Kreu / Aktualitet / Plagos me biçak vëllanë në Kamëz, zbulohet shkaku i sherrit

Plagos me biçak vëllanë në Kamëz, zbulohet shkaku i sherrit

Policia parandalon një krim të mundshëm në familje, duke ndërhyrë në momentin që dy vëllezër po konfliktoheshin me njëri-tjetrin.

Njëri prej vëllezërve është arrestuar, pasi kishte goditur me thikë vëllain e tij më të madh, duke e plagosur lehtë. Ndërsa i dëmtuari është dërguar për ndihmë mjekësore në spital, ku më pas është larguar në shtëpi, pa probleme serioze.

Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e së shtunës, në oborrin e shtëpisë së të plagosurit Ladi Llapushi, në zonën e KodërKamzës. Fillimisht ngjarja është denoncuar në Polici si dhunë në familje, pasi i dëmtuari po konfliktohej me fëmijët e tij.

Por në kohën që shërbimet e Komisariatit nr.5 ishin nisur drejt vendngjarjes, vëllai i 42-vjeçarit Llapushi, Arjol Llapushi, e ka goditur me biçak, duke e plagosur. Burime nga Policia thanë se autori i dyshuar i ngjarjes është futur fillimisht për të shuar konfliktin në oborrin e banesës së të vëllait, i cili edhe më parë ka qenë objekt i dhunës në familje.

Por duke ndeshur në rezistencën e tij situata i ka dalë jashtë kontrollit dhe e ka goditur, duke e lënë të plagosur.

“Arrestimi i Arjol Llapushit, 40 vjeç, u bë pasi, në rrugën ‘Fredi Shega’, në oborrin e banesës së tij, për motive të dobëta ka goditur me mjete prerëse vëllain e tij, shtetasin Ladi Llapushi, 42 vjeç, banues në Kodër-Kamzë. Materialet iu referuan Prokurorisë së Tiranës, në ngarkim të shtetasit Arjol Llapushi, për veprat penale ‘plagosje e lehtë me dashje’ dhe ‘dhunë në familje’”, tha Policia e Tiranës në njoftimin zyrtar.

Më herët, rreth 3 vite më parë, i plagosuri Ladi Llapushi kishte denoncuar një tjetër ngjarje të dhunshme në familje.

Në atë kohë ishte djali i tij 20-vjeçar që kishte ushtruar dhunë fizike ndaj të atit, madje ashtu si xhaxhai mbrëmjen e së shtunës, edhe ai e kishte goditur me biçak, duke e plagosur lehtë. Konfliktet në familjen e të dëmtuarit kanë nisur që pas vendimit për t’u divorcuar nga e shoqja.

DHUNA NGA DJALI NË 2014

Djali i 42-vjeçarit që u plagos nga i vëllai, është dënuar nga Gjykata e Tiranës para 3 vitesh, pasi u akuzua se kishte ushtruar dhunë në familje. Gjykata e dënoi M. Llapushin me dy muaj burg, duke e shpallur fajtor vetëm për dhunë në familje, pasi i ati, Ladi Llapushi, u tërhoq nga akuza e plagosjes së lehtë me dashje.

Sipas denoncimit që i dëmtuari bëri në polici në vitin 2014, i biri e kishte dhunuar për shkak të problemeve që kishte me bashkëshorten, me të cilën në atë kohë ishte në proces divorci. Sipas Policisë, të njëjtat probleme janë mbartur edhe sot në këtë familje dhe herë pas here bëhen shkak për dhunë.

Mos humbisni

Tragjedi në Durrës, digjen në banesë trinjakët

Një ngjarje e rëndë ka tronditur Durrësin pasditen e sotme. Mësohet se tre të mitur …

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.