Partia Demokratike ka dënuar shkarkimin e prokurores Rovena Gashi nga sektori i Dekriminalizimit në Prokurorinë e Përgjithme, lëvizje që u bë me urdhër të kryeprokurores së përkohshme.
Në një reagim për mediat, PD thotë se shkarkimi i prokurores Rovena Gashi u bë pasi i kërkoi Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve ndërprerjen e mandatit deputetit të PDIU Aqif Rakipi, mikut të Kryeministrit.
Reagimi i Partisë Demokratike:
Kapja politike e Prokurorit të Përgjithshëm nga Edi Rama, pasi kthimit të pasaportës për Saimir Tahirin, dha sot një tjetër efekt.
Kryeprokurori Edi Rama shkarkoi drejtuesen e Sektorit të Dekriminalizimit në Prokurorinë e Përgjithshme, Rovena Gashi, dy ditë pasi, në zbatim të ligjit të dekriminalizimit, zonja Gashi i kërkoi Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ndërprerjen e mandatit për deputetin e Elbasanit, Aqif Rakipi.
Shkarkimi i prokurores Rovena Gashi, e cila e drejtoi Sektorin e Dekriminalizimit që në krijimin e tij, është hakmarrje direkte e Edi Ramës për llogari të aleatit dhe mikut të tij, Aqif Rakipi.
10 ditë pas emërimit politik të Prokurorit të Përgjithshëm, në shkelje të hapur me Kushtetutën, u faktua mashtrimi i madh i Edi Ramës, argumenti kryesor i të cilit ishte se Prokurori i Përkohshëm nuk kishte asnjë kompetencë thelbësore për të lëvizur prokurorët apo për të ndikuar në mbylljen e dosjeve.
Skema e Edi Ramës në mbrojtje të aleatëve të tij kriminelë është e qartë.
Kur drejtësia kërkon arrestimin e Saimir Tahirit, Edi Rama e kap drejtësinë, kur ligji zbatohet për të larguar kriminelët nga parlamenti, Edi Rama godet ata që zbatojnë ligjin.
Që sot, me shkarkimin e prokurores Rovena Gashi si hakmarrje për Aqif Rakipin, krimi ka filluar të godasë shtetin përmes shtetit!
Diskutime rreth kësaj post