Kreu / Opinion / Zgjedhjet grisën “Tigrin” prej letre të Maqedonisë

Zgjedhjet grisën “Tigrin” prej letre të Maqedonisë

Nga Mero Baze

Zgjedhjet lokale në Maqedoni dëshmuan se partia e Nikolla Gruevskit, u shkatërrua në gjithë bastionet e saj dhe se nacionalizmi me të cilin ajo ju kundërvu perëndimit dhe shqiptarëve, ishte një farsë. Rezultatet e raundit të parë tregojnë se LSMD e Zoran Zevit, i cili qeveris së bashku me shqiptarët, ka fituar dukshëm në gjithë bastionet që më parë mbaheshin prej Gruevskit, ndërsa nga partitë shqiptare ka përparuar Aleanca Shqiptare e Ziadin Selës, i cili u bë simbol i goditjes nga dhuna e Gruevskit ditën e parë që u çel parlamenti i Maqedonisë, pas gjashtë muaj krizë.

Të gjithë ata që mbronin Gruevskin në procesin e bllokimit të dorëzimit  të pushtetit në Maqedoni, nën zë arsyetonin se ai ka shumicën e Maqedonisë me vete dhe se aleanca e Zaevit me shqiptarët do të jetë një dështim, pasi do të konsiderohet kolaboracionizëm me shqiptarët. Këtë ide e ka pasur dhe opozita e sotme shqiptare, e cila u rreshtua thuajse hapur në anën e Gruevskit. Lulzim Basha biles dhe përshëndeti formimin e qeverisë mes Gruevskit e Ahmetit, edhe pse ata nuk e shpallën. Ilir Meta po ashtu i qëndroi deri në fund linjës pro Gruevskit.

Dhe nuk ishin vetëm opozitarët e Tiranës. Një linjë e tërë, kryesisht lindore, dhe lobistë të paguar nga Gruevski, përsëritën gjithë marrëzitë e Saliut në Tiranë, duke shpikur komplote Sorosi në Ballkan, duke shpresuar tek Trumpi e broçkulla të tilla. Gjithë “fuqia” e Gruevskit ishte tek fakti që ai kishte unfikuar maqedonasit kundër shqiptarëve dhe se çdo bashkëpunim me shqiptarët do kthente një parti maqedonase në pakicë.

Zaev pati mençurinë dhe vizionin që për herë të parë në Maqedoni, jo vetëm bashkëpunoi me shqiptarët, por bëri shqiptarë deputetë në listën e tij, duke marrë rreth 70 mijë vota shqiptarësh.

Rezultati është i dukshëm.

Testi i parë elektoral pas dy vitesh krizë dhe ngërç në kalimin e pushtetit, dëshmoi se Gruevski ishte një tigër prej letre që tentonte të trembte Perëndimin me nacionalizmin e tij, i cili nuk funksionoi. Bashkë me të, ranë gjithë teoritë kërcënuese ndaj Perëndimit në Maqedoni, dhe sidomos ideja e destabilizimit, duke ndarë më keq shqiptarët me maqedonasit.

Ali Ahmeti, partia më e madhe e shqiptarëve, duket se është plasaritur pak, por mbahet ende në këmbë e para, ndërsa Ziadin Sela po përparon drejt një partie të rëndësishme, duke përqëndruar votën në Strugë dhe Gostivar dhe po barazohet me Besën, një parti që duket se ka një shfryrje nga zgjedhjet e shkuara. Retorika pro-islamike  e saj duket se për fat nuk ka funksionuar.

Por në tërësinë e vet, rezultati i këtyre zgjedhjeve, dëshmon se ata që donin të frikësonin Perëndimin me një “Tigër prej letre” në Maqedoni, dështuan. Gruevski dhe humbja e tij e thellë, janë një mesazh i qartë për këdo që sa herë rrezikon pushtetin, tenton t’i vërë zjarrin vendit, për të trembur Perëndimin me destabilizim.

Mos humbisni

Pushtetarë dhe ish, edhe vrima e miut është bllokuar

Nga Genta Kaloçi Në prag të reformës dhe vetingut në drejtësi të gjithë mundohen të …

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.