Kreu / Politikë / Partia Demokratike humbet 60% të fondeve të fushatës nga gjoba e KQZ

Partia Demokratike humbet 60% të fondeve të fushatës nga gjoba e KQZ

Partia Demokratike e Shqipërisë u gjobit me 12 milionë lekë për mosrespektimin e grave në listat e veta të zgjedhjeve 2017, gjoba më e lartë e vendosur ndonjëherë për këtë shkelje.

Nga Gjergj Erebara

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve votoi të enjten të zbatojë Kodin Zgjedhor duke vendosur gjoba për Partinë Demokratike për mosrespektimin e kuotave ligjore në të 12 qarqet e vendit në zgjedhjet e 25 qershorit 2017, në masën 12 milionë lekë.

Më herët këtë vit, KQZ pati gjobitur Partinë Socialiste për mosrespektimin e kuotave gjinore në Qarkun Berat, si dhe Partinë Lëvizja Socialiste për Integrim, për mos respektimin e kuotave gjinore në krah të kundërt në Qarkun Tiranë.

Sipas vendimit të KQZ të 5 majit, Lëvizja Socialiste për Integrim u gjobit sepse kishte kandiduar tre gra njëra pas tjetrës në tre vendet e para në Qarkun Tiranë, ndryshe nga sa kërkohet nga Kodi Zgjedhor, neni 67 pika 6, listat e kandidatëve të një partie në çdo zonë zgjedhore duhet të përmbajnë 30 për qind të secilës gjini ndërsa një nga tre emrat e parë duhet t’i përkasë gjithashtu ‘secilës gjini’.

Zakonisht partitë politike e kanë interpretuar këtë si nevojë për të pasur një nga këto tre emra grua, por LSI në vitin 2017 u gjobit për diskriminim të burrave.

Partia Socialiste respektoi kriterin e një në tre emrat e parë në 11 qarqe por jo në Berat ndërsa kriterin tjetër, atë të pasjes së 30 për qind gra në lista, e plotësoi në mënyrë të rreme duke kandiduar gra me shumicë në pozicionet që qenë matematikisht humbje në zgjedhje.

Ndryshe nga Partia Socialiste, Partia Demokratike nuk e mori mundimin të respektojë kuotat gjinore as në këtë mënyrë formale.

Gjoba në masën 12 milionë lekë është më e rënda e vendosur për një parti politike në Shqipëri që kur të njëjtat parti politike i imponuan vetes detyrimin për të pasur prani më të lartë të grave dhe vajzave në parlament në vitin 2008.

Kjo gjobë është e barazvlefshme me 57 për qind të fondit prej 20.8 milionë lekësh që KQZ i pati dhënë PD-së për fushatën elektorale të vitit 2017.

Për PD-në, situata financiare duket se nuk do të jetë e mirë edhe për shkak se në bazë të Kodit Zgjedhor, ajo do të duhet të paguajë edhe një pjesë të parave që ka marrë për shkak se ka pasur një rezultat më të dobët elektoral se sa në zgjedhjet e shkuara.

Kuotat gjinore u vendosën për herë të parë në ndryshimet e Kodit Zgjedhor të vitit 2008, ndryshime që u realizuan me marrëveshje mes Edi Ramës dhe Sali Berishës.

Fillimisht u kërkua thjeshtë që 30 për qind e listave të ishin gra. Në zgjedhjet e vitit 2009, të parat e bëra me këtë kod, manovrat politike të tilla si kandidimi i grave në poste humbëse bënë që vetëm 16 për qind e parlamentit të përbëhej nga gra.

Në vitin 2012, partitë politike ranë dakord për ashpërsimin e gjobave të shkelje të kuotave gjinore, por këto gjoba nuk duket se shërbyen si pengesë.

Pas zgjedhjeve të vitit 2013, KQZ konstatoi 22 raste të shkeljes së kuotave gjinore nga katër parti dhe vendosi 22 milionë lekë gjoba, të cilat nuk i bënë përshtypje mjaftueshëm këtyre partive sa për të shmangur shkeljet në vitin 2017. Në atë kohë, PS u gjobit me 6 milionë lekë, ndërsa LSI e PD u gjobitën me nga 4 milionë.

Partitë politike shqiptare rezultojnë relativisht të varfra në bilancet e tyre zyrtare për të paguar gjoba të tilla, por pavarësisht kësaj, gjobat duket se nuk mjaftojnë për t’i detyruar të zbatojnë ligjin që ato vetë kanë miratuar.(Birn)

Mos humbisni

Testi i pasurisë “ngel në klasë” 57 % të gjyqtarëve të shkallës së parë në Shqipëri

Të dhënat e siguruara nga një studim i BIRN tregojnë se 154 gjyqtarë nga 268 …

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.

Twitter Auto Publish Powered By : XYZScripts.com