Kreu / Politikë / Prapaskenat, ja kush e ka bllokuar kryeprokurorin e ri

Prapaskenat, ja kush e ka bllokuar kryeprokurorin e ri

Komisioni i Shoqërisë Civile pranë Avokatit të Popullit mban peng zgjedhjen e kryeprokurorit të ri, duke përfshirë politikën shqiptare në një konflikt të panevojshëm si dhe duke ngrirë të gjithë procesin e zbatimit të Reformës në Drejtësi. Ky është konstatimi i Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit, Genci Gjonçaj, përcjellë përmes një memoje, drejtuar Komisionit të Ligjeve.

Në memo Gjonçaj thotë se mungesa e anëtarit të pestë që vjen nga shoqëria civile ka bllokuar ngritjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, organ ky përgjegjës për përzgjedhjen e tre kandidaturave për Prokuror të Përgjithshëm, që përmbushin kriteret e parashikuara në ligjin e ri për prokurorinë.

Më pas, Kuvendi zgjedh një nga tre kandidatët me 3/5 e votave. Në memo sqarohet se që nga data 4 dhjetor 2017, Kuvendi nuk ka asnjë korrespondencë me Komisionin e Shoqërisë Civile pranë Avokatit të Popullit.

“Për anëtarin e pestë që vjen nga radhët e shoqërisë civile, që nga muaji mars e deri më tani, numri i kandidatëve që i janë përgjigjur thirrjeve për shprehje interesi ka rezultuar nën minimumin ligjor sipas kërkesës ligjore të përcaktuar në nenin 156 pika 1 e ligjit 115/2016, ku kërkohet që Komisioni i Shoqërisë Civile të dërgojë në Kuvend listën e kandarëve, e cila duhet të jetë jo më pak se trefishi i numrit të vendit vakant, pra jo më pak se tre. Për këto arsye, Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, me vendim nr. 14 datë 15 nëntor 2017 ka rishpallur thirrjen për paraqitjen e shprehjeve të interesit për herë të gjashtë, për kandidatët që vijnë nga radhët e shoqërisë civile dhe që plotësojnë kushtet dhe kriteret ligjore. Afati për aplikimin e kandidatëve të rinj ka përfunduar në datën 30 nëntor 2017. Sipas përcaktimeve ligjore, organi i ngarkuar me ligj, Komisioni i Shoqërisë Civile pranë Avokatit të Popullit, duhet të ndjekë procesin pas aplikimeve të kandidatëve për të kryer procedurat e tij verifikuese në plotësimin e kushteve dhe kritereve ligjore të kandidatëve. Që më datë 4 dhjetor 2017, Kuvendi nuk ka asnjë korrespondencë zyrtare nga ky komision apo përcjellje listash të kandidatëve të mundshëm për këtë vend vakant. Për sa më sipër rezulton se KLP nuk është krijuar ende si organ”, thuhet në memon e Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit, Genci Gjonçaj.

Kandidatët e tjerë
Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, Genci Gjonçaj, informon Komisionin e Ligjeve mbi procesin e përzgjedhjes së kandidatëve të tjerë për anëtarë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë. “Aktualisht ka përfunduar procesi i vlerësimit nga Sekretari i Përgjithshëm dhe Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit të kandidatëve për KLP nga avokatia dhe trupa e pedagogëve. Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, në përfundim të procesit të verifikimit, bazuar në pikën 9 të nenit 35 dhe pikur 4 të nenit 287 të ligjit 115/2016, i ka përcjellë Komisionit të Ligjeve, listën e kandidatëve që plotësojnë kushtet ligjore, listën e kandidatëve që përjashtohen për arsye të mosplotësimit të kushteve ligjore, dokumentacionin për secilin kandidat si dhe raportin e vlerësimit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit”, thuhet në memo. 

Mos humbisni

Kush janë portalet shqiptare që po prodhojnë ‘fake news’ /Ja lista

Sipas portalit italian StopFakeNews, disa portale shqiptare janë duke ndërhyrë në fushatën elektorale italiane, për …

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.