Kreu / Dosje / Konti Çiano: Zogun e tradhëtuan ministrat e tij

Konti Çiano: Zogun e tradhëtuan ministrat e tij

Ditari i fundit para pushkatimit i dhëndrrit të Musolinit.

“Në këtë gjendje shpirtërore, që përjashton gënje-shtrën, unë deklaroj që në ditarin tim nuk është false asnjë fjalë e vetme dhe as e ekzagjeruar apo e diktuar nga ndjenja njëanshmërie. Gjithçka është siç e kam parë dhe dëgjuar unë. E ndërsa përgatitem për ndarjen e madhe, mendoj t’i bëj publike shënimet e mia jo sepse shpresoj rivlerësime apo konsesuse të mëvonshme, por sepse besoj që është një dëshmi e dobishme për të ngritur të pafajshmit e për të goditur të përgjegjshmit”. 

Këto janë fjalët sa prekëse, aq edhe të sinqerta të njeriut të fuqishëm të Italisë së viteve të lulëzimit të fashizmit, të cilat i ka shkruar, siç deklaron dhe vetë, nga qelia 27 e burgut të Veronës, pikërisht në 21 dhjetor të vitit 1943, kur ishte duke kaluar orët e fundit të jetës pas dënimit me vdekje që i kishte dhënë vjehrri i tij, Musolini.

Çuditërisht edhe në këtë ditar të fundit, ashtu si dhe më parë në praktikë, konti i njohur i luftës nuk ka harruar marrëdhëniet e Italisë së atyre viteve me Shqipërinë e drejtuar nga mbreti Zog, duke përshkruar me hollësi ngjarjet që kishin të bënin me këto dy vende. Ndryshe nga sa kemi mësuar dhe dëgjuar në historinë 50-vjeçare të kohës komuniste, sipas ditarit të kontit, i cili ishte edhe drejtuesi kryesor i forcave ushtarake italiane që u dislokuan në Shqipëri në prillin e ’39-s, Shqipëria nuk u është shitur autoriteteve fashiste italiane nga mbreti Zog.

Jo vetëm kaq, por në shënimet e kontit theksohet një përpjekje e madhe e mbretit shqiptar deri në momentet e fundit për të mundur të ruante sovranitetin e mbretërisë së vet. Ndryshe nga sa mund të besohej, kanë qenë miq, madje edhe ministra të tij ata që jo vetëm e tradhtuan Zogun, por gjetën forma për të marrë dhe të holla në shkëmbim të solidarizimit me veprimin ushtarak italian mbi Shqipërinë.

Detaje të atyre përpjekjeve, qoftë diplomatike dhe qoftë ushtarake të mbretit Zog, i përbaltur ndoshta edhe për gjëra që nuk i përkisnin aspak atij, na i përcjell tashmë nëpër rreshtat e ditarit të tij vetë Konti Çiano, i cili ishte pikërisht njeriu më i besuar i Benito Musolinit, madje dhëndër i tij, dhe njëkohësisht mik i afërt i mbretit Zog.

Viti 1938, 13 tetor… 
… Erdhi Sereqi për të më sjellë një mesazh personal të mbretit e më la edhe një shënim lidhur me deklarimet që kishte marrë urdhër të bënte. Ato ishin: Shqipëria tashmë është në duar të Italisë, e cila kontrollon çdo sektor të aktivitetit kombëtar. Mbreti është i devotshëm. Populli është mirënjohës. Pse doni më tepër? Kjo pyetje nuk u shpreh, por ishte arsyeja e vërtetë e bisedës. Iu shfaqa xhentil e shpirtmirë dhe kjo i erdhi për zemër. Mbi të gjitha vlerësoi kur, duke i ndarë mirë rrokjet, i thashë se kam shumë simpati për të dhe se për çdo rast e konsideroj njeriun tonë! Duhet vepruar shpejt me këtë Shqipërinë.

19 tetor…
Sereqi, në kthim për Shqipëri, merr sigurinë e bashkëpunimit tonë të përzemërt dhe premtimin për të bërë diçka për bonifikimin… Kjo do të shërbejë për qëllimet ushtarake… 

6 dhjetor…
…Duçja shqyrton e miraton planin e aksionit në Shqipëri… 

Viti 1939, 8 shkurt …
… Vjen Jakomoni, i cili konfirmon oportunitetin për të vepruar shpejt. Qielli në Shqipëri është elektrizuar. Tashmë gjithë krerët janë me ne. Por për sa kohë do të mund të mbahet sekreti? Studiojmë në hollësi për operacionin.

16 shkurt …
Shqipëria është e shqetësuar. Një telegram i atasheut ushtarak në Tiranë e shqetësoi pak Duçen… Dha urdhër që të turbullohen ujërat që të fshihen planet tona të vërteta: Thoshte se mbreti kishte urdhëruar mobilizimin e pjesshëm e se Jakomoni ishte nisur me avion për Romë. Në të vërtetë situata nuk ishte kaq dramatike. Lidhem me Jakomonin. Duket shumë i qetë. Udhëzimet që unë i kisha dërguar tre ditë më parë përmblidhen kështu: Të mbahet gjallë agjitacioni popullor, por të mos ngurrohet të ulen dyshimet e zogut, duke i dhënë sigurimet që dëshiron; të turbullohen ujërat në mënyrë që të përjashtohet njohja e qëllimeve tona të vërteta.

21 shkurt …
…Mbreti shqiptar kërkon të fitojë kohë për të bërë një manovër për një lidhje të tretë. Jakomoni është i mendimit t’i japim fund kësaj gjendjeje në Shqipëri… . 

23 mars …
… Duçja miraton. Ose Zogu pranon kushtet që caktojmë ne, ose ndryshe ne do ta pushtojmë vendin me armë…

25 mars …
…De Ferraris (sekretari i kabinetit të Çianos, shën. im F. V.) niset për Tiranë… 
… Duket e mundshme që Zogu të nënshtrohet. Veç të gjithave, është një fakt familjar tek i cili kam shumë besim. Lindja shpejt e një fëmije. Zogu e do gruan, e në përgjithësi gjithë familjen. Besoj se do t’i sigurojë farefisit të vet një të ardhme të qetë. Dhe çiltërsisht nuk e imagjinoj dot Geraldinën, me barkun nëntë muajsh, të shtegëtojë duke luftuar nëpër malet e Matit e të Mirditës.

28 mars …
…Makina është në lëvizje nuk mund të ndalet më. Ose pushtimi do të bëhet me Zogun, ose do të bëhet kundër tij. Për shumë arsye do të preferoja zgjidhjen e parë… Po nëse Zogu nuk ulet, duhet t’u drejtohemi armëve dhe do t’u drejtohemi me vendosmëri.

29 mars…
… Dy takime me Duçen për të marrë vendimet rreth Shqipërisë…
… Në një moment të caktuar, në qoftë se Zogu nuk jepet, të dërgohen anijet në ujërat territoriale shqiptare e të bëhet një ultimatium: ose të firmoset pakti, ose të mbahet përgjegjësia për refuzim. Po insistoi për refuzim, të vihen në veprim bandat e armatosura, të publikohen deklarata e të zbarkohet. Të okupohet Tirana, të mblidhen krerët shqiptarë në njëfarë Ansamble Kushtetuese që duhet ta kryesoj unë, e t’i afrohet kurora Mbretit të Italisë!… .

30 mars …
… Lajmet nga Tirana bëjnë të ditur se Mbreti po përgatitet për rezistencë. Kjo më mërzit, sepse e konsideroj shumë të rrezikshëm shpërthimin e goditjes së parë me top në Evropën e sotme, të paqetë e të përflakshme.

1 prill … 
…Pasdite më vjen Serreqi, ministri i ri i Shqipërisë, i cili e fillon misionin e vet në kushte mjaft të stuhishme. Duke kaluar në Bari, ka parë përqendrimin e trupave dhe ka kuptuar se ç’muzikë ka filluar të luhet. I flas qartë e me shumë miqësi e vendosmëri! Thotë se është dakord. Rekomandon vetëm që të shpëtohen format, në mënyrë të atillë që zgjidhja të bëhet e pranueshme nga Mbreti e nga populli. E shpie në Pallatin Venezia, ku Duçia i përsërit pak a shumë paralajmërimin shumë të prerë. Shtoi që, në qoftë se mbreti refuzon nënshkrimin e paktit, kriza është e paevitueshme. Serreqi vendos të kthehet në Tiranë bashkë me Jakomonin për të bindur mbretin. Por në fund, me pretekstin se nuk kishte mundur të këmbejë valutën, merr nga Jakomoni një bakshish të parë prej 15 mijë lirash!

4 prill …
… Lajme gjithmonë e më alarmuese mbi fatin e italianëve në Tiranë. Vendosim t’i evakuojmë. Në Pallatin Venezia, në një takim me Duçen, Sereqi e unë vendosim t’i japim mbretit një ultimatium të fundit, me afat jo më shumë se ora 12 e së enjtes. 

5 prill …
…Dy anije do të shkojnë në Durrës e në Vlorë për të tërhequr italianët që tashmë janë kërcënuar seriozisht nga banditët, të cilët Zogu i ka porositur të përhapin terror… Zogu dëshiron të rezistojë me ato pak forca të dobëta që ka në dispozicion. Meqë Mbreti kërkon 24 orë kohë për të reflektuar, Duçja me një telegram me firmën e vet, fiksoi skadimin e ultimatiumit në orën 12 të së enjtes, 6 prill. Në agim lindi djali i Zogut. Për sa kohë do të jetë trashëgimtar i Mbretërisë së Shqipërisë? 

6 prill …
Reagimet e kryeqyteteve të ndryshme përfshi Beogradin, janë mjaft të moderuara. Chiristiçi është më i alarmuar. Ai kërkon që të paktën të mos veprohet pa lajmëruar njëherë ata dhe të ruhet formalisht ekzistenca e shtetit shqiptar. Në mëngjes Serreqi telegrafisht jep dorëheqje. Nga Durrësi e Vlora vijnë lajme se hipja në anije e të mërguarve italianë po zhvillohet rregullisht. Fortuzi e pilot Teshi, që vijnë në mesditë nga Tirana, thonë se eksodi i italianëve ka mbushur me frikë popullsinë, e cila ka dalë nëpër rrugë, qan dhe mallkon Zogun, i cili e ka vënë në një dallgë të tillë të rëndë. Duçja me një telegram jep urdhër që të ngarkohen trupat në anije, duke u rezervuar të japë në mbrëmje atë të nisjes.
Me propozimin tim, vendosëm të bënim pasdite një fluturim demonstrativ me 100 aeroplanë mbi Durrësin, Tiranën e Vlorën.
Ora 16.00. Arrin një telegram nga Jakomoni. Duket se mbreti nuk do të marrë përsipër përgjegjësinë e një kapitullimi të plotë dhe ka ndër mend të mbledhë Këshillin e Ministrave dhe të vendosin nëse do të rezistojnë apo të nënshtrohet.
Duçja i informuar nga unë, i jep urdhër ekspeditës që të ngrejë spirancën e të niset, duke rezervuar të komunikojë ndonjë gjë të re, po të ketë gjatë kursit të lundrimit.
… Kthehem në shtëpi në orën 22.30. Jam i lodhur e nuk ndihem mirë. Do të desha të çlodhem, aq më tepër që në mëngjes do të nisem me avion për të këqyrur zbarkimin e forcave. Po s’ke ç’i bën Chiristiçi kërkon prapë audiencë urgjent e me ton të rëndë! Druaj se do të ketë ndonjë ndryshim në qëndrimin jugosllav.

7 prill …
Ora 4 zgjimi. Në paradhomë më pret Starace me shumë njoftime, 
Në orën 6 nisem në fluturim. Është qartë e vakët. Vijnë me mua Buti, Viteti e Pavolini. Në 7.45 jemi mbi Durrës. Pamja është shumë e bukur Në radë të ndaluara e solemne janë anijet e luftës, kurse motoskafët, maunet e rimorkiatorët çajnë portin për të transportuar forcat e zbarkimit… 
I telefonoj Duçes. Është shumë i kënaqur, sidomos nga reaksioni ndërkombëtar, që është zero ose aty afër.

Çiano kërkoi të pushtonte Shqipërinë pas dasmës së Mbretit Zog.

Galeaco Çiano ishte njeriu më i besuar i liderit të plotfuqishëm fashist, Benito Musolinit, dhe njëkohësisht shefi i diplomacisë së jashtme në Italinë e drejtuar nga ekipi politik fashist. Ai ishte ndërkohë dhe dhëndër i Musolinit, gjë që bënte që ky i fundit ta pyeste shumë më tepër edhe për probleme tepër madhore për të ardhmen e Italisë së atyre viteve. E veçanta e kontit të njohur si diplomat tepër i aftë është se ai ka pasur marrëdhënie tepër miqësore me mbretin e Shqipërisë Ahmet Zogu, aq sa ky i fundit nuk ka hezituar që t’i dërgojë më shumë se një herë jo vetëm oborrtarin e tij Serreqi, por edhe ministrin e Jashtëm Libohova, duke e ftuar që të ishte dëshmitar në ceremoninë zyrtare të dasmës së tij në 26 prill të vitit 1938.

Konti Çiano, në të vërtetë, në atë periudhë njihej jo vetëm si mik i Shqipërisë dhe i mbretit të saj, por edhe si një njohës i mirë i problemeve të shumta të saj që ekzistonin në ato vite. Ai disa herë e ka bindur Musolinin që të dërgonte sasi të mëdha gruri për të zbutur urinë që kishte pllakosur vendin tonë në vitet ’38. Konkretisht, në atë vit Italia ka dërguar në dy periudha plot 60 mijë tonë me grurë. Por në mendjen e kontit, i cili ishte bërë njeri shumë i njohur për masën e gjerë të popullit shqiptar, lindi ideja për ta pasur Shqipërinë një orë e më parë nën vartësinë ligjore të shtetit të fuqishëm italian, i cili në atë periudhë kishte një pozitë tepër të konsoliduar në Europë.

Ishte dasma e mbretit Zog ajo që ngjizi vendimin e kontit për të bërë realitet bashkimin e Shqipërisë me vendin e tij, bashkim të cilin ai e kishte për zemër. Për këtë gjë, ai arriti të bindë në mënyrën më të thjeshtë vetë Musolinin menjëherë sa u kthye nga dasma e mbretit shqiptar. Konkretisht, në ditarin e tij ai nuk harron ta shkruajë me hollësi atë detaj, që më pas do të sillte një luftë të pashmangshme mbi vendin tonë.

“Më datën 28 prill 1938, – shkruan ai, – kthehem nga Shqipëria i rrënjosur më shumë se çdo herë në bindjet e mia për zgjidhje integrale. Në 30 prill këtë gjë ia referoj Duçes, kur i raportova për udhëtimin tim në Shqipëri. Ai menjëherë bie dakord për nevojën e një zgjidhjeje integrale e thotë se për të pasur Shqipërinë është gati deri atje sa të bëjë luftë. Duke i dorëzuar një kampion të mrekullueshëm bakri nga minierat e Lezhës, i thashë: “Ja fiqtë e Kartagjenës”.

Mbreti Zog donte të ruante sovranitetin e mbretërisë së tij.

Nga sa mësohet në ditarin e diplomatit fashist, i cili në ditët e sotme merr një vlerë të jashtëzakonshme historike, Zogu ka bërë tratativa deri në fund për të mbrojtur autonominë e Mbretërisë Shqiptare duke përdorur çdo lloj forme, qoftë njohjeje me diplomatët e përtejdetit dhe qoftë diplomatike. Konkretisht, ndër të tjera ai tregon: “Duçja më komunikoi që Mbreti dëshiron të dërgojë një mision mbretëror të kryesuar nga Duka i Spoletos në martesën e Zogut.

Duket se duan të mbajnë pozicionet. Kjo gjë shkakton bezdi, sepse nuk qe parashikuar dhe, nga ana tjetër, Tirana nuk është Londra që të sistemojë atë gjatanik e xurxull të Spoletos. Por e kuptova që Duçja nuk do polemika e i dhashë menjëherë urdhër Jakomonit, i cili ishte kundër…”. Por, për sa ndodhte në lidhje me Shqipërinë, mësohet gjithashtu se Duçja, që prej shumë kohësh ka qenë i rezervuar për punën me të, ka nxitur për të vepruar që në fillim të vitit 1939, duke mbajtur gjithmonë fiks termin e pranverës.

Pas kësaj, laku për mbretërinë zogiste të Shqipërisë po bëhej gjithnjë e më shumë i koklavitur. Jo vetëm kjo, por nuk harrohej nga diplomatët italianë për të siguruar dhe izolimin e vetë mbretit, i cili kërkonte forma për të shuar mundësitë ekstreme të aneksimit, derisa Duçja e mësoi atë këmbëngulje të tij për të kërkuar deri në fund rrugëdalje, duke dhënë urdhrin e ngritjes së spirancave të anijeve luftarake të ankoruara në bregdetin italian.

Mos humbisni

“Vrasësi vjen nga Kanadaja dhe rreh gjoksin”. Si u masakruan katër heroinat e Mirditës

Ajo që ndodhi të dielën e 25 prillit 1948 në Tarazh të Mirditës është një …

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike.