E shtunë , 3 Dhjetor 2016
Kreu / Opinion / LETRA / Arben Duka i shkruan Aneta Ramës
Arben Duka i shkruan Aneta Ramës

LETRA / Arben Duka i shkruan Aneta Ramës

Nga Arben Duka

E kisha në plan për të shkruar diçka më të zgjeruar për projekt-ligjin “Rama-Balla”, i cili më ka lënë një shije të keqe e të hidhur.

Mbase do ta shkruaja mbas disa ditësh, por një telefonatë e Aneta Ramës për vargjet e djeshme:“Pse nuk i hiqen dekoratat edhe Kristaq Ramës dhe Gramoz Ruçit?!”, e afroi shkrimin për ditën e sotme.

Aneta më kërkoi që t’i kërkoj ndjesë publike.

E quaj normal reagimin e fortë të saj, në mbrojtje të burrit të saj të nderuar.

I takon të jetë e ndjeshme për njeriun më të afërt të jetës, por fatkeqësisht ajo nuk ka e kuptuar simbolikën e vargjeve.

Kur unë pyes: “Pse nuk i hiqen dekorata edhe Kristaq Ramës”, lidhëza “edhe” bën dallimin nga nominimi dashakeqës. Ideja ime kryesore është që projekt-ligji është hartuar me hipokrizi dhe seleksionim.

E sqaroj se unë vetë personalisht nuk kam dëshirë të hiqet asnjë dekoratë nga gjoksi i atyre që bënë luftën dhe rindërtimin, por meqë Rilindja na doli papritur më antikomuniste se Partia Demokratike dhe ka vendosur të heqë disa dekorata unë i them: “Hiqua të gjithëve! O të gjithëve – o asnjërit”.

Kjo qe ideja ime.

Nëse do merresh me nomeklaturën komuniste dhe jo vetëm me atë, a mund të mënjanosh nga “genocidi antikomunist” deputetët e Kuvendit Popullor, me të cilët operonin prokurorët dhe gjykatësit që ky projekt-genocid i penalizon?!

A mund të mënjanosh me seleksionim ministrat e kabineteve komuniste të kohës dhe sekretarët e parë të partisë së punës në rrethe, vetëm se nga kjo gjë preket përshembull Gramoz Ruçi, që ka ende fuqi në Partinë Socialiste?

Ju Aneta prekeni që unë them “edhe Kristaqit”. Po ata qindra burra e gra, vajza e djem dhe vetë veteranët që ende janë gjallë, a nuk kanë të drejtë të preken nga ky projekt-genocid antikomunist?

Natyrisht që po dhe ju e dini këtë.

Ju jeni e ndjeshme me të drejtë për një njeri, mbase edhe për dy njerëz, por unë jam i ndjeshëm për gjithë brezin legjendar që bënë luftën dhe e fituan, për të gjithë ata që u bënë copë për rindërtimin e vendit.

Ne duhet ta shohim lirinë dhe drejtësinë shumë më larg nga dera e shtëpisë sonë; në çdo derë e prag shqiptari; patjetër edhe tek pragu yt.

Sepse unë, – e përsëris – NUK DUA t’i hiqen dekoratat as Spiro Kolekës, as Enver Hoxhës, as Nexhmije Hoxhës. Në fakt nuk dua t’i hiqen askujt.

Edhe Sali Berisha që bën zhurmë, në fakt nuk e ka prekur ligjërisht këtë pjesë të historisë që lëviz me ligjet dhe rregullat e saj.

Kuptohet se nga projektligji ka shpëtuar edhe komandanti i lavdishëm partizan Myslim Peza. Sepse ka djalin deputet?

Partia Socialiste nuk mund të fshihet pas gjethes së fikut. Ajo është trashëgimtare e padenjë e Partisë së Punës. Nuk ka trashëguar idetë, por ka trashëguar gjithë potencialin njerëzor të përkthyer gjer në katërqind mijë vota.

Por më e rëndësishme se kaq është që ky projektligj hedh në erë Luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare dhe rindërtimin legjendar të vendit. Lexojeni! Lë të paprekur dekoratat e ballistëve, zogistëve, bashkëpunëtorëve të fashizmit, diversantët, kriminelët, bashkëpunëtorët e agjenturave të huaja…

Dhe fshin me bojë të zezë 50 vjet histori të lavdishme të popullit shqiptar.

Lë të paprekura dekoratat dhe monumentin e Zogut, dekoratat e Abaz Kupit, Hamit Matjanit, Halil Alisë, e gjithfarë armiqsh të popullit. Dhe mohon gjakun e dëshmorëve, plagët e baballarëve dhe nënave në luftë, djersën e ndershme të rindërtimit. Madje, duke diferencuar e seleksionuar, sjell edhe përçarje të re të madhe në historinë e gjithë Shqipërisë.

Pyes: Ku do t’i gjejë Rama “bashkëpunëtorët e ligjshëm të Sigurimit të Shtetit”, kur dosjet nuk janë hapur për askënd?!

Dhe a ka fuqi ky Parlament të gjykojë një kohë tjetër të historisë, duke e penalizuar atë?!

Unë di që një e drejtë e fituar, mund të hiqet vetëm me vendim gjyqi. Ndaj për të realizuar këtë projekt-genocid antikomunist do të duheshin qindra gjyqe, dhe po u zgjerua do të duheshin mijëra gjyqe.

E dashur Aneta!

Në fund dua të shtoj atë që nuk e thashë në vargjet e djeshme: nëse ky projekt kalon, them se Partia Socialiste nuk mund të ekzistojë më si e tillë.

Katërqind mijë veteranë dhe trashëgimtarë do të duan të votojnë diku gjetkë, por jo këtë lloj PS-je.

Mos humbisni

Deputeti i PS Erion Brace, duke folur gjate nje seance parlamentare, ku maxhoranca dhe opozita kane debatuar ne lidhje me situaten politike ne vend.

Televizioni kombëtar i Sandrit ka bërë një zbulim të madh!

Nga Erjon Braçe Televizioni kombetar i Sandrit, ka bere nje zbulim te madh: ERION BRACE …

Një koment

  1. Familjes Rama iu eshte blloku posta me letra keto dite. Hahaha

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.