Kreu / Kosovë / Lëvizja në Schengen, Thaçi insiston për pasaportat shqiptare

Lëvizja në Schengen, Thaçi insiston për pasaportat shqiptare

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ngulmon në kërkesën e tij për t’i dhënë shtetasve të Kosovës pasaportat e Shqipërisë.

Pak ditë më parë presidenti Meta e refuzoi këtë mënyrë si zgjidhje për ngërçin e lëvizjes së lirë në zonën Schengen. Por Thaçi ka deklaruar për “Deutsche Welle” se dhënia e pasaportave është një zgjidhje në rrafshin kombëtar. 

“Pas izolimit klasik që BE u ka bërë qytetarëve të Kosovës dhe mbylljes së çdo hapësire shprese që ata të lëvizin lirshëm në zonën Schengen, ne duhet të kërkojmë që këtë problematikë ta zgjidhim edhe në rrafshin kombëtar, për aq sa mund të zgjidhet”, ka thënë Thaçi. 

Presidenti i Kosovës ka theksuar se kjo nuk është presion ndaj shtetit shqiptar, por një kërkesë legjitime, të cilën Shqipëria duhet ta plotësojë si detyrim kushtetues, ndërsa shqiptarët e Kosovës ta përfitojnë si një të drejtë. 

“Kërkesa ime është e drejtë kushtetuese dhe ligjore, duke respektuar kushtetutën e Kosovës, por është edhe e drejtë dhe detyrim kushtetues e ligjor i Shqipërisë. Prandaj mendoj se Shqipëria  duhet të sillet në mënyrë të përgjegjshme duke i kryer detyrimet e saj kushtetuese. Kërkesa ime nuk është presion ndaj Shqipërisë, por nevojë, një kërkesë fisnike dhe shumë humane”, ka thënë Thaçi. 

Procesi i liberalizimit të vizave për qytetarët kosovarë ka mbetur i bllokuar për shkak të mosmarrëveshjeve politike në Kuvendin e Prishtinës mbi vijën e demarkacionit me Malin e Zi, i cili e ka njohur pavarësinë e Kosovës.

Mos humbisni

Prizreni, bazë e trafikut të shtetasve turq drejt Evropës

Prizreni dyshohet se është një bazë e trafikut të shtetasve turq drejt Evropës, që ikin …

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.