Kreu / Opinion / Kryeministri që duhet të çmohet për atë që nuk ka bërë

Kryeministri që duhet të çmohet për atë që nuk ka bërë

Nga Mero Baze

Bajram Rexhepi nuk është prej atyre politikanëve që kanë lënë gjurmë të forta me atë që ka bërë. Fati politik, dhe ndoshta kontributi i tij si mjek i UÇK gjatë luftës, e bëri atë të ishte personi i duhur, në momentin e duhur. Por ai është më së shumti një politikan që duhet të çmohet për atë që nuk ka bërë.

Kryeministri i parë zyrtar i Kosovës së pasluftës, Bajram Rexhepi, është politikani i parë i Kosovës, që vrau frikën e qeverisjes nga njerëzit e luftës. I përzgjedhur për të bërë të pranueshëm imazhin e partive të dala nga UÇK, Rexhepi arriti të ishte një amortizator i fortë i hendekut të thellë që ekzistonte mes shumicës së Ibrahim Rugovës dhe opozitës së partive të dala nga lufta. Në një kohë kur mendohej se armiqësia mes partisë së Rugovës dhe krahut të luftës mund të çonte vendin në një luftë civile, portreti i Bajram Rexhepit ishte garanci për një paqe në horizont.

Ai duhet të çmohet së pari, që nuk bëri atë që kishin në mendje shumica e atyre që e mbështesnin atë, të bëhej pjesë e konfliktit kundër shumicës që mbështeste Rugovën. Nuk e bëri dhe natyrisht nuk u bë dot simbol i tyre.

Nuk duhet të harrojmë, që Bajram Rexhepi është politikani gjatë qeverisjes së të cilit, Kosova u ndesh me fenomene të shëmtuara, siç ishin vrasjet politike. Ishte koha kur u ekzektuan njerëz të njohur publikë, të afërt me LDK , mos-hetimi i të cilave është ende një plagë e hapur në Kosovë. Bajram Rexhepi nuk mund t’i ndalte dot ato, por së paku nuk i përkrahu dhe inkurajoi. Nuk u bë palë me vrasësit.

Bajram Rexhepi ishte kryeministër kur në Kosovë nisën të konsolidohen financiarisht klanet e luftës edhe duke uzurpuar pasuri publike të Kosovës përmes njerëzve të fortë.

Nga ky aspekt, vlerësimi ynë për Bajram Rexhepin nuk duhet të niset nga fakti që çfarë nuk mundi të ndalë, por nga fakti që ju shmang njehësimit me fenomenet negative që u shfaqën gjatë qeverisjes së tij dhe iku në punët e veta.

Çdo politikan shqiptar me një histori të tillë, që do të kishte në dorë pushtetin kur “hidheshin themelet e mafias së re”, do të kishte përfunduar me shumë gjasa një mafioz. Ose më së paku një politikan që nuk do të donte të ikte kurrë nga pushteti.

Bajram Rexhepi është dëshmitar në pushtet i vrasjes së disa veprimtarëve politikë në pushtet, dëshmitar i kapjes së shtetit nga të fortët, dëshmitar i luftëtarëve që u shndërruan në biznesmenë dhe i një shoqërie që lirinë nga pushtuesi, po e konvertonte në një liri për të kapur shtetin e ri.

Për këtë arsye, ne duhet të çmojmë Bajram Rexhepin që nuk u bë një nga ata që e patën zanafillën e lindjes së tyre nën fillimin e pushtetit të shqiptarëve në Kovovë.

Bëri sa mundi për atë detyrë që i ngarkuan, por mbi të gjitha duhet vlerësuar që nuk deshi të bënte atë që bëjnë të gjithë në këto raste. Të bëhej një nga Ata.

Mos humbisni

Dyshimet për idetë e Bashës mbi Reformën Zgjedhore

Nga Mero Baze E vetmja gjë që po bën mirë Lulzim Basha, është që po …

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.