Nga Ndriçim Kulla
Shkrimtari Ismail Kadare mund të shkruajë edhe një kryevepër të tij, dhe këtë mund t’ua kushtojë hebrenjve, kështu shkruan Kulla në opinionin e vet.
Ismail Kadare tashmë është 80 vjeç. Në këtë moshë, shumica e shkrimtarëve të mëdhenj nuk jetonin më fizikisht, por vetëm nëpërmjet veprës së tyre.
Të tjerë shkrimtarë, pas kësaj moshe kanë dhënë kryeveprën e tyre të fundit. Pak kohë më parë Kadare deklaroi se ai nuk do të merrej më me letërsi, domethënë se nuk do të kishim më letërsi të shkruar prej tij në kohën e sotme, por vetëm botim dorëshkrimesh të shkruara në të shkuarën. Në historinë e letërsisë botërore njihen raste kur një shkrimtar i madh që kishte hequr dorë nga letërsia, i rikthehej asaj me këshillën e një miku, për të shkruar një kryevepër të fundit, e cila kishte mbetur pezull në universin e tij letrar.
Një të tillë këshillë kam unë për Kadarenë në 80-vjetorin e tij, si biograf dhe si mik i tij. Në korpusin e veprës unikale të Kadaresë, më duket se ka mbetur diçka e paplotësuar. Përgjatë veprës së tij shfaqen hebrenjtë, por nuk ka një libër të tij ku ata të përbëjnë temën qendrore. Dihet se shqiptarët dhe hebrenjtë kanë pasur në të shkuarën faqe të tilla historie që, të njohura botërisht, do të frymëzonin çdo shkrimtar.
Këtu nuk e kam fjalën vetëm për shpëtimin e hebrenjve në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore, që njihet edhe nga shteti hebre, Izraeli. Kjo është vetëm një ngjarje e një historie shumë më të vjetër. Dihet se kur hebrenjtë e dëbuar nga Spanja në fund të shekullit XV u pranuan nga Perandoria Osmane, portet e bregdetit shqiptar ishin pikat kryesore të hyrjes së tyre në territorin perandorak. Kjo ka qenë një nga dyndjet më të mëdha të refugjatëve në Evropën mesjetare.
Dihet shumë mirë që shteti osman nuk kishte struktura për përballimin e krizave humanitare, dhe ardhja e këtyre qindra mijëra njerëzve në bregdetin shqiptar përbënte padyshim një krizë humanitare të madhe, e cila do të kishte qenë një problem edhe për shtete të mëdha të kohës së sotme, jo më për një shtet si Perandoria Osmane në fund të shekullit XV.
Për këtë arsye, kuptohet se roli kryesor në përballimin e krizës humanitare i takoi popullsisë vendase shqiptare. Këta qindra mijëra njerëz të ardhur nga një udhëtim shumë i gjatë për kushtet në të cilat bëhej udhëtimi në atë kohë (anije me vela), ishin të lodhur, të uritur, një pjesë e madhe të sëmurë.
Ata kishin nevojë për strehim, ushqim dhe për kujdesje të tjera, të cilat nuk kishte se kush t’ua ofronte tjetër përveç banorëve vendas. Mikpritja shqiptare u vu në një provë të fortë dhe bëri mrekullinë e saj më të madhe, duke pasur parasysh kushtet e kohës.
Në qoftë se nuk do të kishte qenë për mikpritjen shqiptare, do të kishte ndodhur një holokaust i vogël, i shkaktuar nga mungesat e ushqimeve, mbetja në qiell të hapur e shkaqe të tilla. Këtu duhet thënë se të ardhurit hebrenj nuk kanë lënë ankesa me shkrim as për grabitje, as për keqtrajtime, as për tregti të ndyrë me ta (siç jemi mësuar të dëgjojmë shpesh për shqiptarët nga dashakeqësit e tyre), duke përfituar nga gjendja e tyre. Në arkivat osmane nuk gjendet asgjë e tillë, as në shkrimet e hebrenjve për këto ngjarje.
Hebrenjtë nuk do të kishin munguar që t’i shkruanin ankesat nëse do të kishte pasur incidente, qoftë duke ua adresuar autoriteteve turke, qoftë duke i lënë si dëshmi. Një pjesë e këtyre hebrenjve të ardhur qëndruan në Shqipëri, por pjesa më e madhe e tyre u larguan në drejtim të kryeqytetit osman dhe qyteteve të tjera të mëdha perandorake në Ballkan, që ishin qendra të rëndësishme tregtare.
Largimi i tyre nuk kishte të bënte me pritjen që iu bë nga shqiptarët, por me atë që Shqipëria nuk ofronte mundësi që ata të ushtronin aftësitë e tyre për tregti dhe profesione të tjera, ashtu si qytetet e mëdha të perandorisë. Por ata morën me vete kujtimin për vendin që i priti me bujari dhe lanë këtu gjurmë me komunitetet hebreje që u vendosën në disa qytete shqiptare. Gjirokastra, vendlindja e Kadaresë, është një nga qytetet ku u vendos një komunitet hebre nga të ardhurit e kësaj kohe.
Kadareja natyrisht që ka shumë njohuri për këto ngjarje. Sot kur Kadareja ka bërë dhe disa vizita në Izrael, ku është pritur ashtu siç e meriton, me nderime të veçanta deri edhe nga drejtuesit më të lartë shtetërorë të vendit edhe nga presidenti), ndoshta duhet ta lexojë këtë pritje edhe si një shprehje të dëshirës që ai të shkruajë diçka posaçërisht për marrëdhëniet e shqiptarëve me hebrenjtë.
Unë si lexues dhe studiues i veprës së Kadaresë, do të dëshiroja që kryevepra e tij e fundit të ishte, pse jo, një roman i llojit të tillë. Sigurisht që një vepër e tillë kërkon disa vjet punë, por unë jam i sigurt se me gjithë moshën që ka sot shkrimtari, një vepër e tillë nuk do të mbetet e papërfunduar nëse ai e nis atë tani. Kadare, megjithëse mban mbi supe 80 vjet, ai ka akoma shëndetin dhe energjinë e një 60-vjeçari të mbajtur mirë. Ajo që të befason kur e njeh nga afër është se edhe në këtë moshë, ai është gjithmonë në lëvizje.
Nëse dëshiron ta zgjatësh një bisedë me të, ftoje që ta bëni bisedën duke shëtitur. Aq më tepër, në qoftë se i pëlqen biseda, ai do të propozojë që të zgjatet shëtitja, e cila i pëlqen, pavarësisht bisedës. Por nuk kam pse ta mbaj të heshtur dhe një vërejtje për ministren e Kulturës, z. Mirela Kumbaro, në lidhje me 80-vjetorin e Kadaresë si aseti më i madh i kulturë sonë kombëtare në botë.
Vitin 2006, Ministria e Kulturës e drejtuar nga ish-ministri Bujar Leskaj, në kuadrin e 70-vjetorit të lindjes së shkrimtarit e shpalli qartësisht si Viti i Kadaresë, me një program tepër të detajuar e dinamik, që vazhdoi për një vit të tërë brenda dhe jashtë Shqipërisë, duke akorduar edhe një buxhet të qartë.
Madje ministri i asaj, kohe Bujar Leskaj i ndoqi me një prioritet të veçantë të gjitha aktivitetet për nder të shkrimtarit, duke qenë i bindur se nuk po ushqente kultin e individit të shkrimtarit, por po promovonte denjësisht përfaqësuesin më të denjë të kulturës sonë shqiptare. Por kështu ndodhi 10 vjet më parë. Sepse sot, në vitin 2016, Ministria e Kulturës e drejtuar nga znj.
Kumbaro, e shpalli vitin e 80-vjetorit të Kadaresë në një mënyrë pothuaj të shtirur dhe gati anemike, pa asnjë katalog të qartë veprimtarish brenda dhe jashtë vendit dhe me diferenca drastike buxhetore.
Nuk e di ku qëndron misteri i këtij indiferentizmi dhe hezitimi të dukshëm, tashmë të provuar publikisht të drejtuesve aktualë të Ministrisë së Kulturës 10 vjet më vonë, kur gjithashtu dihet mirë nga shumë prej nesh se ish-përkthyesja dhe pedagogia Kumbaro ka qenë dikur ndër miqtë dhe simpatizantët e shkrimtarit Kadare.
Të jenë shkaktarë këshilltarët kurtizane përtej strukturave të ministrisë, që mund ta këshillojnë keq, eunukët letrarë, apatia institucionale pa prioritete, apo armiqësia qeveritare ndaj Ismail Kadaresë?
(Marrë nga Mapo.al)
Diskutime rreth kësaj post