Kreu / Sport / Spanja turpëron Shqipërinë, 3-0

Spanja turpëron Shqipërinë, 3-0

Vetëm 11 minuta lojë i kanë mjaftuar “Furia Roja”-s të mposhtë kuqezinjtë tanë, të cilët shkonin me mungesa të shumta në Alicante, përballë një superfuqie si Spanja, që gjithsesi bëri eksperimentet e saj. Në ndeshjen e fituar 3-0, spanjollët kishin hedhur në fushë nga minuta e parë, lojtarë të tillë si Rodrigo i Valencias, apo Alvaro Odriozola i Real Sociedadid.

Shqipëria e nisi me presing lojën dhe në minutat e para ia doli të bënte disa sulme, gjithsesi të parrezikshme për De Gean, por kjo zgjati deri në minutën e 16, kur ishte pikërisht Rodrigo që shfrytëzoi asistin e Iscos për të zhbllokuar rezultatin në 1-0. Tetë minuta më vonë ishte fantazisti i Realit të Madridit, Isco që do të dyfishonte rezultatin, për t’i lënë vend 3 minuta më vonë Thiago Alcantarës të mbyllte gjithçka.

Për kombëtaren kuqezi ishte një pjesë e parë për t’u harruar, me shumë gabime në mbrojtje, ndërsa e vetmja shpresë për të lënë gjurmë në Alicante ishte ajo shtyllë e goditur nga Asdren Llullaku, përpara se ekipet të shkonin në dhomat e zhveshjes.

Pjesa e dytë nisi me dy zëvendësime për kuqezinjtë, me Sadikun dhe Agollin që zunë vendet e Balliut dhe Memollës respektivisht. Ndryshe nga pjesa e parë, këtë herë shqiptarët patën më shumë hapësira dhe tentuan disa herë të shënonin të paktën golin e nderit, por askush nuk ia arriti, madje as Armando Sadiku që goditi bukur me kokë, pas një krosimi nga e djathta, por që u ndal sërish në shtyllë.

Spanja shënoi golat, ndërsa ne tronditëm shtyllat, në një ndeshje që sheh “La Roja”-n të presë zyrtarisht biletën për në “Rusi 2018”, ndërsa Shqipërisë i lëkunden tashmë edhe pozitat si forcë e tretë, me Italinë që barazon 1-1 ndaj Maqedonisë dhe Izraelin që fiton 1-0 në fushën e Lihtenshtajnit. Izraelitët do të presin spanjollët e kualifikuar tashmë, ndërsa Shqipëria do të ndeshet në “Loro Boriçi” me Italinë që ka siguruar një vend në fazën “play off”, me synimin për të ruajtur avantazhin prej 1 pike ndaj Izraelit.

Mos humbisni

“Strakosha, një ‘Zot’ i zbritur në tokë”

Lazio i shkaktoi humbjen e parë Juventusit në Serie A, duke e mposhtur 1-2 në …

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.