Këshilli i Ministrave miratoi të mërkurën projektligjin që parashikon ngritjen e Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Kjo strukturë do të luftojë korrupsionin në radhët e zyrtarëve të nivelit të lartë.
Sipas mediave BKH parashikohet të funksionojë si pjesë e strukturave policore dhe pas kalimit të reformës në drejtësi, ajo do jetë pjesë e njësisë speciale antikorrupsion.
Ngritja e BKH-së ka qenë javët e fundit në qendër të debatit politik në vend. Opozita e djathtë ka këmbëngulur për miratimin e pr/ligjit në fjalë, duke pretenduar se qeveria disponon një draft të hartuar nga ekspertë të misionit amerikan OPDAT. Në përgjigjen e saj, qeveria ka deklaruar se fillimisht ky projekt duhet të shqyrtohet nga komisioni i reformës në drejtësi, për të parë nëse nevojitet të miratohet ose jo në varësi të ndryshimeve të parashikuara kushtetuese.
Në qershor të vitit të kaluar Gjykata Kushtetuese rrëzoi krijimin e BKH-së, funksionimi i së cilës parashikohej në ligjin e ri “Për Policinë e Shtetit”, i miratuar në vitin 2014 me votat e maxhorancës. Gjykata e konsideroi “të papajtueshëm me Kushtetutën”, ngritjen e kësaj strukture, e cila u kundërshtua nga opozita, por në atë kohë dhe nga Presidenti Bujar Nishani, i cili e kishte kthyer ligjin për rishqyrtim në Kuvend.
Ngritja e Byrosë së Hetimit kishte dhe mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë, posaçërisht të FBI-së amerikane, e cila do të ndihmonte autoritetet shqiptare në funksionimin e këtij institucioni.
Diskutime rreth kësaj post