Të shkruash në një kohë kur Shqipëria përballet me përmbytjen, kërkon po aq guxim e shpresë që do të lexohesh, sa i duhet një autori të ri të hyjë në botën e shkrimit me veprën e tij të parë, në një kohë kur interesi për librin duket sikur është zbehur dhe kur epoka e internetit ka ridrejtuar jo vetëm shijet por edhe aftësitë e të lexuarit.
Vetëm pak ditë më parë një mysafire që na vinte për herë të parë në shtëpi, do të më pyeste pak minuta pasi kishte ardhur: “A i keni lexuar gjithë këta libra” tek sytë i kishte drejt bibliotekës sonë, që mund ta quaj ende modeste, jo për shkak të sasisë por për dashurinë që kemi për leximin dhe librin.
Pyetja e saj vetëm më bëri të mendoj për këto breza që po rriten nën ndikimin e botës virtuale dhe një përjetimi e përqasje virtuale të jetës e përditshmërisë sonë. Kjo padyshim ka ndikuar edhe mënyrën si i përqasemi librit dhe artit në ditët e sotme. A do të jetë libri ashtu siç është opera në ditët e sotme? Një art i rezervuar vetëm për një audiencë të vogël ndërsa blogjet, lajmet rozë e jo rrallë gati pornografikë, thashethemet rreth vipave e kronika e zezë duket se kanë ridrejtuar shijen e lexuesit për lexime të tipit fast food?
Në këtë kontekst më duket e guximshme sjellja në jetë e një romani dhe pjesëmarrja në një panair libri. Një sfidë kjo që duket se nuk e ka trembur autorin e romanit “Qelia e Lirisë”, por përkundrazi duket se e ka energjizuar dhe frymëzuar për të sjellë në jetë një histori ndryshe. Një histori që duket se fillon ngadalë por që zhvillohet me ritmin e një orteku teksa të çon në rrjedha të paparashikueshme dhe nuk e kursen realitetin. Nuk është nga ato historitë fast food, as me personazhe të sheqerosur, por ata janë personazhe që të gjithë mund t’i takojmë në shkallët e pallatit, në kafenenë e lagjes apo auditoriumet e shkollës. I tillë është Llazari, një nga personazhet më pikantë të romanit, i cili më bëri për vete, dhe të lë një barrë të madhe në zemër tek pasqyron dramën dhe sfidën e qindra prindërve shqiptarë që pleqërinë e tyre po e përjetojnë në një kohë kur mentalitetet dhe traditat e së shkuarës janë përmbysur. Llazarin, sa do të kisha dashur ta shpëtoja nga fundi i tij tragjik apo t’i jepja të njëjtin fund si Llazarit të ungjijve! Por atëherë ky roman do t’i ngjante telenovelave latine.
“Qelia e lirisë” disi të intrigon me personazhet e saj dhe rrjedhën e ngjarjeve, aq sa do të doje t’i kishe pikturuar disi ndryshe, apo t’i kishe futur në rrjedha të tjera si Shqipen, t’i kishe zhvendosur disi apo t’u kishe dhënë kredenciale të tjera si Albanin, për t’u ndjerë mbase më rehat, apo më brenda asaj që na duket ne e pranueshme. Por jeta njerëzore nuk ka një protokoll të caktuar dhe kredencialet, potenciali dhearritjet nuk na bëjnë imunë apo të paprekshëm ndaj të qënurit të vdekshëm apo konsekuencave të vendimeve të gabuar. Dhe pikërisht këtë, më shumë se sa thjesht pikturimit të realitetit, ka dashur të pasqyrojë Kaon Serjani me “Qelia e Lirisë”. Me një stilt të zhdërvjellët dhe një ndërthurje pikante të përditshmërisë me dimensionin filozofik e shpirtëror të jetës, ai përpiqet të na ftojë të shkojmë përtej sipërfaqes së plagëve personale apo shoqërore, tek rrënja e tyre, tek ato pyetje që të gjithë i bëjmë në heshtje, por nuk kemi guxim t’i themi me zë të lartë ndoshta prej frikës për t’u etiketuar si më pak intelektualë apo të zotë për jetën.
“Qelia e Lirisë” një botim i shtëpisë botuese “Dudaj”, e gjeni edhe në panairin e librit në Tiranë. Një libër që do të pasurojë bibliotekën tuaj dhe ndoshta do të ju vëjë në “përleshje” me autorin për pyetjet që ngre dhe këndvështrimin nga i cili është shkruar.
Nga Rudina Bakalli
Diskutime rreth kësaj post