Kreu / Sport / Një serb në Shqipëri, Gvozdenoviç: Pse jo edhe në Kosovë

Një serb në Shqipëri, Gvozdenoviç: Pse jo edhe në Kosovë

Postulati olimpik se sporti miqëson njerëzit dhe bashkon popujt, në historinë botërore ka treguar se nuk është thjesht një dogmë propagandistike.

Kanë qenë të shumta rastet kur motivet armiqësore politike janë zbutur, sheshuar apo hedhur mënjanë falë sportit.

Kështu është shndërruar gjithçka brenda 7 viteve, mendësia e një serbi që jeton këtu, stërvitet, punon, tashmë madje edhe shkolluar, për të qenë një trajner.

Ivan Gvozdenoviç, ka mbërritur në vitin 2010 në Shqipëri, mes ankthit se cfarë e priste dhe dëshirës për të qenë një futbollit, profesionist.

“Kam dëshirë që të flas në shqip, prap nuk jam shumë mirë, por kam qejf ta provoj. 4 herë kisha refuzuar ofertat nga Tirana sepse nuk e dija cfarë ishte Shqipëria, do kisha probleme apo jo?! Familja kishe pak problem, mendohu mirë më thoshin, pse shkon andej, më mirë lëre fare futbollin. Unë e dua futbollin dhe isha gati të provoj, përse jo? Sepse nuk kisha frikë, ti e di mirë se çfarë është politika, çfarë është futbolli, çfarë është sporti”, nis rrëfimin e tij, Gvozdenoviç.

Në vitin 2010, pas një karriere shumë të suksesshme tek Cervena Zvezda, ku ishte edhe kapiten, tek Klub Bryzh, Dinamo Bukureshtit, Metz, Vojvodina e disa klube të tjera, Gvozdenoviç, në moshën 32-vjeçare firmos për bardheblutë, ku gjen një grup lojtarësh që vinin nga shtete të ish Jugosllavisë.

“Kur firmosa me Tiranën ishte një lojtar nga Kroacia, Pero Pejiç, një lojtar nga Bosnja, Mladen Zhizhoviç edhe unë nga Serbia. Ata kishin shumë respekt për futbollin jugosllav dhe unë isha me fat, pasi kisha qenë me Cervena Zvezda. Ju e dini më mirë, Shqipëria në kohën e Enver Hoxhës, donte italisht, donte ish-jugosllavinë. Ju e dini që Jugosllavia ka shkollë futbolli shumë të mirë, ka edhe basketboll sigurisht, kjo ishte një plus për mua”, thotë Gvozdenoviç.

Shoku tij më i mirë në Shqipëri, është kroati, Pero Pejiç.
“Për Zotin unë kam shumë miq nga Shqipëria dhe Kosova, por kam qenë me Pero Pejic më shumë kohë. Ai është kroat, por për mua nuk ka asnjë problem, jemi të gjithë njësoj. Ne kemi qenë bashkë edhe me Tiranën, edhe me Kukësin, edhe me Korçën”, thotë ai.

Një nga momentet më të vështira për Ivan Gvozdenoviç në Shqipëri, ka qenë 14 tetoti i vitit 2014, kur shqiptarët nuk do ta harrojnë kurrë, për atë që ndodhi në stadiumin e Partizanit të Beogradit.

“Unë isha në Maqedoni me ekipin e Kukësit, për fazë përgatitore. Ishim bashkë në një hotel, duke parë ndeshjen. Ishin dy lojtarë nga Kosova me ne, domethënë nga Shqipëria. Për mua ishte shumë turp ajo që ndodhi. Për mua ishte një zhgënjim, nuk u ndjeva mirë, u ndjeva i turpëruar. (E thotë anglisht) Sepse unë jam këtu 6-7 vite dhe nuk kam patur kurrë problem, kam shumë shokë”, tregon Gvozdenoviç.

Prej mëse dy vitesh Gvozdenoviç është në rolin e zëvendës trajnerit tek skuadra e Tiranës, ndërkohë që gjatë kësaj periudhe ka përfunduar edhe të gjitha kurset për liçensën e trajnerit në Shqipëri.

“Po, unë kam licensën, por akoma nuk jam trajner. Tani është puna më e vështirë. Patjetër unë jam gati, por liçensa nuk ka garanci nëse unë jam trajner i mirë apo jo. Vetëm rezultati e tregon, ti e di”, shprehet ai.

A do të pranoje të drejtoje në Kosovë?
“Ta mendoj, pse jo?! (qesh)… Ti e di, në futboll nuk ke shans të thuash jo. Ne jemi këtu komshinj, jemi miq dhe kjo është futboll, nuk është politikë. Nëse do të kisha oferta do ta mendoj mirë, por nuk jam për Jo”, thotë serbi Gvozdenoviç. 

Mos humbisni

Lazio befason Juventusin, Dybala “i mallkuar” nga portierët shqiptarë

Skuadra e Lazios ka marrë tre pikë të çmuara duke mundur Juventusin në Torino me …

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.