E premte , 24 Shkurt 2017
Kreu / Ekonomi / Huamarrja me euro, qeveria ndryshon monedhën e borxhit

Huamarrja me euro, qeveria ndryshon monedhën e borxhit

Teprica e eurove në tregun e brendshëm e ka shtyrë Ministrinë e Financave të ndryshojë strategjinë e huamarrjes për të financuar deficitin buxhetor të këtij viti.

Në fund të muajit Ministria e Financave do të kërkojë 35 milionë euro borxh nga bankat apo individët vendas përmes emetimit të një obligacioni me afat maturimi dyvjeçar.

Kjo sasi borxhi është brenda kufirit të parashikuar të deficitit për këtë vit. Por MF fillimisht kishte përcaktuar që ky borxh të merrej në lekë dhe vëtëm ditët e fundit e ka kthyer planin duke vendosur ta marrë ne euro.

Burime nga ky dikaster thanë për Top Channel se arsyeja e zhvendosjes së huamarrjes nga leku në monedhën euro lidhet me situatën e pazakontë të krijuar në tregun financiar vendas, ku vihet re një tepricë e madhe eurosh.

Sipas tyre, bankat dhe institucionet e tjera financiare kanë sasi të mëdha likuiditeti në monedhën europiane, të cilat kanë vështirësi ku t’i investojnë për shkak të normave të ulëta të interesit si në tregun e brendshëm, ashtu dhe në atë të huaj.

Ndërkohë që për likuditetin në lek situata është një tjetër. Së pari, rritja e depozitave në lekë ka qenë më e ulët sesa ajo në valutë.

Përveç kësaj, bankat kanë patur ku ta shpenzojnë likuditetin në lekë, pasi thuajse të gjitha kreditë e reja janë dhënë në monedhën vendase, ndërsa kredia në valutë ka rënë.

Kjo asimetri e likuiditetit në treg e ka shtyrë Ministrinë e Financave që të ndryshojë planet e huamarrjes dhe borxhet që ishin parashikuar të merren në lekë t’i kontraktojë në valutë.

/ Top Channel

Mos humbisni

Shtyhet deri në fund të 2018 afati për bonot e privatizimit

Komisioni Parlamentar i Ekonomisë dhe Financave vendosi shtyrjen e afatit të përdorimit të bonove të …

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.