Nga Bledi Mane
Nëse do të ishe në vendin tim gazetar vullnetar si do të ndjeheshe kur kryetari i parlamentit Ilir Meta sulmonte gazetaren e “Zërit të Amerikës” dhe e telendiste alla shqiptarçe në mes të Washintonit?
Nëse do ishe në vendin tim gazetar vullnetar e aspak qokaxhi si do të ndjeheshe kur kryeministri Edi Rama me arrogancën e tij poshtëron jo vetëm individin gazetar por edhe profesionin, me ironi alla shqiptarçe në mes të ditës me diell apo me shi qoftë?
Nëse do ishe në vendin tim gazetar që rropatesh mes intrigave e kërcënimeve për të informuar të gjallë e të vdekur, si do ndjeheshe kur një ish gazetar, ish kryeredaktor, ish ministër që u dorëhoq pas dhunës ndaj gazetarit, kur një ish Luan Rama shpartallon me fyerje e me terma pornoballkanike gazetarin dhe gazetarinë shqiptare?
Po kur Sali Berisha djeg redaksi gazetash, gjobit televizione, dhunon e merr peng, plagos në bulevard gazetarët dhe gazetarinë shqiptare si do ndjehesh ti?
Mirë të na bëhet, aq mirë sa e meritojmë. Kjo lloj krushqie e gangrenizuar politikë-media-media-politikë është një nga klonimet më të poshtra të këtyre 20 viteve tranzicion. E filloi shkërdhimin e gazetarisë Koço Kokëdhima me gjobveniet e “Shekullit”, i vazhdoi Sandër Frangaj me klanëzimin e flirteve mediatike dashuri-urrejtje-dashuri, dhe stafetën e ka marrë Blendi Fevziu duke opinionuar çdo allishverish media-bizes-media.
Viktimat si gjithmonë janë gazetarët hallexhinj, ata që shiten, blihen, përdoren, shtrydhen, flaken, riciklohen sipas orekseve të botuesve dhe pronarëve halabakë. Viktimat jemi ne pa integritet, ne që na përdorin e na nxjerrin në llogore si koreanoveriorë. Ne gazetarët shqiptarë që i bëjmë moral gjithë dynjasë po për vete nuk paguhemi as sa një kamarier, nuk sigurohemi, nuk kemi sindikatë, nuk klithim për të drejtat tona.
Ne që kemi rënë dakord për të mos rënë dakord asnjëherë me veten, ne që dhunohemi edhe nga individi edhe nga shteti, tallemi edhe nga krimi edhe nga autoriteti publik, shfaqemi në televizione të makiazhuar nga surrati por me barkun bosh, qeshim kur lajmet i kemi për të qarë dhe qajmë kur mileti tallet me profesionin tonë.
Ndaj Luan Rama nuk ishte aq naiv e aq toç kuklle sa të vazhdonte të ishte gazetar. Si kurvë e drodhi e u bë politikan, ministër, deputet. Prostituoi parti më parti e tashmë i rehatuar është bërë i fuqishëm me lekë e me pushtet e nuk mbeti brekëgrisur si ne gazetarët që megjithë mëkatet që kemi bota nuk rri dot pa ne. Le të na tallin, të na dhunojnë, të na lenë pa bukë, të na pështyjnë por mos harroni kushdo nuk e ngrys dot ditën pa ne. Kur fiken prozhektorët në studio, kur bie nata mbi kasaba ata vinë e na puthin dorën porsi Edi Rama Eni Vasilit!
*Pamfleti.com
Diskutime rreth kësaj post