Kreu / Botë / Parada e Bastijës, Trump “dashurohet” me Parisin

Parada e Bastijës, Trump “dashurohet” me Parisin

Presidenti amerikan Donald Trump ka ndryshuar mendje për Parisin. Jo shumë kohë më parë, ai kishte deklaruar se kryeqyteti francez ishte shumë i rrezikshëm për t’u vizituar, por gjatë qëndrimit dyditor në Paris, ai e cilësoi atë si një prej qyteteve më madhështore e më të bukura në botë.

Në krah të bashkëshortes Melania, ai iu bashkua presidentit francez, Emmanuel Macron, dhe gruas së tij, Brigitte, në paradën ushtarake të mbajtur përgjatë “Champs-Elysees” me rastin e Ditës së Bastijës.

Trump mbërriti në paradë përpara se homologu i tij të bënte hyrjen pompoze mbi një “Jeep” ushtarak, duke përshëndetur me dorë turmën.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë dhe Zonja e Parë panë trupat amerikane dhe franceze teksa marshonin së bashku drejt “Place de la Concorde” për të kujtuar 100-vjetorin e hyrjes së Shteteve të Bashkuara në Luftën e Parë Botërore. Nuk munguan as helikopterët dhe avionët e Forcave Ajrore franceze.

Gjatë fjalimit, kreu i Elizesë theksoi miqësinë e fortë që lidh dy vendet.

“Prania e Trumpit krah meje tregon miqësinë e palëkundur që lidh dy vendet tona. Unë dua ta falënderoj. Asgjë nuk mund të na ndajë. Dua të falënderoj Amerikën për zgjedhjen që bëri 100 vite më parë”, tha Emmanuel Macron.

Trump është presidenti i parë amerikan që merr pjesë në këtë ceremoni që prej vitit 1989. Vëmendjes së mediave nuk i shpëtoi komplimenti, që numri një i Uashingtonit i bëri Zonjës së Parë franceze në kompleksin historik të “Les Invalides”, kur i tha asaj se ishte në formë shumë të mirë.

Dita e Bastijës në Francë do të lidhet gjithmonë edhe me tragjedinë që mori jetë njerëzish vitin e kaluar në Nice, ku gjatë festimeve në “Promenade des Anglais” u vranë 86 persona. Menjëherë pas paradës, presidenti Macron udhëtoi drejt Nices, ku po mbahen ceremoni përkujtimore në homazh të viktimave. Familjarë dhe qytetarë të shumtë vendosën pjesëzat e një mesazhi 170 metra të gjatë përballë Mesdheut.

Mos humbisni

Trump: Tmerri i 11 shtatorit është ngulitur në kujtesën kombëtare

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka mbajtur një minutë heshtje në një ceremoni …

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.