Kreu / Dosje / Kur Azem Hajdari akuzonte PD-në për implikim me Sigurimin e Shtetit

Kur Azem Hajdari akuzonte PD-në për implikim me Sigurimin e Shtetit

Anëtari i Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, Daut Gumeni, ka deklaruar këto ditë se hapja e dosjeve të Sigurimit të Shtetit është një mission i pamundur. Si anëtar i këtij institucioni, Gumeni na konfirmon të vërtetën e dhimbshme të zhdukjes së historisë së krimeve të komunizmit. 

Dosjet e  Sigurimit të Shtetit nuk ekzistojnë dhe askush prej “ustallararëve” të atij organizmi famëkeq, nuk do të pësojë as më të voglin dëm. Ka ekzistuar prej kohësh “thashethemi” se bashkëpunëtorë të sigurimit të shtetit, janë shpërndarë nëpër partitë politike në të dyja anët e saj, majtas e djathtas. 

Padyshim që zhdukja e dosjeve do të ishte hapi i parë i tyre, në bashkëpunim, për të mundësuar vazhdimësinë në politikë. I gjejmë gjurmët qysh heret në vitin 1993 kur në parlament diskutohej për liligjin “Për fondin arkivor kombëtar dhe për arkivat” dhe për të cilin bien dakord të gjtiha partitë. Një fjalim i Azem Hajdarit na qartëson për çfarë ka ndodhur në Shqipëri me dosjet e Sigurimit të Shtetit, pse nuk janë hapur kurrë e pse nuk do të happen kurrë.

Fjalimi është pjesë e debatit që bëhej në parlament në qershor të vitit 1993 kur po miratohej pa ndonjë kundërshti ligji për “Për fondin arkivor kombëtar dhe për arkivat”.

Qershor 1993, diskutim në paralment

Azem Hajdari – Zoti Kryetar. Në fillim kërkoj të më krijoni mundësinë që gazetarët të mos kenë të drejtë t’i deformojnë thëniet e mia, sepse, siç shihet, ata i marrin për leverdi të gazetave të tyre dhe nesër u vënë tituj sipas qejfit të tyre. Pra, kërkoj që diskutimin tim, si deputet i një zone elektorale, prononcimin në emër të tyre këtu në Kuvendin Popullor, mjetet e massmedias ta pasqyrojnë realisht, sepse nuk jemi njerëz të rrugës, por jemi deputetë të Kuvendit Popullor.

Unë nuk kam kërkuar ndonjëherë që të jem ndryshe nga deputetët e tjerë, por nuk jam dakord me thëniet e shumë deputetëve, të cilët pranojnë viktimën dhe atë çka shkruhet sot në gazetën “Zëri i popullit” sikur gjoja Partia Demokratike na u qenka krijuar me një dekret të Presidentit.

            Deklaroj këtu që lidhjet e fshehta të atyre njerëzve, që edhe ndaj meje ushtruan trusni politike për një vit e gjysmë me radhë, kanë lidhje po me këtë ligj që vjen sot në Kuvendin Popullor. Ne mund ta shohim ligjin edhe në aspektin shkencor, ashtu siç e sheh zoti Pjetër (Pepa), dhe vërtet është i nevojshëm administrimi i këtyre arkivave. Megjithëse zonja Natasha dhe fillimi i ligjit thotë “arkivi kombëtar”, unë nuk kam ndonjë përshtypje që ju keni krijuar një arkiv kombëtar, sepse ky është arkiv shtetëror. Si mund ta quash “arkiv kombëtar”, me ç’lloj dokumentacioni?

            Ky ligj vjen sot në Parlamentin e Republikës së Shqipërisë në një situatë tepër të trazuar dhe qëllimi i tij është fshehja e një aktiviteti çnjerëzor, kriminal që Partia e Punës e Shqipërisë, me në krye Enver Hoxhën dhe Ramiz Alinë, kryen në Republikën e Shqipërisë për 45 vjet me radhë. Aktiviteti i saj është kriminal, është i denoncuar dhe gjithë piramida e saj, e cila synohet të fshihet me këtë ligj, e përbërë nga Enver Hoxha, komisarët e kuq, komandantët që vranë këtë popull, të cilët janë njerëz kriminelë dhe sot nuk janë të denoncuar e nuk janë në bankën e të akuzuarve.

            Ardhja e këtij ligji dhe sidomos manipulimi me dosjet e ish-Komitetit Qendror të Partisë së Punës nuk bën asgjë tjetër, vetëm do të legjitimitojë disa tekste shkollore të krijuara nga pseudoprofesorët e sotëm, si Omari, dhe pseudoprofesorë të tjerë, si Foto Çami, etj., që i kemi futur sot në librat shkollorë dhe i studiojnë fëmijët tanë. Fshehja e këtyre dosjeve fsheh gjithë organizimin kriminal, lidhjet e fshehta politiko-bilaterale të Partisë së Punës të Shqipërisë me Kinën, me Rusinë dhe sidomos politikën bilaterale, të kryer vite me radhë, të Partisë Komuniste Shqiptare me themeluesen e saj, Partinë Komuniste Jugosllave.

            Unë kam kërkuar dhe kërkoj që dosjet e ish-Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë, pasi të verifikohen nga një komision i posaçëm qeveritar për ekzistencën ose mosekzistencën e tyre, të merren me procesverbal nga personat përkatës dhe më vonë administrimi i tyre të krijojë mundësinë e arkivimit, të ruajtjes, të seleksionimit dhe të shfrytëzimit nga shkenca shqiptare, për të treguar, mbas një gjyqi politik, se Partia Komuniste Shqiptare dhe trashëgimtarja e saj sot, Partia Socialiste, që e sollën Shqipërinë në këtë gjendje, kanë një mision tepër të madh. Në situatat e rrezikshme e të krijuara artificialisht, siç i duan ata, misioni i tyre është ajo çka i bënë deri dje Shqipërisë: copëtimi, varfërimi, denigrimi dhe dhunimi i saj.

            Por në asnjë mënyrë unë nuk mund të bëhem miop e të mos e kuptoj se edhe ish-bashkëpunëtorët e Sigurimit sekret të Shqipërisë, bashkëpunëtorët dypalësh, të UDB-së dhe të Sigurimit Shqiptar, njëkohësisht loja dypalëshe e Sigurimit Shqiptar me UDB-në, si dhe misionarë të tjerë që kanë pasur lidhje me këto politika bilaterale, nuk kryen të njëjtin rol siç kryen sot Ramiz Alia nga vrima e tij me ato shpifjet denigruese ndaj proceseve demokratike në Shqipëri, me shpifjet denigruese ndaj një lëvizjeje të madhe dhe një revolucioni të madh popullor që kreu Shqipëria, ku u shpreh vërtet mllefi 50-vjeçar.

            Pavarësisht nga ato që janë thënë, unë deklaroj sot botërisht në këtë Parlament se ardhja e këtij ligji, i cili ka një material më të madh se Kushtetuta, se vjen në Kuvend me 37 nene, nuk ka asnjë qëllim tjetër, veçse të fshehë klanet e vjetra, lidhjet e fshehta, pseudombiemrat e përdorur gjatë kohës së diktaturës, shërbimin e fshehtë dhe lidhjet e Komitetit Qendror të PPSH-së me ish-Sigurimin e Shtetit, të pashkatërruar sot dhe kurrë.

            E them këtë, zoti Kryetar i Kryesisë së Kuvendit Popullor, se megjithëse Televizioni Shqiptar ka dhënë disa zhvarrime të personaliteteve të shquara të jetës politike, asnjë gjyq, asnjë denoncim penal për Veip Podën, Nerulla Zepin, për Kadri Hazbiun nuk është bërë nga njerëz të cilët e dinë se çfarë ka shkaktuar Sigurimi i Shtetit në Shqipëri. Por është plotësisht i palogjikshëm edhe vendimi i Qeverisë, nëpërmjet të cilit urdhëron shkatërrimin e arkivit të ish-Ministrisë së Punëve të Brendshme, rindarjen dhe organizimin e tij pranë dy institucioneve: Ministrisë së Rendit Publik dhe Shërbimit Informativ Kombëtar. Tërheqja e këtij dokumentacioni dhe e atij të mëvonshëm pa kontrollin dhe shikimin e ekzistencës së tij krijon manipulime të veçanta, krijon kushte për të manipuluar mbi një histori të caktuar.

            Drejtori i Sigurimit të Shtetit, sipas platformës së Sigurimit, ka qenë miratuar nga ish-gjenerali i asaj kohe Shehu dhe më vonë, dihet, nga Sekretari i Parë i PPSH-së. Dhe nuk është e vërtetë që persona të caktuar thirreshin në bashkëpunim veçse nga ana e persekutorëve dhe nuk thirreshin nga Partia Komuniste. Në bashkëpunimin me Sigurimin e Shtetit thirreshin në katër forma, në dy klasa. Në klasën e parë, me 6 drejtoritë e organizuara në Ministrinë e Rendit, thirreshin bashkëpunëtorë dhe agjentë, ndërsa nga Partia Komuniste, komunistë dhe patriotë të shquar thirreshin strehues dhe rezidentë. Pra, implikimi me Sigurimin e Shtetit gjendet në katër partitë e këtij parlamenti dhe moshapja e dosjeve cenon rëndë sovranitetin e Parlamentit, nderin dhe dinjitetin e popullit, besimin që na dha ky popull, për të treguar se ne si deputetë kemi ardhur këtu për një Shqipëri të lirë demokratike, për integrimin e saj në Evropë dhe se ne jemi besnikë ndaj tyre. Prandaj duhet sqaruar nga ne, me një deklaratë personale, se Sigurimi i Shtetit, kjo damkë e mallkuar, kjo murtajë që i ra Shqipërisë, është bashkë me Partinë e Punës, pra nuk janë të ndara, po janë nënë e bijë, të lidhura me njëra-tjetrën.

            Prandaj do t’u thosha specialistëve të arkivit qendror se kombëtarja, në kuptimin më të mirë të fjalës, gjendet në dokumentacionin shqiptar, ana historike, ana propagandistike dhe ana shkencore e saj, ndodhet në arkivin qendror. Ndërsa arkivat e ish-Ministrisë së Brendshme, arkivat e Ministrisë së Jashtme etj. duhet të kalonin të centralizuara po në arkivin qendror, po mbasi të merrej me vulë që ato arkiva nuk janë shpërdoruar as për biznes, për qëllimin e ekonomisë së tregut, as për agjenturë, për të prishur Parlamentin Shqiptar. Dhe Parlamentin Shqiptar e quaj shumë fatlum sot që në mes tij do të dalin se kush janë bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit; e quaj fatlum, sepse i them popullit që edhe me 71 deputetë do të qeverisim dhe zgjedhjet do të bëhen atëherë kur populli të japë verdiktin. Dhe këta bashkëpunëtorë këtu, bashkë me Luan Shahun me shokë, bashkë me ata që ikin jashtë shtetit, bashkë me Ejzedin Hajdinin që vidhte, bashkë me Hajdin Sejdinë që përdhunoi Shqipërinë e bashkë me ata njerëz të pandershëm që Kontrolli i Shtetit i ka denoncuar deri sot, nuk mund të luajnë themelet e sovranitetit të Kuvendit Popullor.

            Prandaj kërkoj nga ana juaj dhe nga deputetët që të kthehet ky ligj, t’u përplaset atyre njerëzve që na e bien këtu për të justifikuar krushqitë e tyre, lidhjet nën pseudombiemra, lidhjet me ish-komunizmin famëkeq; të hiqet masa e dënimit në shtëpi të Ramiz Alisë dhe të futet në burg, të kryhet gjyqi, i cili është i firmosur nga 35 deputetë; të vërtetohet sa dosje janë djegur. Duhet ta dimë sa dosje janë djegur, siç tha zoti Uran Butka, dhe unë e besoj atë. Me ç’qëllim janë djegur dhe kush i ka djegur?

            Si mund ta pranoj, zoti Kryetar, një qeveri demokratike, të cilën e mbështes e do ta mbështes edhe në të ardhmen, e cila nuk ka marrë asnjë masë penale për këtë djegie mizore të një dokumentacioni famëkeq që kishte Shqipëria, me të cilin do të vërtetonim krimet e dhunës? E thashë edhe më lart se janë qindra veta të vrarë nga diktatura, të dalë në televizion, dhe asnjë hetues i dënuar; qindra dosje të djegura, asnjë njeri i dënuar; vjedhje në përmasa të mëdha, galopante në Shqipëri, asnjë njeri i dënuar; vrasje misterioze, shkrehje armësh, asnjë njeri i dënuar. Dhe që në këtë moment Azem Hajdari abstenon miratimin në parim të këtij ligji dhe kërkon përgjegjësi për ata që cenojnë nderin e Partisë Demokratike, të Shqipërisë demokratike dhe të Parlamentit demokratik.

Mos humbisni

“Vrasësi vjen nga Kanadaja dhe rreh gjoksin”. Si u masakruan katër heroinat e Mirditës

Ajo që ndodhi të dielën e 25 prillit 1948 në Tarazh të Mirditës është një …

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.