Kreu / Dosje / Si u vra Hasan Prishtina në Selanik nga një tregtar perimesh

Si u vra Hasan Prishtina në Selanik nga një tregtar perimesh

I ishin bërë 4 atentate, ishte dënuar dy herë me vdekje, i arrestuar dy herë nga serbo-malazezët, ndërsa në vitin 1922 iu hoq imuniteti. Hasan Prishtina mund të kishte ndërruar jetë në çdo mënyrë, por jo ashtu si të dielën e 13 gushtit 1933, kur në orën 14.00 Ibrahim Çelo e qëlloi këtë herë duke e lënë të vdekur në një rrugë të Selanikut në Greqi.

SKENA E VRASJES

Kriminologjia rrallë njeh një rast të tillë. Atë të diel zhegu të 13 gushtit Hasan Prishtina dhe Ibrahim Çelo ishin duke ecur në rrugën “Çimisqi” të Selanikut, duke biseduar me njëri-tjerin për çështje që i shqetësonin të dy. Pak minuta më parë kishin konsumuar një kafe në një lokal dhe sapo kanë dalë prej tij, krejt të shpenguar po bënin disa hapa në këmbë. Por kur akrepi shënoi fiks 14.00, befas Ibrahim Çelo ngadalësoi hapin, bëri pak anash, nxori nga brezi një pistoletë dhe pa asnjë fjalë qëlloi ndaj Hasan Prishtinës. Katër plumba i përshkruan trupin njeriut që pas një muaji e pak ditësh do të mbushte 60 vjeç. Por vrasësi nuk u mjaftua me kaq. Teksa shikonte Prishtinën të mbytur në gjak, afroi tytën e pistoletës në kokë dhe e qëlloi sërish, për t’u bindur që viktima nuk merrte më frymë.

SI U ORGANIZUA VRASJA

Pa dyshim që ngjarja ishte e rëndë për Greqinë, vendin në të cilin ndodhi, si dhe për Shqipërinë së cilës i përkisnin viktima dhe autori. Opinioni kërkonte shumë informacion dhe për gazetarët kjo ngjarje ishte lëndë e parë për të treguar profesionalizmin e tyre. Gazeta greke “Maqedonia e re”, e datës 14 gusht 1933 raporton ngjarjen:

“Një tjetër vrasje që u bë në rrugën Çimisqi, tronditi Selanikun. Politikani shqiptar Hasan Prishtina u vra në qoshen Çimisqi në Vogaxhiku, përpara bakallhanes “IVI”. Shqiptari Ibrahim Çelo, 38-vjeçar, i papunë, qëlloi pesë herë ish-kryeministrin shqiptar, Hasan bej Prishtinën”.

Por si dhe përse u vra politikani shqiptar? Raporti i gazetës është për t’u lavdëruar edhe sot për nga saktësia dhe detajet që jep.

“Vrasësi nënvizoi se akti i tij u dedikohet motiveve politike. Ndërkaq pretendoi se ish-kryeministri i atdheut të tij ishte komit dhe bashkëpunonte me komitetin bullgaro-maqedonas me qëllim që të vrisnin mbretin e Shqipërisë Ahmet Zogun. Planet, thotë atentatori, m’i tregoi Hasan Prishtina përpara pesëmbëdhjetë ditëve, kur po vinim prej Vjene (Austri) dhe më bënte presion që të bëhesha unë kryetar i bandës komite dhe të shkoja në Tiranë ku të vrisja mbretin Ahmet Zogu. Prishtina, vijon vrasësi, më premtoi shpërblim mujor dhe një shpërblim dhuratë mbas aktit të vrasjes, por unë i kundërshtova këto propozime të tij, sepse jam pro regjimit të mbretit Ahmet Zogu dhe nuk dëshiroja të bëhem vegël e Hasan Prishtinës, të cilin në Shqipëri e quajnë tradhtar”.

Në Shqipëri lajmi mori dhenë. Por shumë pak, ose aspak komente bënë politikanët dhe zyrtarët e kohës me arsyetimin se Hasan Prishtina ishte tashmë në pension politik. Përjashtim bënte Mustafa Kruja. Në një shkrim të tij ai ka dhënë detaje për krimin, por edhe arsyen përse Hasan Prishtina ndodhej në Selanik kur u vra.

“.. Hasan Prishtina kishte shkuar në Selanik për të rregulluar disa çështje të pasurisë së paluajtshmne që kishte atje, si dhe për të parë nënën e tij plakë dhe të vëllanë.

Mustafa Kruja që pas 8 vjetësh do të bëhej vetë kryeministër i vendit, portretizon Hasan Prishtinën me nota të larta atdhedashurie.

“Hasan Prishtina i besoi vrasësit, i cili u paraqit si mik. I besoi para së gjithash ngase ai ishte irredentist e një irredent nuk do të mund të ishte kurrë një shpirt i shitur te armiqtë e irredentizimit. Dhe e pagoi tragjikisht gabimin. Vdiq me dashurinë e atdheut. I kurorëzoi me flijim të lartë sakrificat e 25 viteve në altarin e idealit të pastër”.

CILI ISHTE VRASËSI IBRAHIM ÇELO?

Thjesht Ibrahim Çelo ishte një vrasës dhe jo dosido. Kishte ekzekutuar një personalitet shqiptar nga më të njohurit në historinë e vendit, si Hasan Prishtina. Ai u arrestua pak orë pas vrasjes dhe iu nënshtrua një procesi hetimor dhe gjyqësor. Por ndërsa ditët kalonin, për opinionin grek kishte filluar zbutja ndaj tij. Gazetat nisën të përshkruajnë vërtet një vrasës, por plot me detaje që të habisin.

“Ibrahim Çelo jetonte në Nikea të Francës dhe ishte tregtar frutash, ishte i martuar me një spanjolle, me të cilën kishte dhe fëmijë. Atje u njoh përpara disa vitesh me Hasan Prishtinën, që ish shpërngulur në Nikea për hir të shlodhjes dhe kishin lidhur marrëdhënie familjare. Gjatë njohjes midis tyre Hasan Prishtina i kishte treguar për rininë, vështirësitë që kishte kaluar pas largimit nga Shqipëria në Turqi dhe Bullgari. Në Turqi pat gjetur miq të vjetër dhe bashkëluftëtarë kundër xhonturqve. Mori pjesë në një shoqatë të fshehtë me bashkatdhetarët e vet për çështjen shqiptare”.

Pasi e la të vdekur ish-kryeministrin, Ibrahim Çelo vrapoi me shpejtësi për t’u larguar sa të mundte nga vendi i ngjarjes. Ndërkohë shumë kalimtarë që panë skenën e vrasjes iu vunë pas. Vetëm pas disa minutash, i frikësuar edhe nga dhjetëra njerëz që po e ndiqnin, Ibrahim Çelo ndali hapin në portën e vilës së një mjeku, i cili e futi brenda duke e shpëtuar nga masakrimi që mund t’i bënin ata që po e ndiqnin. Për pak minuta policia mbërriti në dyert e vilës dhe Çelo u dorëzua pa bërë rezistencë.

Ibrahim Çelo në polici dëshmoi se arsyeja e vrasjes ishte politike. Hasan Prishtina i kishte kërkuar që ta vriste Ahmet Zogun kundrejt një shpërblimi dhe për këtë arsye ai vrau Hasan Prishtinën. Në dëshminë e tij në polici Çelo ka dhënë këtë version:

“Këto plane mi tregoi vetë Hasan Prishtina përpara 15 ditëve kur po vinim prej Vjene dhe më kërkoi të bëhesha unë kryetar i kësaj bande komite dhe të shkoja në Tiranë për të vrarë Ahmet Zogun. Hasan Prishtina më premtoi shpërblim mujor dhe një shpërblim dhuratë pas aktit të vrasjes por unë i kundërshtova këto propozime të tij sepse jam pro regjimit të mbretit Ahmet Zogu dhe nuk doja të bëhesha vegël e Hasan Prishtinës, të cilin në Shqipëri e quajnë tradhëtar”.

Gjykata e Selanikut e dënoi Ibrahim Çelon me burgim të përjetshëm si autor të vrasjes së Hasan Prishtinës. Por ai jo vetëm nuk vdiq në burg, por pas 7 vitesh, 8 muajsh e 16 ditësh u lirua. Më 29 prill të vitit 1941, kur Gjermania naziste pushtoi Greqinë, i liroi të gjithë të burgosurit nga burgjet. Mes tyre ishte edhe Ibrahim Çelo që, natyrisht, nuk u kthye më në qeli. Që nga ky moment për të nuk ka asnjë informacion. Besohet se ka ndryshuar identitet dhe shkoi në Vjenë, por askush nuk e ka vërtetuar këtë ndonjëherë, duke e mbyllur kështu historinë e një krimi kaq të rëndë, autor i të cilit ishte pikërisht ai, Ibrahim Çelo ose, më saktë, Sela.

AHMET ZOGU NË VRASJEN E HASAN PRISHTINËS

Hasan Prishtina ishte një nga amiqtë më të mëdhenj të Ahmet Zogut. Mes katër tentativave për ta vrarë Hasan Prishtinën, në njërën prej tyre Zogu ishte i implikuar plotësisht. Ngjarja e shkurtit të vitit 1928, kur në Vjenë iu bë atentat, ishte për të thjesht një kronikë e një vrasjeje të paralajmëruar. Gazeta “Ora e Shqipnisë”, që botohej nga emigrantët politikë në Vjenë, nën titullin “Koburja e tiranvet dhe gjoksi i patriotëve”, shkruante mes të tjerave:

“Bisha nuk është nginjur më… Nuk mjaftoi gjaku i Elez Isufit, Zija Dibrës, Luigj Gurakuqit, Bajram Currit dhe i sa e sa të tjerëve. Ahmet Zogu me kryet e bandës kriminale që e ka qendrën në pallat presidencial të Tiranës dhe Çatin Saraçi, famigjerati organizator i vrasjes së Luigj Gurakuqit, e filjalën e saj në zyrën e konsullatës shqiptare në Vjenë, deshtën dhe një herë me ushtrue një akt terrori dhe barbarizme të shtrojnë me plumbat e një kobureje atë patriot që nuk mujtnë me e shtrue as premtimet ma të mëdha, të joshtunat më të bukura… Katili deshti me shtue edhe një shirit tjetër të zi”.

Mjafton kjo për të kuptuar se në rastin më të mirë Ahmet Zogu ka fërkuar duart me vrasjen e Prishtinës dhe, në rastin më të keq, ka qenë ideatori e organizatori që çoi Ibrahim Çelon në ekzekutimin e tij. Një tjetër bashkëpunëtor në këtë vrasje del edhe Irfan Ohri. Sipas Sali Verdhës, Ohri ishte një nga bashkëpunëtorët e Ahmet Zogut, por erdhi një moment që as Irfan Ohri nuk i besonte Zogut dhe as Zogu nuk i besonte më Irfan Ohrit.

“Irfan Ohri, i njohur si komplotist dhe i pabesë, mori pjesë në organizimin e vrasjes së Hasan Prishtinës, i cili në atë kohë ndodhej në Selanik. Me qëllim që të fitonte besim te Zogu, dërgoi në Tiranë gruan e tij bashkë me Ibrahim Again, të cilët morën përsipër të vrisnin Hasan Prishtinën. Ibrahim Agai, i cili do të bënte atentatin, do të shpërblehej mirë nga Zogu dhe Irfan Ohri mbas atentatit do të falej dhe do t’i jepej e drejta të vendosej në Kavajë”.

Po cili ishte fati i Irfan Ohrit? Pasi u vra Hasan Prishtina, në Selanik, Irfan Ohri erdhi e u vendos në Kavajë për të ushtruar zanatin e tij prej spiuni në shërbim të italianëve dhe mbas kapitullimit të Italisë vazhdoi spiunimin në shërbim të gjermanëve. Këtë bëri derisa u shporr okupatori gjerman dhe bashkë me të u shporr edhe Irfan Ohri.

10 FAKTE

1.Hasan Prishtina ishte një nga politikanët shqiptarë më në zë në fund të shekullit të 19-të dhe në fillim të shekullit të 20-të. Ai ishte deputet dhe kryekonsull gjatë Perandorisë Osmane. Pas themelimit të shtetit shqiptar ishte kryeministri i 8-të, i tij, ministër i Brendshëm dhe ministër i Postë-Telegrafës

2.Hasan Prishtina nga Vushtria e Kosovës ishte nga ata politikanë shqiptarë që e shkrinë pasurinë dhe jetën e tyre në shërbim të atdheut, kombit dhe shtetit

3.Vrasja e Hasan Prishtinës është një nga krimet më të rënda ndaj një personaliteti në historinë e shtetit shqiptar

4.Përpara se të vritej Hasan Prishtina kishte kaluar katër tentativa të tjera vrasjeje në të cilat kundërshtarët politikë kishin synuar ta eliminonin fizikisht

5.Armiku kryesor i Hasan Prishtinës ishte Ahmet Zogu, të cilin edhe vetë Prishtina kishte synuar ta eliminonte. Në vitin 1928, sapo Ahmet Zogu u shpall mbret, një gjykatë në Tiranë e dënoi Prishtinën me vdekje si armik të regjimit. Kjo ishte hera e dytë që Hasan Prishtina dënohej më vdekje pas dënimit që mori nga Perandoria Osmane

6.Konflikti mes Hasan Prishtinës dhe Ahmet Zogut nisi gjatë 5 ditëve që Prishtina qëndroi në detyrën e kryeministrit, nga 7 deri më 12 dhjetor 1921

7.Ato ditë kryeministri Hasan Prishtina e shkarkoi Ahmet Zogun si komandant të operacionit në Mirditë, sepse nuk iu bind vendimit të qeverisë

8.Pas largimit të Prishtinës nga posti i kryeministrit, Ahmet Zogu tashmë ministër i Brendshëm, kërkoi arrestimin e tij, por paqja u vendos me kushtin që Prishtina të largohej nga Shqipëria

9.Shteti italian nëpërmjet shërbimit sekret mbështeste bashkimin e Shqipërisë me Kosovën nën ombrellën e tij, duke mbështetur Hasan Prishtinën ta udhëhiqte këtë proces. Më 22 qershor 1933 autoritetet austriake e dëbuan Hasan Prishtinën nga ky shtet pikërisht për këtë arsye. Nga ky moment ai shkoi të jetonte në Selanik, ku pas afro dy muajsh u vra nga Ibrahim Çelo

10.Pak minuta përpara vrasjes Hasan Prishtina ishte duke ecur bashkë me Ibrahim Çelon, atë që do të bëhej vrasësi i tij. I njohur si Ibrahim Çelo, në fakt, vrasësi i Hasan Prishtinës quhej Ibrahim Sela, por gjeneralitetet i janë ndryshuar si përshtatje në gjuhën sllave

10 MISTERE

1.Si ka mundësi që vrasësi Ibrahim Çelo pasi qëndroi në kafene me Prishtinën, bëri me të edhe një copë rrugë në këmbë dhe befas e qëlloi me pistoletë, gjë që sipas tij ishte reagim ndaj synimeve të Prishtinës për të vrarë Ahmet Zogun?

2.Si ka mundësi që propozimit të Prishtinës për të vrarë Zogun, Ibrahim Çelo i përgjigjet duke vrarë Prishtinën?

3.Si ka mundësi që Ibrahim Çelo ishte prekur shumë nga ideja e Prishtinës për të vrarë Zogun, kur vetë Çelo jetonte në Francë dhe nuk ka pasur shumë lidhje me Shqipërinë e jo më me Ahmet Zogun?

4.Si ka mundësi që stacioni kryesor i Ibrahim Çelos për të shkuar në Selanik për të takuar Prishtinën ka qenë Vjena, qendra e emigrantëve politikë dhe atje ku kishte shumë kundërshtarë të Zogut, por edhe ndjekës të tij?

5.Përse vrasësi dhe të gjithë pasardhësit e tij e kanë ndërruar mbiemrin nga Sela në Çelo?

6.Si ka mundësi që lajmi në Shqipëri për vrasjen e Hasan Prishtinës u dha shumë pak kohë pas vrasjes, kur mjetet e informacionit ishin shumë të kufizuara?

7.Si ka mundësi që shërbimi sekret italian që kontrollonte çdo lëvizje të Hasan Prishtinës dhe Ibrahim Çelos nuk kishte informacion që ata u takuan të dy bashkë në Selanik?

8.Si ka mundësi që para se ta qëllonte me armë, Ibrahim Çelo e ka qëlluar me grusht Hasan Prishtinën? A e bëri këtë që të jepej ideja që vrasja u bë pas një sherri mes tyre?

9.A ishte vrasja pjesë e një plani të shërbimit sekret jugosllav për të penguar planin “Shqipëria e vërtetë” për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, të cilin synonte ta vinte në zbatim Hasan Prishtina?

10.Si ka mundësi që për regjimin komunist deri në vitin 1960 Hasan Prishtina qe vetëm një tradhtar dhe, befas pas këtij viti, u shndërrua në hero?

HASAN PRISHTINA

VIKTIMA: HASAN PRISHTINA

POZITA E VIKTIMËS NË MOMENTIN E VRASJES: Emigrant politik

POZITAT E TJERA TË VIKTIMËS PËRPARA VRASJES: Kryeministri i 8-të i shtetit shqiptar, ministër i Brendshëm në qeverinë e Ismail Qemal Vlorës, ministër i Postë-Telegrafës në qeverinë e Turhan Pashë Përmetit, tri herë deputet në parlamentin e Perandoriosë Osmane, deputet në Parlamentin e Shqipërisë

DATËLINDJA: 27 shtator 1873

VENDLINDJA: Vushtri, Kosovë

DATA E VRASJES: E diel, 13 gusht 1933, ora 14.00

MOSHA E VIKTIMËS: 59 vjeç, 10 muaj e 16 ditë

VENDI I VRASJES: Kryqëzimi i rrugës “Çimsiqi” me rrugën “Vogaxhiku”, Selanik, Greqi

AUTORI I VRASJES: Ibrahim Çelo nga Resnja e Maqedonisë

POZITA E AUTORIT: Tregtar perimesh

MËNYRA E VRASJES: Me pesë plumba të pistoletës tip “Smith”, katër në trup dhe një në kokë

MOTIVI I VRASJES: Për arsye personale

SHIFRA

4 ATENTATE

I ishin bërë Hasan Prishtinës, ndërsa ishte dënuar 2 herë me vdekje, por edhe ishte arrestuar 2 herë nga serbo-malazezët

6000 LIRETA

I dha Shërbimi Sekret Italian Hasan Prishtinës për ta ndihmuar atë dhe Komitetin e Kosovës për bashkimin e Shqipërisë me trojet jashtë kufijve

2 DITË PROCES GJYQËSOR

U zhvillua në Gjykatën e Selanikut ndaj Ibrahim Çelos, autorit të vrasjes së Hasan Prishtinës

7 VJET, 8 MUAJ E 16 DITË

burg bëri Ibrahim Çelo pas dënimit me burgim të përjetshëm. Ai u arrestua më 13 gusht 1933 dhe u lirua më 29 prill 1941, kur Gjermania pushtoi Greqinë dhe i liroi të gjithë të burgosurit

DËSHMI DHE DEKLARATA

Hasan Prishtina në ditën e hapjes së Parlamentit, më 22 dhjetor 1921.

“Shqiptarit nuk mund t’i mbyllet goja as nga dyfeku dhe as nga topi”.

Mustafa Kruja, publicist, ish-kryeministër

“Me vrasjen e Hasan Prishtinës irredentizimi shqiptar humbi një prijës trim, Shqipëria një bir të devotshëm e guximtar, ndërsa Italia njërin ndër miqtë më besnikë në Shqipëri”.

Ibrahim Çelo, autor i vrasjes së Hasan Prishtinës, në dëshminë e tij përpara policisë

“Akti im i dedikohet motivit politik. Hasan Prishtina ishte një komit dhe bashkëpunonte me komitetin bullgaro-maqedonas me qëllim që të vrisnin mbretin Ahmet Zogu”.

Mos humbisni

Sokol Hoxha: Ja amaneti që më la babai im, Enveri

Sokol Hoxha, djali i ish-udhëheqësit komunist Enver Hoxha zbulon në një intervistë amanetin e fundit që …

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.