Kreu / Ekonomi / Ligji i ri, ja si do të llogaritet taksa e re për shtëpitë dhe pronat

Ligji i ri, ja si do të llogaritet taksa e re për shtëpitë dhe pronat

Qeveria ka gati formulën e llogaritjes së taksës së re të pronës, që do të nisë të zbatohet nga 1 janari 2018. Pas miratimit të ligjit, taksa e pronës nuk do të jetë më fikse, por do të llogaritet mbi çmimet fiskale që janë në fuqi.

Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, në konferencën e djeshme për shtyp konfirmoi se taksa e pronës do të llogaritet në përqindje me referencën e vlerës së tregut të shtëpive. Ministri Ahmetaj garantoi se nuk do të ketë nivel të diferencuar të taksës për shtëpitë e dyta, por nuk dha detaje për përqindjen e taksës së re, shkruan panorama

Ministri i Financave, Ahmetaj, shpjegoi se skema e TVSH-së për biznesin e vogël ka si qëllim formalizimin e tregut. Ministri garantoi se biznesit nuk i rriten kostot administrative dhe se nuk do të ketë rritje të çmimeve për qytetarët.

TAKSA E RE E PRONËS

Taksa e shtëpive nuk do të jetë më fikse, por nga 1 janari 2018 do të llogaritet në përqindje mbi vlerën e tregut të shtëpive. Qeveria ka gati formulën e llogaritjes, në të cilën nuk do të ketë diferencim për shtëpitë e dyta.

“Ministria e Financave e ka të detajuar draftin dhe nuk do të ketë nivel të diferencuar për shtëpinë e dytë. Formula është, nga fikse në referencë të vlerës. Për shembull, në rast se një shtëpi u është referuar gjithmonë çmimeve minimale fiskale dhe mbi të është vendosur për lehtësi një taksë fikse, tani do të fillojmë të kalojmë në nivelin e vlerës reale të shtëpisë. Për shembull, shtëpia juaj nuk është 800 euro/m² sa është çmimi minimal fiskal, por në fakt është 1200/m² euro në bazë të transaksioneve dhe përqindja e taksës do të jetë mbi vlerën reale”, u shpreh Ahmetaj.

Por që taksa e re të zbatohet, është i nevojshëm përfundimi i kadastrës fiskale dhe projekti fillimisht do të nisë më 1 janar, si pilot për bashkitë Tiranë, Fier, Durrës dhe Korçë. Ministri i Financave, Ahmetaj, shpjegoi se kadastra përfundon brenda dy vjetësh.

“Është një proces që nuk do të bëhet që më 1 janar i tillë, por më 1 janar do të fillojë. Besoj se brenda dy viteve do të kemi një kadastër solide fiskale, që do të jetë në favor të vërtetësisë së vlerës së pronës, por edhe të pushtetit vendor për të tërhequr të ardhurat që i takojnë. Mos harroni që ne mbledhim sot pak më pak se 0,3 për qind të prodhimit të brendshëm bruto, jemi shumë larg niveleve normale që janë deri në 1 për qind të PBB-së për taksë”, tha Ahmetaj.

BIZNESI ME TVSH

Skema e TVSH-së për biznesin e vogël nuk do të rrisë kostot e biznesit. Ministri Ahmetaj shpjegoi se skema ka si qëllim formalizimin e ekonomisë dhe nuk rrit çmimet.

Nuk ka rritje të kostos dhe rritje çmimesh, dhe TVSH-ja nuk ka lidhje vetëm me formalizimin e ekonomisë, por edhe do të rrisë punësimin, sepse formalizimi sjell punësim. Formalizimi do të bëhet pa asnjë rritje çmimi, sepse 20 për qindëshi është në kosto të çmimit final dhe çmimin final e vendos tregu. Në ndonjë biznes informal, i cili mund të ketë jetuar deri tani për shkak të mospagimit të taksës, do të detyrohet të axhustojë sjelljen, por nuk do të ketë rritje të çmimeve dhe të kostos administrative, e cila do të jetë minimale. Të jeni të bindur se në terrenin fiskal ka shumë sipërmarrje që pretendojnë se janë nën xhiron 5 milionë lekë, por në fakt janë 2-3 herë më shumë se 5 milionë. Kjo është pabarazi, deformim, dëm i drejtpërdrejtë ndaj qytetarëve dhe nuk mund të tërheqësh investime të huaja nëse ke këtë deformim në treg”, tha Ahmetaj.

Ministri i Financave sqaroi se TVSH-ja do të deklarohet 1 herë në 3 muaj, dhe nga skema përjashtohen zejtarët. “Për biznesin e vogël do të kemi deklarim të thjeshtëzuar një herë në tre muaj. Ministria e Financave po harton draftin dhe po kujdeset që zejtarët dhe tregjet formale të bashkive të mos jenë pjesë e skemës së shtrirjes së TVSH-së, por të trajtohen ndryshe”, shpjegoi ministri.

Mos humbisni

Publikohen 4518 vende

Bie sërisht papunësia, INSTAT: Femrat dhe të rinjtë përfituesit kryesorë

Papunësia në Shqipëri është ulur me 1,1% në tremujorin e tretë të këtij viti, tregojnë …

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.