Kreu / Opinion / A është gati politika të pranojë “standardin” Tahiri?

A është gati politika të pranojë “standardin” Tahiri?

Nga Mero Baze

Përgjimet e dy banditëve shqiptarë dhe kapardisjet e tyre në telefon, duke përdorur emrin e një ministri të plotëpushtetshëm nuk më impresionojnë. Kam dëgjuar plot të tilla. Kam parë përgjimet e bandës së Lushnjës kur përmendnin Fatos Nanon dhe deputetë socialistë, kam parë lazaratasit që përmendnin Sali Berishën edhe kur flinin me gruan, kam parë të tjerë që përmendnin ryshfetet e Lulzim Bashës për leje ndërtimi. Kam dëgjuar histori të fortësh nga  ata që flasin në emër të Edi Ramës, apo nga Balilajt që flasin në emër të Metës. Dhe mbi të gjitha, nuk dua të debatoj për një dosje të ofruar për t’u përdorur, por për dosjen e plotë.

Në këtë pikë, vetë Saimir Tahiri ofroi gatishmërinë e tij për një hetim të thellë të çdo pikëpyetje rreth tij, dhe ky debat mbyllet këtu. Ai është sot njeriu më i papushteshëm në Shqipëri dhe mund të hetohet lirshëm, duke e dorëzuar vetë imunitetin e deputetit.

Saimir Tahiri nuk ishte fajtor për përhapjen e drogës në Shqipëri. Viti 2015, kur droga filloi të mbillej pas goditjes së Lazaratit, ishte viti kur Koço Kokëdhima u bë predikuesi i liberalizimit të hashashit, biles dhe me një përpjekje për të krijuar një lob parlamentar pro tij. Tek shqiptarët, të cilët e shihnin Kokëdhimën si njeri të afërt të Edi Ramës, ky ishte një sinjal që ata mund të mbillnin. Është e qartë se ministri Saimir Tahiri e humbi betejën me kanabisin, e humbi mbajtjen larg të policisë ndaj tij dhe mbi të gjitha, duket që ka humbur dhe kontrollin e disa banditëve mbi policinë.

Ajo që është evidente dhe që është përgjegjësi e ministrit Saimir Tahiri, është se këta dy banditë dhe ndoshta dhe të tjerë, ja kanë dalë ta përdorin policinë e Saimir Tahirit për punët e tyre. Fakti që ata kanë arritur të eksportojnë drogë, të ruajnë kontaktet me mafian italiane dhe të vazhdojnë të punojnë si trafikante droge, duke qenë të afishuar si të afërm të ministrit, tregon se ministri Saimir Tahiri, është më fajtor se sa qytetari Saimir Tahiri në këtë histori.

Defekti i tij serioz, lidhet me mënyrën se si ai filloi ta perceptojë policinë si një dashuri të tij, të cilën jo vetëm e besonte, por dhe nuk të lejonte t’ia prekje. 12 drejtorët e tij, ishin si 12 dishepuj të tij, por në fakt rezulton se idhulli i tyre në shumë raste ka qenë më shumë ndonjë tip si Habili, se sa Tahiri. Dhe kjo e bën përgjegjës si ministër Saimir Tahirin, sidomos në betejën kundër drogës. Ai është sot një viktimë e majme e saj.

Dhe i vetmi debat në këtë rast është nëse do të vendoset një standard i përgjegjësisë politike bazuar në fakte të tilla.

Koha ka treguar që standarde të tilla të forta janë shumë morale, por shpesh ato janë përdorur më shumë për larje hesapesh.

Në vitin 2007, ish- zëvendëskryeministri Ilir Rusmali dha dorëheqje nga detyra edhe si ministër Drejtësie, pasi njerëz të lidhur me djalin e Berishës, publikuan një regjistrim, ku vëllai i tij po i kërkonte një zyrtari të favorizohej në një tender që nuk u bë kurrë.

Rusmali dha dorëheqje dhe më pas iku dhe nga politika, duke tentuar të vendosë një ‘stekë’ shumë të lartë në standardin moral të asaj shumice dhe politikës shqiptare. Ditën që ka dhënë dorëheqje, kam shkruar dhe komentuar në një studio televizive, që ky është një standard shumë i lartë për t’u respektuar nga Kryeministri, nëse del që djali i tij merret me armë diku afër Vorës, apo dikush tjetër del që keqpërdor pushtetin….

Dhe gjashtë muaj më vonë, shpërtheu Gërdeci dhe ne pamë se si Berisha shkatërroi shtetin për të mbrojtur djalin, i cili dilte së paku në tabulate, se gjysëm ore pas tragjedisë, kishte folur 25 minuta me “ortakun” Mihal Delijorgji, duke qarë hallin që i gjeti. Pra shteti u tall me standardin Rusmali dhe më vonë, Lulzim Basha, e mbylli procesin gjyqësor për “Rrugën e  Kombit” me procedurë, Fatmir Mediu u shpëtoi gjashtë viteve burg, kërkuar nga Prokuroria, duke djegur afatet e gjyqit, më 21 Janar, Berisha dhe Basha vranë katër vetë dhe as u paraqitën fare në Prokurori, e kështu me radhë.

Rasti Tahiri po duket interesant pasi në katër vite që shkuan, nuk pati asnjë ministër të qeverisë ‘Rama’ nën akuzë, pasi asnjë prej tyre nuk bëri ato që bënë ministrat e Berishës, përfshi Bashën e Mediun, në mandatin e parë.

Tani zgjidhni çfarë do të bëni me këtë histori, nëse do ta vendosni si standard ndëshkimin, me përgjime të tilla. Duhet të jemi gati të respektojmë tani e tutje këtë standard për çdo politikan të përfolur. Duhet të zbardhin tabulatet e çdo krimineli dhe kushdo që ata përflasin, mund ta kryqëzojmë.

Ja vlen të debatojmë nëse këtë histori do ta marrim për standard akuze.

Por mos e bëni si Berisha me Rusmalin, që i tha “bëj si të them unë, por mos bëj si bëj unë”.

Mos humbisni

Pushtetarë dhe ish, edhe vrima e miut është bllokuar

Nga Genta Kaloçi Në prag të reformës dhe vetingut në drejtësi të gjithë mundohen të …

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.