Kreu / Aktualitet / Nishani: Zgjedhjet e parakohshme nuk janë fundi i botës
nishani

Nishani: Zgjedhjet e parakohshme nuk janë fundi i botës

Presidenti Bujar Nishani gjatë një interviste për gazetën “Koha Jonë” thotë se zgjedhjet e parakohshme nuk janë fundi i botës.

I pyetur nëse është i gatshëm për të pirë një gotë verë me Ramën e Metën, kreu i shtetit shprehet i hapur, teka shton se i pranishëm mund të jetë edhe Lulzim Basha.

Zoti President! A keni informacion se Shqipëria po shkon drejt zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, dhe ndoshta edhe në Referendum?

Kam informacion të bollshëm për shumë çështje. Por nuk është në principin e punës time institucionale dhe individuale, në dinjitetin tim, në etikën time, në moralin tim, të interesohem për informacion të hamendësuar që vjen nga katakombet e teorive konspirative të muhabeteve të kafeneve, aq më pak për çështje të një rëndësie madhore si zgjedhjet e parakohshme.

Që vendi të mos shkojë drejt zgjedhjeve të parakohshme a keni një plan shpëtimi ku partitë të bien dakort për një reformë konsensuale në drejtësi?

Zgjedhjet e parakohshme nuk janë fundi i Botës.  Bërja ose mosbërja e zgjedhjeve të parakohshme nuk mund të jenë pjesë e asnjë plani shpëtimi. Unë, përkundrazi, bëj çmos që Reforma në Drejtësi të finalizohet pa pasoja anësore. Ajo Reformë është një proces kompleks që duhet të ketë si produkt përfundimtar një mekanizëm funksionues afatgjatë. Ky proces nuk mund të jetë vetëm i shumicës. Duhet medoemos të jetë një proces konsensual i tillë që të mos reflektojë çfarë i duhet njërës apo tjetrës palë, por çfarë i duhet Shqipërisë dhe shqiptarëve. Konkretisht, Reforma në Drejtësi kërkon ndërhyrje në Kushtetutë. Shumica nuk i ka votat e mjaftueshme ta ndryshojë e vetme Kushtetutën. Për këtë i duhen votat e opozitës. Dakordësia përmbajtësore e opozitës për këtë proces ndryshimesh është e një rëndësie jetike për  Reformën dhe vendin.

A mendoni se shumica e sotme PS-LSI, bashkëdrejtojnë me thika pas shpine ndaj njeri tjetrit?

Nuk jam i prirur t’i shoh marrëdhëniet garuese në politikë nga këndvështrimi me thika e sqeparë para e pas shpine. Nuk supozoj. Nuk hamendësoj. Nga kënvëshrimi im institucional, nuk besoj, nuk konsideroj, asgjë tjetër veç asaj që shpallet, thuhet, deklarohet. Presidenti nuk ndërhyn në marrëdhëniet mes partive, kurrë, për asnjë arsye, në asnjë mënyrë.

A do të ishte mirë që Presidenti i Republikës të zgjidhej nga populli?

Mirë do ishte që shumë gjëra të mos jenë si janë. Halli është se asgjë, përfshi edhe mënyrën e zgjedhjes së Presidentit të Republikës, nuk varet nga vullneti subjektiv sado i argumentuar i askujt, por nga procese të gjëra me pjesëmarrjen e të gjithëve.

A pranoni të pini një gotë verë me Edi Ramën apo Ilir Metën?

Me kënaqësi me ata të dy që thoni ju, por edhe me Lulzim Bashën që mesa duket e harruat. Madje jo vetëm 1 gotë. Nëse do na eci muhabeti, që besoj se ashtu do ndodhi, pse jo, shoqëruar me mezet përkatëse, aq gota sa mban stomaku i secilit ! Dhe jo vetëm verë. Edhe pije të tjera. Për shembull raki, por jo edhe substanca dehëse nga ato që ndalohen me Ligj.

Cili draft për sistemin e Drejtësisë mendoni se është me efektiv; PS, PD, apo LSI?

Draft më të mirë do konsideroj atë që do jetë i bazuar sa më tepër në rekomandimet e Komisionit të Venecias.

A mendoni se përmes recetave për politikën dhe drejtësinë Ambasadori amerikan Lu është bërë tashmë “Guvernatori” i Shqipërisë?

Kurrën e kurrës. As me thonjza, as pa thonjza. Ambasadori Lu nuk është asgjë më tepër se përfaqësuesi më i lartë diplomatik i partnerit kryesor strategjik të Shqipërisë. Çdo cilësim tjetër për Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri ëshë spekulim, është muhabet rreth vatrës në këto netë të ftohta dimri duke ngrënë gështenja të pjekura duke i nxjerrë nga zjarri me mashën e imagjinatës që të mos digjen duart.

A keni besim se Reformën në Drejtësi mund ta votojë ky Parlament i inkriminuar, apo do të ishte mirë që Reformën në fjalë ta bëjë një parlament tjetër pa elementë të tillë?

Me një mënyrë kaq të thjeshtëzuar parashtrimi nuk do ishte e mundur kryerja e asnjë pune. Kam besim të plotë se ky Parlament do ta kryej Reformën në Drejtësi. Natyrisht që kryerja, sidomos aplikimi i Reformës, nuk do jetë punë e lehtë, e thjeshtë, e përsosur, e mrekullueshme. Përkundrazi, si gjithë punët e mira, do të jetë e vështirë, e ndërlikuar, në përsosje të vazhdueshme me kalimin e kohës.

Mendoni se populli jeton më mirë se një vit më parë apo më keq ? A jeton populli shqiptar sot më mirë apo më keq se gjatë qeverisjes Berisha 2005-2013?

Përgjigjet e këtyre pyetjeve mund t’i merrni me saktësi të kënaqëshme në institucionet e specializuara të cilat nuk shprehen me subjektivizma të mjegullta, por me shifra, me statistika të padyshimta.

Nëse do të hiqnit për një moment kostumin e Presidentit çfarë mendoni si një qytetar i thjeshtë për kryeministrin Rama?

Nuk e heq për asnjë moment dhe për asnjë shkak kostumin e Presidentit deri në fund të mandatit. Ju siguroj se më vonë, kur t’ju flas hapur për Edi Ramën, ajo që do j’u them nuk do jetë aspak më e ndryshme nga opinioni i secilit shqiptar që sheh me sy dhe mendon me kokë.

Nëse LSI , PDIU dhe PD në korrik 2017 do propozojnë të zgjedhin për President Republike ish-kryeministrin Berisha, a do të ishit i kënaqur?

Zoti Berisha është politikan tepër aktiv, tepër produktiv, me ndikim të konsiderueshëm në arenën politike. Partitë e dinë vetë çfarë bëjnë. Presidenti nuk ndërhyn. Presidenti nuk hamendëson. Presidenti nuk mbetet as i kënaqur ,as i pakënaqur nga vullnetet e politikës. Me të vetmin kusht, që të mos konstatojë asgjë të kundraligjshme, Presidenti ato vullnete vetëm i respekton.

A do rikandidoni për President?

Nuk shoh asnjë arsye pse mund ta refuzoj një kandidim të mundshëm. Por nuk është kjo më kryesorja apo më e rëndësishmja. Më e rëndësishmja është rruga e gjatë që kam përpara për t’i shërbyer vendit. Me këtë rast zotohem vendosmërisht dhe i garatoj shqiptarët se në cilëndo detyrë që do jem do denoncoj me emra dhe fakte të gjithë sekserët, gjobëvënësit, gangsterët, të cilëve nuk do tu ndahem derisa të gjithë të kenë përfunduar në duar të Ligjit.

Mos humbisni

Dëshmitarët VIP rrinë urtë para Shullazit! Askush nuk ia përmend emrin

Emiljano Shullazi në gjyqin që mbahet ndaj tij në Gjykatën për Krime të Rënda ka …

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.