Kreu / Opinion / Sondazhi, ja sa vota mund të marrë Veliaj sot në Tiranë

Sondazhi, ja sa vota mund të marrë Veliaj sot në Tiranë

Nga Eduard Zaloshnja

Edhe pse vetëm 18 muaj na ndajnë nga zgjedhjet bashkiake të Tiranës, ende nuk është përvijuar një kandidat i opozitës për bashkinë kryesore të vendit. Ndërkohë që e dimë se kush është kandidati i opozitës për kryeministër (“kryeministri në hije” Basha), nuk e dimë se kush është “kryebashkiaku në hije” i Tiranës. Sidoqoftë, me gjasë, ai do të jetë një kandidat i përbashkët i opozitës së bashkuar.

Bazuar në këtë hamendësim, në sondazhin elektronik të radhës (në serinë e sondazheve që kam zhvilluar muajt e fundit, për një revistë që botohet këtu në anglisht), testova sesi do të dilte sot Erion Veliaj në garën me një kandidat të përbashkët të opozitës së bashkuar. Konkretisht, të anketuarit iu përgjigjën (përmes klikimit), këtyre dy pyetjeve:

Për kë do të votonit, nëse do të zhvilloheshin sot, zgjedhjet bashkiake të Tiranës?

1-   Erion Veliaj;

2-   Një kandidat i përbashkët i opozitës së bashkuar;

3-   S’e di/S’votoj

Për kë votuat në 25 qershor 2017?

1-   PS;

2-   PD/LSI/PR;

3-   LIBRA/FRD/SFIDA/PDS/PDIU/PSD etj.;

4-   S’votova

Sondazhi u krye në ditët e para të janarit, me 2000 të anketuar në rang bashkie (në shkallën 1/200), për ta përfaqësuar elektoratin tiranas sa më mirë, demografikisht dhe politikisht. Maksimumi i marzhit të gabimit për këtë sondazh, ishte plus/minus 2.1%.

Nga sondazhi rezultoi se, ndër të anketuarit që janë të vendosur të votojnë qysh sot, për njërin nga dy kandidatët, Veliaj ka përkrahjen e 55% të tyre, ndërsa kandidati i opozitës ka përkrahjen e 45% të tyre (Grafiku 1). Për krahasim, në zgjedhjet e 25 qershorit 2017, PS-ja mori vetëm 51% të votave në territorin aktual të bashkisë së Tiranës.

Numri i pjesëmarrësve sot, do të ishte rreth 20 mijë më pak se në qershor 2017 (do të zbriste nga 320 mijë, në 300 mijë). Sidoqoftë, Veliaj do të merrte rreth 2000 vota më shumë, seç mori vjet PS-ja, në territorin aktual të bashkisë së Tiranës (Grafiku 2).

Rreth 10 mijë votues të sotëm të Veliajt, nuk kanë votuar vjet për PS-në. Gjysma e këtyre 10 mijëve, kanë votuar për një nga shumë partitë e tjera në garë, ndërsa gjysma tjetër nuk kanë votuar fare në zgjedhjet e qershorit të vjetshëm.

Duke faktorizuar edhe marzhin e gabimit të sondazhit, duket qartazi se Veliaj do të ishte fituesi i zgjedhjeve kryeqytetase, në qoftë se ato do të zhvilloheshin sot. Dhe kjo gjë duhet të shërbejë si një kambanë alarmi për opozitën, e cila nuk duhet të presë deri në muajin e fundit para zgjedhjeve, për të përcaktuar kandidatin e Tiranës.

Që të ketë shans t’i afrohet 50-përqindëshit, kandidati i opozitës së bashkuar duhet të përcaktohet qysh sot dhe t’i kundërvihet Veliajt, duke i ofruar publikut një alternativë tjetër për qeverisjen e kryeqytetit. Kritikat e zbehta që i bëjnë Veliajt këshilltarët opozitarë në këshillin bashkiak, apo ato që i bëjnë mediat opozitare, nuk mjaftojnë për të rikthyer në kutitë e votimit 40 mijë tiranasit e djathtë, që e braktisën të djathtën në zgjedhjet e qershorit 2017.

Siç duket nga sondazhi, kur të vijë dita e zgjedhjeve bashkiake (pas 18 muajsh), për Veliajn mund të votojnë rreth 170 mijë tiranas. Ndërkohë, për tre partitë kryesore opozitare (PD, LSI, PR), votuan vjet vetëm 130 mijë tiranas. Hendeku prej 40 mijë votash do të dojë shumë përpjekje që të mbushet…

Mos humbisni

100 ditë rrotull tepsisë!

Nga Mero Baze 100 ditëshi i parë i qeverisë duket se është marrë peng nga …

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.