e rregullt një simbol i Krishtit, ashtu si dhe një ikonë që paraqet fytyrën e Krishtit në qoftë se nuk ka simbolin e Kryqit dhe brenda tij inicialet ‘OωN’ – që do të thotë ‘Unë jam Ai që jam’ – nuk mund të quhet ikonë e Krishtit dhe nuk mund të nderohet si e tillë. Kështu edhe një pemë në qoftë se nuk ka në majën e saj kryqin ajo nuk është një pemë e Krishtlindjes, por një pemë çfarëdo dhe kur ne e nderojmë dhe besojmë se është fatsjellëse, atëherë ajo është një idhull dhe ky është një adhurim pagan ashtu siç bënin njerëzit në kohën e padijes, duke i adhuruar pemët si fuqi të zotave të tyre.

P.sh: pema adhurohej në Egjipt dhe ka qenë druri i palmës, në Romë ka qënë druri i bredhit,në Greqinë e lashtë bredhi ishte pema e shenjtë për perëndeshën Artemisë, mbrojtjen e lindjeve, po ashtu edhe në Azinë veriore bredhi ishte konsideruar si pema kozmike e mbjellë në mes të universit. Të gjitha këto lidhen me adhurimin pagan të bimësisë së gjelbër si shembull të zotave të pavdekshëm. Madje, edhe zbukurimet që shoqërojnë pemën si topat e shkëlqyer janë simbol i diellit dhe të gjitha këto lidhen me festivalet pagane të solsticit dimëror.

Edhe ideja e dekorimit të shtëpive në festa është e përbotshme dhe nga shekuj e vjetër. Pra, dafina e saturnalisë, ashja gjermane, veshtulla kelte, dhe kaçuba meksikane, të gjitha identifikohen me këtë ceremoni shumëgjuhëshe.

Shumë nga bimët që përdoren si dekor në festën e krishtlindjes janë simbole të pjellorisë. Me siguri çdo dru me gjelbërim të përjetshëm si bredhi etj, me aftësitë e veta për të kthyer gjelbërim në muajt jo pjellor të dimrit, është e përshtatshme si simboli pjellorisë, por shumë më interesante janë ashja, dredhka, dhe veshtulla. Ashja, me gjethet e saja që shpojnë, lulet e bardha, dhe kokrrat e kuqe simbolizon dëshirën e fortë të riprodhimit mashkullor. Në fakt, në këngët gazmore angleze ashja është mashkulli dhe dredhka është femra. Pra këto rite dhe simbole pagane të krishterët në perëndim, i kanë huazuar dhe bërë pjesë e traditës së krishtlindjes

Por ajo që është shqetësuese është përdorimi i simboleve antikrishte dhe djallëzore siç është ylli pentalfa.

Ky yll përdorej rëndomt nga paganët si simboli i diellit flakërues në besimin indu pesëvijëshi është quajtur ylli i pranimit dhe ai përcakton privilegjet e kastës së priftërinjëve të sivës të cilët ja kushtonin zotit Diell.

Në mënyrë të mistershme ylli simbolizon njeriun si perëndi, si universin e mishëruar. Ai tregon gjithashtu Siriusin, yllin qen, ose planetin ku okultistët mendojnë se rri djalli. Ai tregon Torin, zotin e lashtë nordikë. Ai tregon Baal, zotin djallëzor që përmendet shpesh me terma ironik në Dhjatën e Vjetër. Po i njëjti zot yll adhurohej edhe në Egjipt dhe izraelitët e infektuar nga egjiptianët gjatë kohës që endeshin nëpër shkretëtirë e adhuronin fshehtaz këtë shenjë. Ata e quanin atë Molak, Çiun dhe Renfa. Profeti Amos i akuzoi izraelitët për këtë sakrilegj, ku ju thotë: “por ju keni krijuar imazhet tuaja në faltoren e Molokut (perëndia e amoniteve dhe fenikasve) dhe Çiuni, yllin e zotit tuaj të cilin e bëtë për vete. (Amos 5:20)Për satanistët ai është shenja e djallit. Francezi Elifas Levit, satanic i shek. XIX-të bën të ditur me entuziazëm: “Pesëvijeshi me dy brirë (ylli pesëkëndor) në rend ngjitës përfaqëson djallin d.m.th përmbysjen, çrregullimin dhe marrëzinë intelektuale, prandaj dhe sot shenjën e yllit pesëkëndor e shikojmë rëndom në grupet satanike, masonike, që i kundërvihet simbolit të kryqit.

Ylli i kuq, simbol i diellit dhe i luftës gjakësore ka qenë simbol i ateizmit-komunizmit për shumë vite dhe ne shqiptarët këtë e dimë shumë mirë.

Dikush mund të thotë se në ditën e lindjes së Krishtit u shfaq një yll, por kjo nuk ka lidhje me yllin pentalfa që sot vendoset mbi pemë, sepse në të vërtetë ai nuk ishte një yll, një trup qiellor, por një engjëll, që shfaqej si yll dhe i tregonte rrugën magëve për tek Krishti Zoti- Njeri, që magët të cilët përfaqësonin kombet paganë nga adhurues të yjeve, të bëheshin adhurues të Atij që krijoi gjithësinë. Forma që shfaq si yllë në qiell nuk është si ajo e yllit pentalfa, që siç thamë është simbol pagan dhe i vetë djallit. Simbolika nuk duhet nënvlerësuar ajo jep një imazh, duke na transmentuar një doktrinë, por dhe transmeton energji për ata që lidhen me imazhin. Për shembull: kur të krishterët bëjmë dhe mbajmë shenjën e kryqit, vetëm me këtë simbol tregohet dogma e besimit të tyre, por dhe ajo përcjellë energjitë e hirit të Perëndisë sipas masës së besimit.

Kisha e krishterë vërtet i mori element nga traditat dhe festat pagane, siç është dhe dita e 25 dhjetorit, që ka lidhje me solsticin dimëror dhe ishte festa e “diellit të pamposhtur”. Kisha në urtësinë e saj vendosi këtë ditë lindjen e “Diellit mendore të pamposhturin, Zotin Krisht” që kështu gjithë paganët t’i faleshin Atij, si Zotin dhe Shpëtimtarin e tyre. Kisha i mori këto tradita të popujve para Krishtit që e prisnin një shpëtimtar, i pastroi nga besëtytnitë, nga ritualet dhe simbolet magjike dhe i përdori për të përhapur të vërtetën, se Zoti u bë njeri në Krishtin, që njeriu në bashkim me Krishtin të bëhet Perëndi sipas hirit.

Prandaj në qoftë se do të vendosim një pemë bredhi në shtëpitë tona simbol i lindje së Krishtit duhet patjetër të vëmë mbi të shenjën e kryqit, atëherë ajo mund të quhet një pemë Krishtlindjeje, që na afron me vetë prototipin Krishtin, foshnjën Hyjnor. Ndryshe ajo është një idhull pagan. Apostulli i kombeve Pavli këshillon të krishterët: “Prandaj, të dashurit e mi, largohuni nga idhujtaria.”(1 Kor 10:14)

A ta që dëshirojnë, le ta presim Krishtlindjen 2016, me frymë dhe simbole të krishtera!

Mos humbisni

Mësoni sa zgjat lidhja juaj sipas shenjës së horoskopit

Zbuloni sa zgjat lidhja e shenjave te horoskopit Dashi Dashi dashurohet shpejt dhe fort, madje …

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.